1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel hap panairin e CeBIT në Hanover

14 Mars 2007

Qysh nga dita e enjte (14.03) në Hanover ka hapur portat për publikun panairi më i madh në botë i teknologjisë së informacionit dhe telekomunikacionit, shkurt CeBIT. Në panair prezantojnë produktet e tyre mbi 6000 ndërmarrje nga 77 vende të botës. Panairi qëndron i hapur deri më 21 mars. Vendi partner sivjet është Rusia.

https://p.dw.com/p/As5N
Fotografi: AP

Kancelarja Angela Merkel në hapje të panairit CeBIT u shpreh për forcimin e novacioneve dhe studimeve shkencore në Gjermani. Kancelarja theksoi, se teknologjia e informacionit luan një rol kyç në ekonominë gjermane. "Ne kemi nevojë për një ofensivë novacionesh, një klimë, në të cilën idetë të kthehen në vepra dhe rezultatet e studimeve në produkte të afta për tregun", tha kancelarja në Hanover:

"Çfarë mund të bëjë qeveria në një fushë të tillë, si mund të mbështesim dhe të motivojmë ne? Ne kemi "programin shoqëria e informacionit 2010" - kjo është një paketë strategjike ambicioze aksioni për të gjithë tregun e teknologjisë së informacionit dhe komunikacionit. Në dhjetor ne kemi organizuar për herë të parë në Pocdam samitin e teknologjisë së informacionit, duke treguar kështu përgjegjësinë për të tilla degë të novacioneve dhe të zhvillimit." Në fund të vitit do të zhvillohet samiti i dytë i teknologjisë së informacionit, premtoi Merkel, duke vënë në dukje planet për investimet me rreth 1,2 miliardë euro në këtë fushë deri në vitin 2009.

Vendi partner i panairit të sivjetëm është për herë të parë Rusia. Zëvendëskryeministri rus, Sergej Naryshkin, tërhoqi vëmendjen për faktin, se deri më sot dy të tretat e eksporteve ruse mbulohen nga lëndët e para. Por në plan afatgjatë nuk mund të kënaqemi me atë që buxheti i shtetit të jetë në varësi të çmimeve të tregut botëror për naftën dhe gazin. Ndaj ekonomia ruse dhe qeveria në mënyrë të qëllimshme janë duke i kushtuar vëmendje zhvillimit të degës së teknologjisë së lartë: "Mbi 150 ndërmarrje të ekonomisë private dhe shtetërore, institucione kërkimore-shkencore dhe arsimore si dhe parqe të teknologjisë duhet të karakterizojnë të tashmen dhe të ardhmen dhe të përçojnë përfytyrimin rus mbi tregun e teknologjisë së informacionit. Ne shpresojmë, që kontaktet tona në Hanover do të krijojnë mundësinë për t´i pasqyruar arritjet ruse në këtë drejtim dhe konsolidimin e tyre në kontakte afatgjata." Për kontakte të reja afatgjata shpresojnë edhe mëse 6.000 firma nga 77 vende të botës të prezantuara në panair.