1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Megjithë marrëveshjen ndërkombëtare ende e paqartë se kur Rusia do të tërheqë trupat nga Gjeorgjia

Hermann Krause 19 Gusht 2008

Presidenti rus Medvedev u shpreh shumë qartë se Rusia nuk do të lejojë agresione të ngjashme

https://p.dw.com/p/F0ni
Trupat ruse në portin e Potit në Detin e Zi
Trupat ruse në portin e Potit në Detin e ZiFotografi: AP

Rusia pohon se ka filluar me tërheqjen e trupave, ndërsa Gjeogjia i përgënjeshtron këto pohime. Ndërkohë që vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se sipas informacioneve të deritanishme, presidenti Medvedev ende nuk ka filluar me zbatimin e detyrimeve të marrëveshjes së propozuar prej BE-së dhe të nënshkruar prej tij. Zëvendësshefi i Shtatmadhorisë Anatoli Nogovizyn në një konferencë shtypi në Moskë theksoi:

"Dua të nënvizoj edhe një herë se fjala është për tërheqjen e ushtrisë dhe rivendosjen e paqes sipas mandatit nga marrëveshja e vitit 1992. Ajo është marrëveshja e vetme legjitime."

Të hënën është parë një kolonë ushtarake të shkonte nga Osetia Jugore në drejtim të Osetiosë Veriore, në pjesën ruse. Nogovizyn foli pra për ushtarët e stacionuar rus në Osetinë Jugore, në kuadër të misionit paqësor dhe jo për njësitet e blinduara dhe trupat ruse që kanë okupuar territoret e Gjeogjisë.

Perëndimi e trajton ndërhyrjen ruse si okupim të Gjeorgjisë

Pikërisht prezenca e tyre është kritikuar ashpër prej perëndimit, i cili ndërhyrjen ruse e trajton si okupim të Gjeorgjisë. Qyteti Gori edhe më tej mbetet në shtetrrethim. Edhe në pjesët e tjera të Gjeogjisë janë vërejtur njësitë e blindurara ruse. 30 tanke dhe automjete të blinduara kanë bllokuar udhëkryqin drejt qytetit Poti. Forcat ruse mbajnë të okupuara edhe pikat ushtarake të Gjeorgjisë, ndërkohë që presidenti Medvedev, sikur edhe paraardhësi i tij Vladimir Putin, i paralajmëroi armiqët e Rusisë me fjalët: "Nëse dikush e ka ndërmend të vrasë qytetarët apo ushtarët tanë paqësorë, duhet të llogarisë me një përgjigje asgjësuese. Ne kemi mundësi të këtilla politike, ekonomike dhe ushtarake."

Gazeta të ndryshme ruse
Gazeta të ndryshme ruseFotografi: DW/Yuliya Siatkova

Informim i njëanshëm në mediat ruse

Në mediat ruse njoftohet për tragjeditë që u bënë rusëve gjeorgjianët në Osetinë Jugore, por jo dhe për okupimin ilegal rus të territoreve të Gjeorgjisë. Presidenti rus thotë: "Agresioni i Gjeorgjisë i para dhjetë ditëve është i pashembullt. Në qoftë se na sulmon një vend, i cili është armatosur prej vendeve të tjera, duhet të llogarisë me një përgjigje të këtillë."

Aktualisht është e paqartë nëse ushtria ruse do t'i injorojë udhëzimet e presidentit dhe nëse presidenti është dakord me sjelljet e ushtrisë. Edhe gjatë luftës së Çeçenisë, presidenti i atëhershëm Boris Jelcin paralajmëronte armëpushime të shpeshta, por kreurët ushtarakë nuk u përmbaheshin atyre.

Keqësim i raporteve ndërkombëtare të Rusisë

Keqësimi i raporteve ndërkombëtare shihet edhe nga refuzimi i mbajtjes së një takimit të përbashkët të këshillit NATO - Rusi. Kremlini ka tërhequr kërkesën për një takim të këtillë. Po ashtu kanë dështuar edhe përpjekjet për shkëmbimin e të burgosurve mes Rusisë dhe Gjeorgjisë.