1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mjaltë dhe sheqer : Takimi Bush-Schrëder; Të gjelbrit i kërkojnë llogari Joshka Fisherit për skandalin e vizave; Përshtjellime në realizimin e reformave për tregun e punës në Gjermani

Pandeli Pani23 Shkurt 2005
https://p.dw.com/p/ArwY
Fotografi: AP

Mediat e sotme gjermane dominohen prej informacioneve dhe komenteve rreth vizitës së presidentit amerikan Xhorxh W. Bush në Mainz dhe takimeve të tij me politikanët gjermanë. Pas takimit me kancelarin gjerman, Gerhard Shrëder, duket se mosmarrëveshjet e dy politikanëve rreth politikës ndaj Irakut kanë marrë fund. Afrimi dhe kooperimi, janë tani dy temat qëndrore të politikës ndërkombëtare.

Në lidhje me vizitën e Bushit në Gjermani në gazetën "Handelsblatt" që botohet në Düsseldorf lexojmë:

"Nuk duhet që të minimizohet vizita e presidentit amerikan si dhe fjalët dhe gjestet e tij të pajtimit. E rëndësishme është edhe se Shrëderi i hodhi poshtë dyshimet, se po mundohej të fitonte sërish pikë në politikën e brendshme, përmes parrullave antiamerikane. E rëndësishme ishte edhe pranimi disa herë prej Bushit, se SHBA nuk do të kishin arritur ta fitonin mbështetjen e Evropës pa ndihmën gjermane. Vendimtar është fakti se të dyja qeveritë po punojnë në të njejtin drejtim në disa pika të rëndësishme. Në rast se falë angazhimit të fortë të amerikanëve në Lindjen e Mesme do t'i afrohemi një hap më tej paqes, atëhere fituese kanë dalë të dyja palët. Në një rast të tillë do të zgjidheshin edhe më thjeshtë mbi bazën e besimit reciprok çështje të tilla të diskutueshme si Irani apo pranimi prej amerikanëve i Gjykatës Penale Ndërkombëtare."

Kurse në gazetën "Die Zeit" lexojmë:

"Duket se presideti amerikan ka hequr dorë prej strategjisë së tij të "Evropës së vjetër" dhe "Evropës së re", pra prej diplomacisë së tipit përça dhe sundo. Ai po thur lavde për një "Evropë të fortë" dhe për miqësinë e pathyeshme nga të dyja anët e Atlantikut. "S'ka forcë në botë që të na ndajë!" - tha Bushi. Të tilla fjalë s'ishin dëgjuar katër vitet e fundit. Në vend të tyre nga ana tjetër e oqeanit qarkullnte parrula e "koalicionit të dëshirmëdhejve". Po ashtu as Ronald Regani, as Bushi i vjetër dhe as Bill Clintoni, nuk i bënë ndonjëherë reverenca Këshillit të BE-së, sikurse bëri tani presidenti amerikan. Kjo tregon se që nga presidenti e deri tek dhomat e fundit të Shtëpisë së Bardhë është rikthyer mendja e kthjellët."

Në qendër të vëmendjes së shtypit gjerman vazhdon të jetë edhe skandali i vizave të lëshuara nga ambasadat gjermane, sepse duket se humbjet e partisë socialdemokrate në zgjedhjet e parlamenteve të landeve, kanë të bëjnë edhe me këtë gjë. Për këtë pas përfundimit jo fort të këndshëm të zgjedhjeve në landin Schleswig-Holstein, përfaqësuesit e kësaj partie për landin Nordrhein-Westfalen kërkojnë prej ministrit Joshka Fisher, që të japë sqarime të qarta në lidhje me aferën e vizave në kongresin e kësaj partie që do të zhvillohet të shtunën në Këln. Në gazetën "Westdeutsche Allgemeine Zeitung" që botohet në Essen lexojmë se: "Deputetët e partisë ekologjike për landin NRW e konsiderojnë sjelljen e deritanishme të Fisherit në lidhje me sqarimin e kësaj çështjeje si një katastrofë. Ata kërkojnë prej Fisherit që të kalojë në ofensivë për zbardhjen e çështjes, dhe të mos tregojë më me gisht në drejtim të paraardhësve të tij në post, sepse kjo lidhet me besueshmërinë e partisë. Politikanët e partisë ekologjike mendojnë se diskutimet për aferën e vizave do të vazhdojnë deri në muajin maj, kur zhvillohen zgjedhjet për parlamentin e landit NRW, gjë që mund t'u kushtojë ekologjistëve humbjen e pushtetit."

Temë tjetër që preokupon mediat gjermane është çështja e reformës së sistemit të asistencës sociale në rast papunësie, e ashtuquajtura reformë Hartz IV. Në lidhje me këtë në gazetën "Offenbacher Post" lexojmë:

"Nga frika se fillimi i këtij projekti do të shndërrohet në një dizastër, zyrat e punës dhe komunat e kanë përqëndruar vëmendjen tek pagimi pa pengesa i asistencave sociale që duheshin bërë që prej datës 1. janar. Ato thonë se nuk kishin pasur kohë dhe personel të mjaftueshëm për të verifikuar se cili prej të papunëve është në gjendje të punojë dhe cili jo. Do të ishte keq në rast se komunat e kanë shfrytëzuar një rast të tillë edhe për shkak të mbingarkesës edhe sepse donin në një farë mënyre vetë. Në interes të statistikave të sakta për të papunët, por në radhë të parë edhe për të mbrojtur dinjitetin e të prekurve, do të duhej që rastet konkrete të identifikoheshin dhe në raste të caktuara edhe të prapsoheshin."

Po për të njëjtën temë në gazetën "Badische Zeitung" lexojmë:

"Ministri Clement është mjaft i shqetësuar, sepse sukseset që mund të arrihen përmes reformës Hartz IV mund të mbyten prej burokracisë dhe pështjellimit se cili e ka në dorë kompetencën për zbatimin e tyre. Ministri është nervoz, sepse ai e ka lidhur fatin e karrierës së tij të mëtejshme me suksesin apo dështimin e kësaj reforme. Nga ana tjetër kjo tregon se sa janë komplikuar deri në një gjendje të pashërueshme detyrat në sistemin federal gjerman. Në vend që të bëhen të qarta përgjegjësitë gjithkush synon të sigurojë privilegjet e veta në kurriz të të tjerëve. Prej kësaj shteti paralizon vetveten. Pak para Krishtlindjeve dështoi edhe një përpjekje për ta ndryshuar këtë gjendje."