1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel - Putin: Takim krizash në Moskë

11 Janar 2020

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti rus Putin biseduan në Moskë mbi situatën e tensionuar në Lindjen e Afërt. Të dy janë dakord që në Berlin të zhvillohen bisedimet e paqes për Libinë.

https://p.dw.com/p/3W3Dy
Russland Deutschland Merkel und Putin Treffen
Fotografi: picture-alliance/dpa/Sputnik/M. Metzel

Kancelarja gjermane, Angela Merkel zhvilloi një takim me presidentin rus, Vladimir Putin të shtunën (11.01) për të folur mbi krizën në Lindjen e Afërt. Në vizitën në Rusi, Merkel ka qenë e shoqëruar nga ministri i Jashtëm gjerman,  Heiko Maas. Pas tensionimit të krizës me Iranin në ditët e fundit, shkallëzimit të situatës në Libi, Gjermania ka përforcuar përpjekjet diplomatike për mosashpërsimin e mëtejshëm të gjendjes në Lindjen e Afërt.

Gjermania dhe Rusia kanë shumë interesa të përbashkëta. „Të flasim me njëri-tjetrin, se mbi njëri-tjetrin", ishte shprehur Merkel para takimit. Kurse ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha, se „për të çtensionuar krizat në fqinjësinë tonë, kemi nevojë për bisedime me Rusinë".

Në Moskë kancelarja gjermane u shpreh edhe për tragjedinë e rrëzimit të avionit në Teheran para pak ditësh. Ajo e përshëndeti faktin që Irani pranoi përgjegjësinë, duke e quajtur "hap të rëndësishëm", por „kjo mbetet një ngjarje dramatike", tha Merkel. Kanë humbur jetën njerëz të pafajshëm. Irani duhet të zbardhë deri në fund gjithçka, kërkoi Merkel

Merkel dhe Putin janë shprehur optimistë, se gazsjellësi Nord Stream2 do të ndërtohet megjithë sanksionet amerikane. Masat amerikane do të sjellin vetëm një vonesë deri në fund të këtij viti ose në vitin 2021, tha Putin në konferencën e përbashkët të shtypit në Moskë.

Russland Deutschland Merkel und Putin Treffen
Fotografi: picture-alliance/dpa/TASS/M. Metzel

Lidhur me gjendjen në Siri, kancelarja gjermane u shpreh, se shpreson për një koordinim më të mirë të ndihmës humanitare për Sirinë. Kurse presidenti Putin, i cili ka mbështetur presidentin Asad tha, se gjendja në vendin arab "është stabilizuar", dhe se "strukturat shtetërore po ringrihen".

Bisedime sa më shpejt për paqen

Merkel dhe Putin ranë dakord për mbajtjen shpejt të bisedimeve të paqes për Libinë. Merkel tha në Moskë, se Berlini do të jetë vendi ku do të zhvillohen bisedimet e paqes për Libinë. Në konferencën e përbashkët të shtypit, të dy krerët e shteteve janë shprehur, se konflikti duhet të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur. Merkel tha se „shpresojmë, që përpjekjet e përbashkëta nga Rusia dhe Turqia do të kenë sukses, dhe së shpejti të dërgojmë ftesat për një konferencë në Berlin." Edhe Putin e mbështet idenë e konferencës për Libinë. „Disa gjëra kanë nevojë për parapërgatitje, por do të ishte një hap i mirë në drejtimin e duhur", tha Putin. Ndërkohë presidenti Putin i pyetur në Moskë, nëse në Libi po luftojnë mercenarë, si i ashtuquajturi grupi Wagner, u përgjigj, se nëse ka rusë atje, ata nuk përfaqësojnë shtetin rus dhe as nuk paguhen nga shteti.

Sipas të dhënave të zëdhënësit të qeverisë gjermane, Steffen Seibert, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas zhvilloi në të njëjtën kohë bisedime me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov. Konflikti në Libi, Siri dhe Ukrainën Lindore ishte në fokus të takimit mes dy ministrave.

Rëndësia e Rusisë

Partnerët perëndimorë kërkojnë që Rusia të luajë rol për mosshkallëzimin e mëtejshëm të gjendjes në Libi. „Ky është shansi i fundit për të penguar një armatim dhe gjakderdhje të re. Për këtë kemi nevojë të ulim në një tryezë vendet që kanë influencë në rajon, veçanërisht Rusinë", tha ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas për grupin mediatik, Funke Mediengruppe.

Russland Deutschland Merkel und Putin Treffen
Fotografi: picture-alliance/dpa/Sputnik/S. Guneev

Edhe politikanë të tjerë kanë vlerësuar rolin e rëndësishëm të Rusisë në zgjidhjen e konflikteve në botë. „Pa Moskën nuk ka shans për sukses përpjekja për stabilizimin e fqinjit tonë jugor", tha politikani gjerman i partisë liberale, FDP, Alexander Graf Lambsdorff tha për gazetën „Passauer Neue Presse", duke pasur parasysh këtu Libinë. Edhe politikani socialdemokrat për çështjet e jashtme, Nils Schmid shpreson në mbështetjen e Moskës për përpjekjet gjermane në konfliktin me Libinë. „Do të ishte sukses, nëse mund të bëjmë për vete Rusinë në këto përpjekje", tha ai për median gjermane. Lambsdorff e cilësoi marrëdhënien gjermano-ruse, pavarësisht kundërshtive politike një „thesar. „Ka kaq shumë lidhje të ngushta gjermano-ruse në shumë fusha, saqë mendon, se ne jemi më afër me Rusinë, se vende të tjera perëndimore."

Politikani i Gjelbër për çështjet e jashtme, Omid Nouripour, është shprehur për gazetën gjermane "Passauer Neue Presse" të shtunën, se pavarësisht nëse bëhet fjalë për Lindjen e Afërt, Libinë, konfliktin në Ukrainën Lindore. „Të gjitha këto janë tema, ku zoti Putin ka një ndikim të madh." Ai shpreson që Moska të përdorë lidhjet e mira që ka me Teheranin, që Irani të respektojë marrëveshjen bërthamore.

Merkel e kishte vizituar Rusinë së fundmi në vitin 2018, kurse në vitin 2015, ajo mori pjesë në ceremonitë përkujtimore me rastin e fundit të Luftës së Dytë Botërore në Moskë.

 

 

la/(rtre,dpa,afp)