Mediat instrument i fuqishëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut
17 Qershor 2011Për të katërtën herë me ftesë të Deutsche Welle-s mblidhen politikanë, ekspertë dhe gazetarë në këtë forum në Bon. Kësaj radhe do të diskutojnë temën "Të drejtat e njeriut dhe globalizimi - sfidat për mediat".
Hans-Jürgen Beerfeltz, sekretar shteti në ministrinë për Bashkëpunim dhe Zhvillim, do të shpjegojë konceptin e qeverisë federale për këtë çështje. Konceptin e ka prezantuar pak ditë më parë edhe në Berlin.
Të drejtat e njeriut përcaktojnë qëndrimin ndaj partnerëve
"E reja është para së gjithash që orientimi drejt mbrojtjes së të drejtave të njeriut është një obligim dhe sfidë, e cila do të jetë edhe si parametër veprimi për qeverinë gjermane dhe organizatat ndërkombëtare në kontaktet me vendet partnere. Ne duhet të shikojmë me një vëmendje të posaçme realizimin e të drejtave të njeriut", thotë ai.
Obligimet e shteteve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut janë një shembull i mirë i mundësisë së veprimit, por shpesh është vështirë të kontrollosh zbatimin e tyre. Kushtet njerëzore për punë nuk ekzistojnë në shumë vende. Mbi 1500 pjesëmarrës nga rreth 100 vende do të debatojnë mundësinë e veprimit më efikas të mediave në këtë lëmi.
Drejtori i Përgjithshëm i DW-së Erik Bettermann pohon se mediat mund të japin një kontribut të fuqishëm për mborjtjen e të drejtave të njeriut. Lindja e formave të reja të komunikimit përmes internetiti i bën mediat më sociale dhe më demokratike. Por rëndësinë e krijimit të një shoqërie të hapur e tregon edhe shembulli i fundit me gjendjen në Siri.
Siria si shembull i keq
"Rasti i Sirisë na dëshmon shumë qartë se ku janë kufijtë e gazetarisë qytetare dhe çfarë do të thotë kur gazearët profesionistë nuk mund të raportojnë nga vendi i ngjarjes. Ne kemi vetëm informata të pjesshme për gjendjen në Siri. Informacionet tona janë vetëm fragmente, pjesë të vogla të një tërësie. Nuk mund të verifikojmë dhe shpesh nuk mund të kuptojmë gjendjen. Qeveria e Sirisë ka penguar prej fillimit në mënyrë sistematike mediat ndërkombëtare në raportimet e tyre. Ndërsa mediat e Sirisë janë të kontrolluara. Njohuritë tona janë të kufizuara dhe kjo është absolutisht e papranueshme", thotë Joel Simon, drejtor i Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarisë, i cili poashtu do të prezantohet në këtë forum.
Të pranishëm pritet të jenë edhe i ngarkuara i qeverisë gjermane me të drejtat e njeriut Markus Löning, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës dhe kryetari i Komitetit norvegjez për çmimin Nobel Thorbjorn Jagland dhe shumë të tjerë.
Deutsche Welle do të prezantojë shumë pjesë të forumit. Në fokus janë të drejtat elementare të njeriut në vitin 2011, e drejta për jetë, e drejta për punë, banim, ushqim, të drejtat e grave etj.
Autor: Ulrike Mast-Kirschning / Bahri Cani
Redaktoi: E. Xhani