1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkeli dhe Macroni pro sanksioneve kundër Rusisë

21 Qershor 2017

Në takimin e nivelit të lartë të BE do të vendoset edhe për çështjen nëse Brukseli do t'i zgjasë sanksionet kundër Moskës. Nga Gjermania dhe Franca me sa duket vjen një rekomandim i qartë për zgjatjen e tyre.

https://p.dw.com/p/2f7at
Emmanuel Macron und Angela Merkel Berlin
Fotografi: Reuters/F.Bensch

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron do t'i informojnë

kolegët e tyre të enjten për gjendjen në zbatimin e Marrëveshjes së Minskut për paqen në Ukrainë. Këtë e bëri të ditur në Bruksel një përfaqësues i lartë i BE. Ai pret që të dy "të japin një rekomandim të qartë" që sanksionet ekonomike kundër Rusisë të zgjaten.

Edhe e Ngarkuara me Politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini, ka njoftuar së fundi se "pret një vazhdim të gjendjes aktuale në rastin e sanksioneve". Në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, shefat e shteteve dhe të qeverive do të vendosin nëse do të zgjaten sanksionet ekonomike kundër Rusisë, të cilat skadojnë në korrik. Sipas diplomatëve, është planifikuar një zgjatje e re me gjashtë muaj, deri në janar 2018.

Dy vjet sanksione ekonomike

Për shkak të krizës në Ukrainë, Brukseli vendosi në korrik 2014 sanksione kundër Rusisë duke i zgjatur ato herë pas here. Ato drejtohen midis të tjerash kundër bankave shtetërore ruse, kundër importit dhe eksportit të pajisjeve të armatimit si dhe kundër industrisë së rëndësishme ruse të naftës dhe të gazit. Një zbutje të masave ndëshkimore, BE e bën të varur nga përparimet në zbatimin e Marrëveshjes së Minskut. Marrëveshjet e nënshkruara në kryeqytetin bjellorus parashikojnë ndër të tjera një armëpushim dhe tërheqjen e armëve të rënda nga fronti. Por para së gjithash armëpushimi është shkelur herë pas here nga të dyja palët e konfliktit.

Ndërkohë, Kremlini e kritikoi zgjerimin e sanksioneve të SHBA kundër Rusisë. Uashingtoni është i fokusuar edhe më tej në retorikën e sanksioneve, deklaroi Dmitri Peskov, zëdhënës i Presidentit Vladimir Putin. SHBA nuk tregojnë asnjë vullnet politik "për të zgjidhur problemin që kemi në Ukrainë". Prandaj Rusia i rezervon vetes të drejtën për kundërmasa, i tha Peskov, agjencisë ruse të lajmeve, Interfax.  AUD