1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Meksika: një vend në udhëkryq

Astrid Prange9 Nëntor 2014

Pas pranimit të vrasjeve nga pjesëtarë të dyshuar të mafies, në rastin e masakrës së Igualas, Meksika po sheh e tmerruar anën e saj më të errët. Në vendin latino-amerikan pritet një tërmet politik.

https://p.dw.com/p/1DjUR
Fotografi: Reuters/T. Bravo

"Qeveria meksikane ka bërë një gabim të rëndë, kur në ditët e para pas masakrës u përpoq ta klasifikonte krimin si një problem lokal". Kështu mendon ish zëdhënësi i qeverisë meksikane Rubén Aguilar Valenzuela. Sociologu, i cili ndërkohë është docent në Universitetin Iberoamerikan në Meksikë, kritikon kursin me zigzage të qeverisë. "Besimi ka humbur, populli dyshon në aftësinë e qeverisë për të menaxhuar krizën".

Në masakrën në qytetin meksikan Iguala në fund të shtatorit u zhdukën pa gjurmë 43 studentë. Deri tani në rrethinat e Igualas janë hapur 19 varre masive dhe janë arrestuar 74 të dyshuar, ndër ta edhe kryetari i bashkisë së qytetit dhe gruaja e tij José Luis Abarca dhe Maria de los Ángeles Pineda. Të dy dyshohen se kanë urdhëruar arrestimin e studentëve.

Vrasja si rutinë

Në 7 nëntor prokurori i Meksikës Jesús Murrillo Karam për herë të parë informoi publikun për deponimet e të dyshuarve të arrestuar. Sipas këtyre deponimeve studentët i janë dorëzuar nga policia lokale anëtarëve të kartelit "Guerreros Unidos". Ata më pas i kanë vrarë studentët, trupat i kanë djegur, copëtuar dhe mbetjet i kanë hedhur në lumë.

Mexiko Generalstaatsanwalt Jesus Murillo Karam
Prokurori i përgjithëm i Meksikës, Jesus Murillo KaramFotografi: Reuters//Edgard Garrido

Deponimet kanë shkaktuar një tronditje të thellë në Meksikë dhe shtangie. "Të arrestuarit flasin para kamerave, me indiferencë, ftohtësi, sikur të mos bëhej fjalë për një krim por për një transport kafshësh", shkruan gazeta 'El Pais'. "Vrasja masive për ta duket rutinë. Meksika do ta ketë të vështirë t'i harrojë fjalët e tyre."

Sipas vlerësimit të ekspertëve rasti Iguala do të shkaktojë një tërmet politik në vend. Masakra nuk ka hedhur në krizën deri tani më të rëndë vetëm qeverinë e presidentit Enrique Peña Nieto. Ajo po trondit edhe themelet e shtetit meksikan.

Rezultatet e deritanishme të hetimeve dëshmojnë lidhje të ngushta mes partive, politikanëve dhe mafies. Më shumë prej tyre duket se është e prekur partia e majtë PRD e themeluar në 1989, "Partido de la Revolución Democrática". Sipas informacioneve në shtyp si kryetari i bashkisë së Igualas ashtu edhe ish guvernatori i shtetit federale Guerrero, Ángel Aguirre, janë anëtarë të PRD.

Bashkëpunim me kriminelët

"Iguala tregon një dimension të ri", mendon shkrimtari meksikan dhe filozofi Héctor Aguilar Camin. "Deri tani ka pasur një lloj bashkëpunimi të institucioneve shtetërore me krimin e organizuar. Tani kemi një situatë ku një zyrtar publik, kryetari i bashkisë së Igualas, konsiderohet vetë si kriminel. Na duhet të pyesim se sa kryetarë të tillë bashkish ka në Meksikë".

Për Amnesty International (AI) masakra e Igualas nuk është një rast i izoluar. "Iguala bën pjesë në një radhë krimesh mizore, që kanë ndodhur vitet e kaluara në Guerrero dhe në gjithë vendin", thotë Erika Guevara Rosas, drejtoreshë e AI për Amerikën. "Korrupsioni dhe dhuna kanë qenë gjithnjë të dukshme. Ata që me vetëdijë i kanë injoruar, janë bashkëfajtorë në këtë tragjedi".

Mexiko Vater eines verschwundenen Studenten 07.11.2014
Zëdhënësi i prindërve Felipe de la Cruz ende pret identifikimin e 43 viktimaveFotografi: Reuters/Daniel Becerril

Sipas informacioneve të Amnesty në Meksikë në rast krimesh të tilla kapitale, hetimet shpesh janë pezulluar para kohe. Kështu në 2011 janë torturuar dhe vrarë studentë të shkollës bujqësore Ayotzinapa. Krimi deri sot nuk është zbardhur. Hetimet u pezulluan në maj 2014. Edhe kryetari i bashkisë së Igualas ka bashkëpunuar në mënyrë aktive në vrasjes e tre aktivistëve që në vitin 2013, thotë Guevara Rosas.

Ajo ngre akuza të rënda kundër autoriteteve hetimore meksikane. "Nëse do të ishte hetuar rreth akuzave të rënda kundër kryebashkiakut të Igualas atëherë, ndoshta masakra kundër studentëve do të ishte shmangur." Presidenti Peña Nieto ka humbur besueshmërinë në sytë e saj: "Qeveria e ka refuzuar ndihmën e komisionit ndërramerikan për të drejtat e njeriut, megjithëse theksonte vazhdimisht se ishte shumë e interesuar për zbardhjen e krimit", thotë Rosas.

Sipas shkrimtarit Héctor Aguilar Camin, Meksika gjendet në një udhëkryq. "Vendi përjeton një moment ekzistencial", thotë ai. "Shteti është i detyruar të pozicionet qartë kundrejt krimit të organizuar dhe protestave sociale. Rezultatet e hetimeve në rastin Iguala janë vendimtare për të shmangur një fund tragjik".

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,18049356,00.html