1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rregulla të reja për mbjelljen e bimëve të modifikuara gjenetikisht

aud (dpa)4 Mars 2014

Shumë konsumatorë nuk duan në fusha bimë të ndryshuara gjenetikisht. Qeveritë ndoshta do të kenë mundësinë që ta ndalojnë më lehtë mbjelljen e tyre. Ministrat e ambjentit të BE janë të hapur për plane të tilla.

https://p.dw.com/p/1BIu8
Agroscience arbeitet an Genpflanzen Gentechnik
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Vendet anëtare të BE do të kenë mundësinë, që ta ndalojnë më lehtë mbjelljen e bimëve të modifikuara gjenetikisht: shumë ministra të BE u treguan në një takim të hënën (03.03.2014) të hapur për këto plane. Bllokada mori fund, tha Komisari përgjegjës për shëndetësinë në BE, Tonio Borg pas një takimi në Bruksel.

Para katër vjetësh, zyra e tij pati prezantuar propozimet e para, por të cilat nuk gjetën mbështetje. Por edhe nëse shtetet e BE bien dakord, rregullat e reja kanë nevojë për miratimin e Parlamentit Evropian.

Ministrja gjermane e Ambjentit, Barbara Hendricks pret që shtetet anëtare të bien së shpejti dakord për rregullat e reja të lejimit. Meqenëse Britania e Madhe ka hequr dorë nga qëndrimi i saj refuzues, midis shteteve të BE pritet të gjendet një shumicë e mjaftueshme.

Propozimet parashikojnë që qeveritë të kenë mundësi ta ndalojnë më lehtë mbjelljen në vendin e tyre të bimëve të ndryshuara gjenetikisht. Nëse ekziston vullneti i mirë, shtetet anëtare mund të bien dakord për këtë deri në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në maj.
Deri tani, shtetet e BE mund ta ndalojnë mbjelljen e bimëve të ndryshuara gjenetikisht vetëm në rastet se mund ta argumentojnë këtë me rreziqe për njeriun dhe ambjentin. Por përdorimi i kësaj "klauzole mbrojtëse" nuk është fare e thjeshtë. Për këtë, qeveritë duhet të paraqesin të reja rezultate shkencore, të cilat autoriteti përkatës i BE për sigurinë e ushqimeve (EFSA) deri tani nuk i ka marrë parasysh në analiza.

Kusht për ndalime të tilla do të ishte megjithatë, që shtetet të diskutojnë në fillim të procesit me koncernet përkatëse agrare.