1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Miliardat e Kinës dhe biznesi gjerman i nivelit të mesëm

Ulrich Klaus14 Janar 2016

Tronditjet në bursa dhe të dhënat e koniunkturës nga Kina kanë sjellë shqetësime: Ekonomia kineze nuk është në ditë të mira. Por përkundër këtij trendi, koncernet gjigande ende ndodhen në ethet e blerjes në Europë.

https://p.dw.com/p/1Hccm
ChemChina Übernahme europäischer Firmen durch chinesische Staatskonzerne
Fotografi: picture-alliance/dpa/L. Shengli

Përfytyroni këtë skenar: Një investitor vjen dhe blen firmën ku ju punoni. Normalisht përhapet frika: A do të merren masa kursimi? A është vendi im i punës ende i sigurtë? Por nuk është gjithmonë kështu: Në blerjen e firmës Krauss-Maffei nga korporata shtetërore China National Chemical Corporation (Chemchina) ndërrimi i pronarit u përshëndet si nga punëtorët ashtu edhe nga sindikata. Kjo nuk të çudit kur investitori në bërjen publike të lajmit thekson shprehimisht se do të ruajë sektorët e prodhimit të Krauss-Maffei me 4.500 punëtorë. Në të njëjtën kohë krijohen vende të reja pune.

"Natyrisht është pozitive, kur punëtorët dhe sindikata IG Metall e përshëndesin" thotë Mikko Huotari nga Instituti berlinez Merics-China. Në të shkuarën blerjet e firmave dhe historia e suksesit e lidhur me këtë kanë treguar se investimet kineze janë të dëshiruara në Gjermani. Huotari është bashkëautor i studimit Merics që trajton përmasat e angazhimit ekonomik kinez në Europë.

Mikko Huotari DW TV Screenshot
Mikko Huotari nga Instituti MericsFotografi: DW

Rritje e investimeve në Europë

Sipas këtij studimi investimet kineze në Europë në vitin 2014 kanë kapur shifrën e 18 miliardë eurove, në fillim të viteve 2000 ato ishin gati zero. Pra, në 14 vjet më shumë se 1000 rikrijime firmash, fuzionim dhe blerje në vlerë prej 46 milirdë eurosh. Tek blerjet më të mëdha bën pjesë investimi i Lenovos në prodhuesin e kompjuterave Medion në vlerë prej 630 milionë euro në vitin 2011. Një shumë të përafërt pagoi edhe një prodhues makinerish, Sany në vitin 2012 për blerjen e prodhuesit të pompave të betonëve, Putzmeister. Për të blerë koncernin e logjistikës, Kion, prodhuesi kinez "Weichai Power" duhej të kishte gati 467 milionë euro.

Krauss-Mafei një kulm i përkohshëm

Me 925 milionët krenare që Chemachina paguan për Kraus-Maffei, një prodhues i makinerive speciale për përpunimin e plastikës dhe gomave, ekspansioni kinez arrin përkohësisht pikun e tij. Parimi pas këtyre blerjeve është gjithmonë i njëjti: Firmat kineze përmes marrëveshjeve të tilla arrijnë të futen në teknologjinë e lartë gjermane dhe tek emrat e njohur. Si shpërblim nga ana tjetër për gjermanët lehtësohet hyrja në tregun kinez.

Për Mikko Huotarin nga Instituti Merics investimet e shtuara kineze jashtë një trend afatgjatë për t'u larguar nga imazhi i prodhuesit të lirë dhe të mbeten konkurrues. "Ne jemi të mendimit se gjendja aktuale e vështirë në ekonominë kineze mund të çojë në një rrjedhje gjithnjë e më të madhe të kapitalit jashtë."

Übernahme europäischer Firmen durch chinesische Staatskonzerne Pirelli
Chemchina bleu firmën e njohur italiane, PirelliFotografi: picture-alliance/dpa/W. Hong

Edhe euroja e dobët i motivon kinezët për të blerë në Europë. Paratë për këtë "shopping-tour" nuk mungojnë. Që në vitin 2007 Kina krijoi një fond të fuqishëm CIC shtetëror për të zhvendosur një pjesë të rezervave të devizës brenda dhe jashtë vendit. Pekini kërkon me Shoqërinë e Investimeve të reduktojë varësinë nga obligacionet amerikane.

Blerjet si partneritet

Pas disa dështimeve kinezët kanë mësuar se blerjet më të suksesshme janë ato që funksionojnë si partneritet. Por ndërkohë qeveria kineze i verifikon me rreptësi blerjet jashtë, shkruan "Süddeutsche Zeitung". Çdo dy vite ajo publikon një tabelë me vendet ku rekomandohen blerje të mundshme dhe me kritere që investitorët duhet t'i respektojnë. Me disa përjashtime investitorët e rinj kinezë e kanë lënë në post menaxhmentin e gjetur para blerjes.

Sytë nga koncernet e mëdha

Deri më tani kinezët kanë blerë shpesh firma të nivelit të mesëm, por uria e investitorëve po drejtohet edhe nga koncernet e mëdha në Europë. Chemchina mori kontrollin vitin e shkuar tek specialisti italian i gomave, Pirellin për 7 miliardë euro. Por edhe një "deal" i jashtëzakonshëm është në përgatitje e sipër, sipas të dhënave të gazetës gjermane "Handelsblatt". Chemchina ka trokitur vitin e kaluar tek koncerni zviceran agrar Syngenta për ta blerë. Një projekt i tillë do t'i linte në hije të gjitha transaksionet e mëparshme dhe me një vëllim prej 40 miliardë dollarësh do të kthehej në "kulmin absolut" të ekspansionit kinez në Europë.