EU Elektromobilität
30 Prill 2010Me nxitjen e prodhimit të të ashtuquajturave automjete ekologjike Komisioni Evropian dëshiron që me një goditje të vrasë dy zogj. Ajo planifikon të pakësojë lirimin e gazrave të dëmshme dhe t'i japë hov të ri industrisë evropiane të automjeteve. Komisari për Industrinë Antonio Tajani theksoi se Komisioni është teknikisht neutral në lidhje me automjetet ekologjike. Disa vende anëtare të BE-së angazhohen para së gjithash për automjetet elektrike, por Komisioni angazhohet për zhvillimin e mëtejshëm të të gjitha teknologjive të makinave, edhe të atyre tradicionale.
"Strategjia për të ardhmen e automjeteve ka dy shtylla. Shtylla e parë ka të bëjë me automjetet me të ashtuquajtur motorë të nxehtë, nga të cilët ne duam që të lirohen gjithnjë e më pak gazra të dëmshme. Shtylla e dytë, e cila gjatë viteve të ardhshme do të jetë gjithnjë e më e rëndësishme, ka të bëjë me motorët, të cilët si lëndë djegëse nuk kanë as benzinën e as naftën."
Nö fokus makinat elektrike
Eshtë fjala për makinat elektrike, por edhe për makinat me hidrogjen, biogaz, apo biokarburante të lëngshme dhe tekonologjinë hibride. Pastaj sipas Tajanit tregu duhet të zgjedhë vetë se çfarë do të mbizotërojë. Komisioni do të mbështesë hulumtimet e të gjitha teknologjive premtuese. Megjithatë në fokus aktualisht në mbarë botën janë makinat elektrike. Dhe në këtë mes Komisioni e sheh rolin e vet para së gjithash në standardizimin për shembull të baterive, respektimin e standardeve të sigurisë dhe nxitjen e krijimit të një infrastrukture mundësisht të përgjithshme evropiane, thotë Tajani.
"Nëse udhëtoni me një makinë elektrike nga Brukseli në Luksemburg, atëherë duhet të keni mundësinë e mbushjes së baterisë si në Belgjikë, ashtu dhe në Luksemburg. Dhe nëse udhëtoni për në Straßburg, duhet të keni mundësinë e mbushjes të baterisë edhe në Francë. Kështu që ne duhet të merremi me problemin e standartizimit. Tema e standartizimit do të jetë në të ardhmen pika qendrore për aftësinë tonë konkuruese."
Sipas Tajanit Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina po subvencionojnë ndërkohë me miliarda zhvillimin e automjeteve elektrike. Tani me rëndësi është se kush do të sigurojë rolin prijës në botë në këtë fushë. Ministrat e ekonomisë së BE-së do të vendosin për miratimin e strategjisë në muajin maj. Por fillimisht në vitin 2011 Komisioni planifikon prezantimin e një plani për rrjetin e pikave për mbushjen e baterive dhe pikave alternative të karburanteve. Shumë shoqata për mbrojtjen e ambientit e shohin me skepticizëm këtë strategji. Ato kritikojnë se Komisioni po injoron çështjen se prej nga do të sigurohet energjia shtesë për makinat.
Autor: Christoph Hasselbach/Esat Ahmeti
Redaktoi: Angjelina Verbica