1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mesazh greko-kroat: Qëndrim unik evropian për Kosovën

Niko Anagnosti17 Korrik 2007

Problemi i Kosovës ishte nga çështjet kryesore të axhendës së takimit midis kryeministrit grek Kostas Karamanlis dhe homologut të tij kroat, Ivo Sanader që po viziton Athinën

https://p.dw.com/p/BJ57
Kostas Karamanlis, kryeministri grekFotografi: AP Photo

Kryeministri kroat, Ivo Sanader e cilësoi problemin e Kosovës "si çështjen më thelbësore të rajonit. Ai shpalli mbështetjen e vendit të tij ndaj "zgjidhjes unike evropiane" për të theksuar shprehimisht se "historia e rajonit ka treguar se mund të kontribuojmë në zgjidhjen definitive dhe në arritjen e fqinjësisë së mirë me fqinjët tanë".

Kryeministri grek nga ana e tij, Karamanlis, duke ndarë të njëjtim mendim, sikurse tha, me mysafirin e tij, foli për nevojën e një "hapësire më të madhe iniciative dhe përgjegjësie nga ana e Brukselit", tha se nuk "duhet të na preokupojë fakti në se do të duhen disa muaj të tjerë për këtë proçedurë" dhe se zgjidhja duhet të jetë e tillë "... që asnjë vend në rajon të mos ndjehet i izoluar".

Mesazhi i përbashkët greko-kroat nga Athina "për një qëndrim unik evropian" në çështjen e Kosovës u shpreh paralelisht me nevojën për forcimin e mëtejshëm institucional dhe operativ të Proçedurës së Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në bazë të axhendës së njohur të Selanikut. "Stabiliteti politik nga njëra anë dhe zhvillimi ekonomik nga ana tjetër, ne gjithë problemet ekzistuese, krijojnë nevojën për një mjedis të ri bashkëpunimi, që do t'u lejojë vendeve të rajonit të marrin përsipër pjesë më të madhe të përgjegjësisë në menaxhimin e çështjeve që i proekupojnë" tha Karamanlis.

Kryeministri grek aktualizoi sërish idenë e "sovranitetit rajonal" që pritet të konkretizohet më tej pas vendimit të samitit të fundit të Zagrebit për ngritjen e një Këshilli për bashkëpunimin politik, me seli në Sarajevë, të cilit iu referua edhe kryeministri kroat por edhe shndërrimin e Paktit të Stabilitetit në një organizëm rajonal.

Ndërsa Sanader shprehu mbështetjen e vendit të tij ndaj ambicies së Greqisë për shndërrimin e Selanikut në qendër të zhvillimit rajonal: "Falenderoj qeverinë greke për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kroacisë në kursin e saj drejt B.E dhe NATO-s" tha Sanader.

Në kontekstin e nevojës së ngritjes së infrastrukturës rajonale përveç marrëveshjes për lidhjen direkte ajrore dhe detare midis Greqisë dhe Kroacisë të dy kryeministrat ranë dakord për përshpejtimin e ndërtimit të superstradës rrugore të Adriatikut përgjatë bregdetit grek-shqiptar dhe kroat.

Të dy kryeministrat, ai grek Karamanlis dhe ai kroat, Sanader nënshkruan një Deklaratë Miqësie, Fqinjësie të Mirë edhe Bashkëpunimi dhe ndanë të njëjtin mendim edhe për problemet e rajonit.