Ministri i Ekonomisë Habeck në një mision delikat në Kinë
19 Qershor 2024Në udhëtimin e tij pesëditor, ministri gjerman i Ekonomisë dhe Klimës Robert Habeck dëshiron të flasë për tregtinë, mbrojtjen e klimës dhe politikën e energjisë, fillimisht në Korenë e Jugut dhe më pas në Kinë. Zëvendëskancelari gjerman të enjten në Seul do të takohet me kryeministrin dhe ministrin e Tregtisë së Koresë së Jugut, ndërsa të shtunën në Pekin do të zhvillojë bisedime me zyrtarë të lartë politikë të Qeverisë.
Habeck dëshiron të shpjegojë strategjinë e reduktimit të rrezikut të Gjermanisë në marrëdhëniet e saj me Kinën. Nga njëra anë, bizneset gjermane në Kinë do të lulëzojnë, ndërsa, nga ana tjetër, Gjermania dëshiron të diversifikojë zinxhirët e saj të furnizimit dhe të zvogëlojë varësinë e saj nga Kina në zona kritike.
Habeck do të marrë pjesë gjithashtu në takimin e parë të Dialogut Sino-Gjerman mbi Klimën dhe Transformimin. Në Shangai, ministri do të vizitojë qendrën kërkimore të BMW-së, në Hangzhou do të zhvillojë bisedime me studentë kinezë, si dhe një vizitë në gjigantin e e-commerce Alibaba është gjithashtu në agjende.
Çështja e diskutueshme e tarifave për automobilët elektrikë
Me tensionet tregtare midis Bashkimit Evropian dhe Kinës në rritje, vëmendja e publikut është përqendruar në pjesën kineze të udhëtimit të tij. Një javë më parë, BE njoftoi rritje të tarifave deri në 38% për makinat elektrike kineze, duke përmendur subvencionet e padrejta. Të hënën, Ministria Kineze e Tregtisë njoftoi se do të hapte një hetim antidumping për mishin e derrit të importuar nga BE.
Ministri gjerman i Ekonomisë dhe industria gjermane e makinave kundërshtojnë tarifat ndëshkuese dhe i frikësohen hakmarrjes kineze ndaj prodhuesve gjermanë të makinave në Kinë. Vetëm Volkswagen shiti 3.2 milionë makina në Mbretërinë e Mesit vitin e kaluar.
Habeck nuk do të negociojë për tarifat në Kinë, e bëri të qartë zëdhënësi i tij Gabriel Haufe përpara udhëtimit. Megjithatë, ministri do të këmbëngulë që kushtet e konkurrencës ndërkombëtare në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) "të jenë në qendër të vëmendjes për Gjermaninë". Gjetja e një "zgjidhjeje në përputhje me OBT-në" është detyrë e Komisionit Evropian, shpjegoi Haufe.
Kina, konkurrentja e fuqishme
Para ardhjes së Habeck-ut, pala kineze zbuloi pritshmëritë e saj. "Mund të shpresohet që Habecku të gjejë zgjidhje të përshtatshme në bisedimet me nikoqirët e tij kinezë përpara se rritja e tarifave të hyjë në fuqi më 4 korrik," shkruante gazeta China Daily, zëdhënësja në gjuhën angleze e Partisë Komuniste.
Nga ana e saj, gazeta shtetërore Global Times citoi Cui Hongjian, një profesor në Universitetin e Studimeve të Huaja të Pekinit, i cili deklaroi se vizita ishte një mundësi për qeverinë gjermane që të kërkonte bashkëpunim dypalësh në vend të konfrontimit.
Nga ana e saj, Federata Gjermane e Ndërtimit të Makinerive e Pajiskebe (VDMA) i kërkoi Habeck-ut të adresonte problemin e mbikapacitetit në Kinë. Në disa segmente, si te makineritë e ndërtimit, ai ka shkaktuar deformime të konsiderueshme të tregut në Evropë, sipas kreut të departamentit të VDMA, Ulrich Ackermann. "Ekziston rreziku që ky fenomen të vërehet edhe në sektorë të tjerë të industrisë së ndërtimit të makinave në të ardhmen e afërt," paralajmëroi Ackermann.
Shqyrtime të diskutueshme të investimeve
Nga një këndvështrim kinez, Habeck-u ka të ngjarë të shtrojë pyetje në lidhje me ligjin e planifikuar të kontrollit të investimeve. Ky ligj synon të vështirësojë hyrjen e firmave kineze te firmat gjerman. Një rast aktual është vetoja e mundshme e shitjes së biznesit të turbinave me gaz të MAN Energy Solutions, një filial i VW, sepse blerësi i mundshëm kinez është i lidhur ngushtë me industrinë ushtarake kineze.
Habeck-u po studion gjithashtu mundësinë e shqyrtimit të investimeve të kompanive gjermane në Kinë. Qeveria e Uashingtonit tashmë po përgatit një ligj përkatës për kompanitë amerikane. Ministri i Ekonomisë prej kohësh është i shqetësuar që ekspertiza gjermane po emigron në Kinë. Megjithatë, kancelari Scholz dhe ministri i Financave Lindner nuk u kushtojnë shumë rëndësi këtyre kontrolleve. Sipas të dhënave nga Bundesbank-a, kompanitë gjermane investuan vitin e kaluar një rekord prej 11.5 miliardë eurosh.
Sipas Noah Barkin, Senior Fellow i Programit Indo-Paqësor në fondin gjerman Marshall në Berlin, Ministria e Çështjeve Ekonomike pjesërisht shqyrtoi edhe anulimin e udhëtimit në Kinë, sepse Pekini nuk kishte ofruar angazhime përfundimtare për partnerë bisedimesh për javë të tëra. Sfondi është qëndrimi kritik ndaj Kinës i Habeck-ut dhe koleges së tij partiake, ministres së Jashtme Annalena Baerbock.
Për shkak të zvarritjes, Habecku niset tre ditë më vonë se sa ishte planifikuar dhe udhëton fillimisht në Korenë e Jugut në vend të Kinës. Udhëtimi do t'i japë Habeck-ut "mundësinë për të përcjellë mesazhet e vështira që kancelari Scholz nuk mundi të përcillte në udhëtimin e tij në prill," tha Barkin.