Lavrovi konfirmon dëbimin e diplomatëve britanikë
16 Mars 2018Pasi kryeministrja britanike Theresa May bëri të ditur të mërkurën se 23 diplomatë rusë duhet të largohen nga vendi, ishte e qartë se qeveria ruse nuk do t'i vështronte duarlidhur zhvillimet. Të enjten, Kremlini bëri të ditur përmes një zëdhënësi masa shpaguese. Pozicioni i Londrës është "fund e krye i papërgjegjshëm", u bë e ditur. Presidenti rus Vladimir Putin do të marrë një vendim, i cili në çdo drejtim "mban parasysh interesat ruse".
Ky vendim tani ndodhet zyrtarisht në tryezë. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov bëri të ditur përballë agjencisë së lajmeve TASS se do të dëbohen diplomatë britanikë. Në këtë kuadër ai nuk përmendi as një shifër të caktuar dhe as momentin kur do të bëhet kjo.
Alexander Yakovenko, ambasadori i Rusisë në Britaninë e Madhe e dënoi në një intervistë televizive dëbimin e diplomatëve rusë. Në këtë mënyrë ai ka 40 përqind personel më pak, gjë që e cënon seriozisht punën e ambasadës.
Detaje të reja për atentatin me helm
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e paralajmëroi ndërkohë Rusinë se aleanca ushtarake është e gatshme për mbrojtjen e të gjithë anëtarëve të saj. Moska e fshin në mënyra të shumëllojshme "kufirin midis paqes, krizës dhe luftës", tha ai në Bruksel dhe shtoi se "Britania e Madhe nuk është e vetme".
Helmin nervor që u përdor për atentatin me gjasë e kanë fshehur në valixhen e së bijës së ish-agjentit. Këtë e besojnë shërbimet e fshehta, bëri të ditur gazeta britanike "The Daily Telegraph". Substanca tepër e rrezikshme Noviçok u depozitua fshehtas në valixhen e Julia Skripalit gjatë një qendrimi të saj në Moskë - në një rrobë veshjeje, në një produkt kozmetik ose në një dhuratë.
Kur pas kësaj ajo vizitoi të atin në Britaninë e Madhe, sipas raportit ajo e ka çliruar pa dije helmin.
Një burim të qartë gazeta nuk përmendi. Babai (66 vjeç) dhe e bija (33 vjeç) u zbuluan dy javë më parë pa ndjenja në bankën e një parku në qytetin e vogël të Anglisë Jugore Salisbury. Ata edhe më tej ndodhen në gjendje kritike për jetën.