Mogherini: Lajme të mira nga Prishtina
21 Mars 2018Pas miratimit me 80 vota të marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi të mërkurën në mbrëmje (21-03) në Kuvendin e Kosovës e pas një maratone seancash, ka reaguar edhe e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini. Ajo ka përshëndetur ratifikimin duke shkruar në twitter: Lajme të mira nga Prishtina, Kosova po bëhet gati që qytetarët e saj të udhëtojnë drejt Europës pa viza.
Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit, një proces që zgjati tre vjet dhe u shoqërua me konflikte të shumta ishte një kusht i BE-së që duhej plotësuar para liberalizimit të vizave. Në qershor Kosova pret që Komisioni Europian të japë rekomandimin për lëvizjen e lirë e pa viza të qytetarëve të Kosovës në vendet e Shengenit. Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka arritur ende liberalizimin e vizave.