Meksika tronditet nga një tërmet i fuqishëm
8 Shtator 2017Pas një mbledhjeje të Qendrës Kombëtare për Kujdesin në Katastrofa, presidenti i vendit Enrique Peña Nieto, deklaroi, se në shtetin federal Oaxaca ka dhjetë të vdekur, në Chiapas tre dhe në Tabasco dy. Instituti i Sizmiologjisë në Meksikë fillimisht komunikoi një forcë prej 8,4 ballësh të tërmetit duke e ulur më pas atë në 8,2 ballë. Tërmeti ndodhi, sipas këtyre të dhënave, 137 km në juglindje të Tonalas në një thellësi prej 19 km. Ky ishte tërmeti më i fortë qysh prej 100 vjetësh në vend, duke iu referuar presidentit të vendit Enrique Peña Nieto.
Të tilla tërmete të forta çlirojnë një energji, e cila akumulohet prej dekadash nga lëvizjet e pllakave tektonike, i tha agjencisë DPA, prof. Marco Bohnhoff, drejtues i seksionit të gjeomekanikës dhe reologjisë në Qendrën gjermane të Hulumtimeve të Gjeodezisë në Pocdam (GFZ). Gjatë një tërmeti të forcë 8 ballë dy pllaka tektonike në përmasat 300 me 50 km lëvizin brenda sekondash duke u zhvendosur disa metra nga njera-tjetra. Kjo lëvizje çliron energji në formën e valëve, që shkaktojnë lëkundje deri në largësinë prej 100 km, shpjegon më tej Bohnhoff. Kësaj i shtohet edhe fakti që rajoni i qytetit Meksiko është ndërtuar në territorin e një liqeni të tharë. Kjo ka bërë që të intensifikohen lëvizjet e tokës, si në rastin e tërmetit të fundit në këtë rajon në vitin 1985, tha Bohnhoff. Ky territor është pjesë e unazës së zjarrit përreth Paqësorit. Aty ndodhin vazhdimisht tërmete të fuqishme, që mund të arrijnë deri në 9 ballë të shkallës Richter. Për Meksikën dhe të tjerë vende përreth Paqësorit deri në Ekuador pati edhe paraljëmrim për Cunami. Tërmeti ishte i lokalizuar në brigjet e paqësorit në shtetin federal Chiapas dhe lëkundjet e tij janë ndjerë dukshëm deri në kryeqytetin Meksiko 700 km larg si dhe në vende të tjera të rajonit.
Lëkundjet janë matur madje edhe në Berlinin 10.000 km larg Meksikës, tha Josef Zens nga qendra GFZ. Në Berlin ka pasur një luhatje lartë e poshtë të valës prej 8,5 milimetrash.