"Ministrja e Jashtme" e BE-së ende nuk dihet
18 Korrik 2014Karuseli i personelit në Bruksel vazhdon të rrotullohet. Pasi zgjedhjes së Presidentit të Komisionit të BE, Zhan-Klod Junker, tani e ka radhën pasardhësi i Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Catherine Ashton. E rëndësishme është që personi që do të zërë këtë post të përbëjë një përzierje të ekuilibruar mes vendeve të BE-së, gjinisë dhe partive.
Aktualisht ka disa kandidatë për postin e Ashton. P.sh. bullgarja Kristalina Georgieva, e cila ishte së fundit Komisionere për Çështjet Humanitare dhe favorizohet nga Zhan-Klod Junker. Ose ministrja e Jashtme e Italisë, Federica Mogherini, e cila konsiderohet si pa përvojë në politikën e jashtme dhe sipas shumë vendeve të Evropës Lindore ka qëndrim miqësor ndaj Rusisë. Apo ministri i Jashtëm polak Radislav Sikorski, i cili është objekt kritike për shkak të një skandali përgjimi dhe që për disa shtete është më shumë se sa duhet kritik ndaj Rusisë. Kështu pra përcaktimi i pasuesit apo pasueses të Catherine Ashton nuk do të jetë i lehtë.
Pavarësisht se kush - cilat janë detyrat e këtij posti?
Përfaqësuesja e Lartë kombinon disa poste të larta në një person: Ajo e merr përsipër presidencën e 28 ministrave të Jashtëm të BE-së, pra Kryesinë e Këshillit të Punëve të Jashtme, dhe është edhe nënkryetare e Bashkimit Evropian. Ajo gjithashtu merr pjesë në takimin e Këshillit Evropian. Qëllimi i këtij posti është në të vërtetë formësimi më konsekuent i politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe përfaqësimi në botën e jashtme i BE-së, prandaj edhe quhet dhe "ministër i Jashtëm i BE-së".
Gjatë krizave dhe konflikteve të kaluara BE-ja është kritikuar ashpër me fjalët se politika e jashtme e Bashkimit Evropian po humbet peshë. Por 28 shtetet anëtare vështirë se pranojnë t'u ndërhyjë njeri në interesat e vendit të tyre kundrejt vendeve të tjera jashtë BE-së. Vërtetë detyrë e përfaqësuesit të Lartë është që të koordinojë politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe të përfaqësojë ndërkombëtarisht qëndrimin e përbashkët të vendeve të BE. Por këtë rol tradicional ndërmjetësuesi vendet e BE nuk lënë t'ua marrin nga dora, edhe pse ndikimi i shteteve më të vogla në një botë të globalizuar vazhdon të bjerë dhe ato rrallë i dëgjon kush.
"Ministre e jashtme" me votim të detyrueshëm
Deri tani Përfaqësuesja e Lartë nuk mund të merrte vetëm vendime, por ishte e lidhur me mandatet e Këshillit Evropian. Nëse mes tyre ka mosmarrëveshje, atëherë ajo vetëm mund të marrë një rol ndërmjetësues, në mënyrë që të arrihet një pozicion i përbashkët.
Përgjegjësitë e tjera përfshijnë koordinimin e instrumenteve të tjera të politikës së jashtme në fushat e zhvillimit, ndihmës humanitare dhe reagimin ndaj krizave. Këtu Përfaqësuesja e Lartë e Shërbimit të Jashtëm Evropian (EEAS) gjen mbështeje. Këtu ajo ndihmohet nga Zyra Evropiane për Punë të Jashtme. Selia e "Ministrisë së Punëve të Jashtme të BE-së" është në Bruksel dhe ka ambasada në të gjithë botën.