Ministri gjerman i Drejtësisë ngjall shpresat për lehtësime
2 Shkurt 2022Dy javë para takimit të ardhshëm midis federatës dhe landeve federale për situatën e koronës, po shtohen thirrjet për lehtësimin e kufizimeve. Ministri Federal i Drejtësisë, Marco Buschmann ka ngjallur shpresat për heqjen e shumë kufizimeve për muajin mars. "Shpresoj që shumë masa mbrojtëse të hiqen në mars”, tha politikani liberal i FDP-së për të përditshmen "Rheinische Post”. Kushti është që, siç parashikon Instituti Robert Koch, "numri i rasteve të ulet sërish nga mesi i shkurtit”. Nuk duhet të shfaqen as variante të reja të virusit pa pritur, gjë që do të ndryshonte plotësisht situatën përsëri.
I pyetur se çfarë lehtësimesh mund të bëhen aktualisht, Buschmanni tha: "Ne duhet të pyesim veten, për shembull, nëse 2G është ende i justifikueshëm në shitje me pakicë." Për shkak të vendimeve të gjykatave, ka lande federale me dhe pa këtë masë, shtoi ai. "Ne duhet të përfitojmë nga kjo situatë për të shqyrtuar seriozisht nëse ka një model të ndryshëm në incidencën e infektimeve dhe kushteve në spitale për të dyja grupet”, shtoi ai.
Nëse evolucioni i infektimeve në vendet pa rregullore 2G nuk është më i keq se në vendet e tjera, kjo ngre dyshime për përshtatshmërinë dhe domosdoshmërinë e masës. "Por nëse një masë nuk është e përshtatshme dhe e nevojshme, ajo duhet të hiqet," tha Buschmann-i.
Shefi i DKG: "Gjërat duken mirë deri tani".
Kreu i grupit parlamentar të CSU-së në Bundestag, Alexander Dobrindt, ka kërkuar në gazetën "Welt" që në shkurt të merren vendime për perspektivat e hapjes. Sipas tij, rënia e shtrimeve në spitale duhet të jetë kriter për veprimet për politikë. "Është një lutje për më shumë përgjegjësi individuale. Ne kemi ende nevojë për masa, si detyrimi për të mbajtur një maskë. Por duhet të paraqesim një perspektivë për të reduktuar gradualisht kufizimet e jetës së përditshme - në tregti, gastronomi, kulturë, sport", tha politikani i CSU-së.
Kreu i Shoqatës Gjermane të Spitaleve (DKG), Gerald Gaß, miratoi se lehtësimet po diskutohen, por paralajmëroi: "Kjo nuk do të thotë që hapjet duhet të bëhen tani." Lehtësime mund të ketë vetëm kur të kapërcehet kulmi i valës së omikronit dhe të shihet se spitalet nuk janë të mbingarkuara. "Gjërat duken mirë deri tani”, tha Gaß për "Rheinische Post”.
Federata dhe landet federale duan të diskutojnë sërish situatën e koronas më 16 shkurt. Në takimin e 24 janarit, federata dhe landet federale ranë dakord për faktin se duhet të zhvillohen perspektiva për hapje për kohën kur mund të përjashtohet një mbingarkesë e sistemit shëndetësor.
Wüst paralajmëron kundër përfundimit të masave kundër koronavirusit
Kryeministri i landit të Rinit Verior-Vestfalisë, Hendrik Wüst, e paralajmëroi qeverinë federale kundër një përfundimi të menjëhershëm të masave mbrojtëse kundër koronavirusit. "Nëse nuk vepron Bundestagu, të gjitha masat e mbrojtjes nga viruset do të skadojnë në fund të 19 marsit, më e vonta pas një zgjatjeje të vetme”, tha Wüst për rrjetin redaksionak gjerman RND, duke iu referuar kufizimit përkatës në Ligjin e Mbrojtjes nga Infektimet dhe mundësisë së zgjatjes vetëm një herë të masave vetëm për tre muaj. "Pastaj landet federale dhe bashkitë do të liheshin faktikisht pa mundësi mbrojtjeje," tha Wüst.
Kryeministri kërkoi garanci të shpejtë për mbrojtjen bazë. "Duke pasur parasysh zhvillimin e shpresuar të variantit Omikron, perspektivat për një hapje graduale janë të mundshme, por duhet të sigurohen”, tha politikani i CDU. Më shumë vaksinime dhe mbrojtje e qëndrueshme bazë janë garancitë e nevojshme për të ecur drejt normalitetit më të madh. Kjo është arsyeja pse nuk duhet të ketë "fund absolut për të gjitha masat mbrojtëse".
Nuk është veprim i përgjegjshëm të japësh sinjalin, në një kohë kur numri i infektimeve është në maksimum, se mbajtja e distancës, konceptet e higjienës dhe detyrimi për të mbajtur maskë nuk do të luajnë më rol pas disa javësh. Qeveria federale duhet të paraqesë një propozim sa më shpejt të jetë e mundur, tha kryeministri i landit të Rinit Verior-Vestfalisë.
aud (dpa, tgsch)