1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
TurizëmShqipëri

Mirela Kumbaro: Objektivi ynë është turizmi elitar

8 Mars 2024

Në një intervistë me DW, zhvilluar në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin (ITB), ministrja e Turizmit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro shpjegon strategjinë e përballjes me numrin e shtuar të turistëve.

https://p.dw.com/p/4dGGK
Ujë smerald, zhavor i imët, dhe një kodrinë.
Riviera shqiptare, plazhi i Gjipesë, në afërsi të Himarës, është një nga plazhet e virgjra të ShqipërisëFotografi: Peter Schickert/picture alliance

Deutsche Welle: Zonja Kumbaro, ju jeni në Panairin Ndërkombëtar të TurizmitBerlinit (ITB) me sloganin "Albania, all senses”. Cili është mesazhi i Shqipërisë turistike? 

Mirela Kumbaro: Është një hyrje në një vit, që duket se do të jetë fantastik per turizmin, jo vetëm në shifra, por edhe në ofertën e diversifikuar, në mundësitë e jashtëzakonshme që jep Shqipëria, një vend kaq i vogël, për të krijuar shumë shije dhe shumë ndjesi. Shqipëria ndodhet midis gjigantësh të turizmit, dhe duhet të qaset si një vend që ofron një përvojë unike, ku për dy orë mund të arrish një distancë nga maja e një mali me dëborë në një nga plazhet më të mrekullueshme, e ku të pret bujaria shqiptare, që shprehet që nga fshati më i vogël e deri në kryeqytet. Bashkëjetesa fetare, kuzhina, muzika, kostumet, sportet e natyrës, bujtinat e agroturizmit janë të gjitha ndjesi që një turist mund t’i provojë duke ardhur në Shqipëri.

Një grua me xhaketë bojëqielli, dhe bluzë të bardhë, me flokë të gjata, bjonde, para një ekrani gjigant me pamje nga riviera shqiptare duke folur në intervistë për DW.
Gjermani, Berlin - Ministrja shqiptare e Turizmit, Mirela Kumbaro flet në intervistë me DW për strategjinë e turizmitFotografi: Anila Shuka/DW

Ju po përjetoni një rritje shumë të shpejtë të turizmit. Cili është raporti që synoni ju mes turizmit individual dhe turizmit masiv?

Mirela Kumbaro: Vitin e kaluar kemi pasur 10,1 milionë turistë. Për këtë vit operatorët llogarisin një rritje prej gati 40 përqind. Nuk është një rritje që më ngazëllen. Sfida jonë është që të ruajmë cilësinë dhe të plotësojmë pritmëritë e vizitorëve. Prandaj edhe në strategjinë e turizmit që po hartojmë tani, kemi vënë si synim që Shqipëria të mos jetë Shqipëria e turizmit masiv, ku dynden miliona. Objektivi ynë për vitin 2030 është turizmi elitar. E rëndësishme është që këta turistë që vijnë, pavarësisht sa janë, të ikin të kënaqur dhe të jenë të gatshëm të paguajnë më shumë.​​

Nga ana tjetër, ofertat e banimit në bregdet po rriten me shumë shpejtësi, sa të krijohet përshtypja se ato pjesë të gjelbëruara që kanë mbetur, i sheh për herë të fundit…

Mirela Kumbaro: Kjo ndodh sepse ju kaloni në një segment shumë të ngushtë. Për fat të keq, Shqipëria e ka pasur të ngulur klishenë turistike në shumë pak destinacione. Shqipëria ka 450 kilometra vijë bregdetare dhe do t'ju sugjeroja ta bënit për të zbuluar pejsazhe fantastike të virgjëra. Një pjesë e tyre nuk janë mbase të aksesueshme nga rruga nacionale drejtpërsëdrejti, dhe prandaj planet infrastrukturore janë për të krijuar akse të kalueshme, atje ku është e mundur pa dëmtuar natyrën dhe akse miqësore me mjedisin për ta kthyer edhe natyrën në një atraksion turistik, por në mënyrë të qendrueshme.

Kjo do ta shtojë numrin e turistëve, ndërkohë që biznesi ankohet për mungesën e forcës së punës. Si po përpiqeni ju ta përballoni këtë sfidë?

Mirela Kumbaro: Mungesa e burimeve njerëzore është krijuar pas pandemisë, kur forca punëtore që punonte në turizëm devijoi në fushë të tjera. Vetëm në katër pesë vitet e fundit janë bërë investime në sektorin privat dhe ne jemi në diskutime me vende nga Azia, si Indonezia, Tajlanda, Filipinet, për të lehtësuar ardhjen e forcës punëtore nga këto vende duke ulur pengesat burokratike. Pjesën tjetër e rregullon tregu i lirë. 

Në vitin 2025 Shqipëria do të jetë vend nderi në Panarin e Berlinit. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Mirela Kumbaro: Objektivi ynë është që viti turistik 2024 të jetë i suksesshëm. Në vitin 2025 do të jetë një sfidë shumë e madhe, do të prezantohen të gjitha bashkitë e Shqipërisë. Do të duhet të jemi në nivel të lartë, dhe do të jemi, qoftë në aspektin kulturor, qoftë me të dhënat e biznesit për të bërë turizëm në Shqipëri. Kemi edhe një event tjetër që i paraprin, në prill të këtij viti, ne do të kemi në Tiranë, për të parën herë mbledhjen e komisionit për Europën, të organizatës botërore të turizmit, si edhe pjesëmarrjen e ministrave të turizmit të të gjithë vendeve të Europës si edhe Forumin e lartë për investime të qendrueshme në turizëm.