1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moldavi: Ndryshimi i qeverisë dhe rreziku nga Rusia

Vitalie Calugareanu | Robert Schwartz
11 Shkurt 2023

Kryeministrja pro-evropiane moldave Natalia Gavrilita dhe qeveria e saj dhanë dorëheqjen. Kreu i ri i qeverisë do të jetë ish-këshilltari i sigurisë në zyrën presidenciale, Dorin Recean.

https://p.dw.com/p/4NLyU
Statuja e Stefanit të Madh në Kishinau
Statuja e Stefanit të Madh në KishinauFotografi: Elena Covalenco

"Republika e Moldavisë po hyn tani në një fazë, në të cilën siguria ka përparësi" - me këtë fjali njoftoi dorëheqjen e saj dhe të gjithë qeverisë përpara përfaqësuesve të shtypit në Kishinau kryeministrja moldave Natalia Gavrilita. Presidentja, Maia Sandu, e pranoi dorëheqjen. Ajo e falënderoi Gavrilitën për "punën e përkushtuar" të kabinetit: "Megjithë sfidat e paprecedentë, vendi u qeveris me përgjegjësi dhe me shumë kujdes. Ne kemi stabilitet, paqe dhe zhvillim atje ku të tjerët donin luftë dhe falimentim", tha Sandu.

Ish-kryeministrja moldave Natalia Gavrilita
Ish-kryeministrja moldave Natalia GavrilitaFotografi: Elena Covalenco /DW

Sipas dëshirës së presidentes, kreu i ri i qeverisë pritet të jetë këshilltari i saj i deritanishëm për sigurinë, Dorin Recean. Konfirmimi i tij në detyrë duhet të jetë thjesht një formalitet - partia në pushtet "Veprim dhe Solidaritet" (PAS) ka një shumicë komode në parlament (63 nga 101 vende). 48-vjeçari Recean ka qenë më parë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Sigurisë të Moldavisë.

Dorin Recean
Dorin ReceanFotografi: Elena Covalenco

Vëzhguesit e prisnin ndryshimin në krye të qeverisë moldave që në tetor të vitit të kaluar. Arsyeja në atë kohë ishte mungesa e vullnetit për reforma nga ana e disa ministrave. Tani duket se është shtuar edhe kërcënimi në rritje nga Rusia.

Sërish një raketë ruse mbi Moldavi

Zëvendësimi i qeverisë vjen në një moment kritik. Të premten në mëngjes (10.02.2023) në hapësirën ajrore të Republikës së Moldavisë depërtoi përsëri një raketë ruse. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Kishinau, raketa fluturoi mbi rajonin separatist të Transnistrisë dhe më pas mbi Moldavinë verilindore në drejtim të Ukrainës. Incidente të ngjashme kanë ndodhur disa herë muajt e fundit. Pas incidentit të fundit ambasadori rus në Kishinau, Oleg Vasnetsov, u thirr sërish në Ministrinë e Jashtme të Moldavisë.

Presidentja moldave Maia Sandu
Presidentja moldave Maia SanduFotografi: Dursun Aydemir/AA/picture alliance

Një njoftim për shtyp Ministria e Punëve të Jashtme të Moldavisë deklaroi se sulmet me raketa në Ukrainë kanë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ mbi qytetarët e Moldavisë. "I bëjmë thirrje Federatës Ruse të ndalojë agresionin ushtarak kundër vendit fqinj, i cili po shkakton shumë vdekje dhe shkatërrime materiale." thuhet në deklaratë.

Për shkak të kërcënimit nga Moska, Kishinau ka kohë që kërkon nga partnerët perëndimorë sisteme moderne armësh
Për shkak të kërcënimit nga Moska, Kishinau ka kohë që kërkon nga partnerët perëndimorë sisteme moderne armëshFotografi: Elena Covalenco

Për shkak të kërcënimit në rritje, Kishinau kërkon prej disa kohësh nga partnerët e tij perëndimorë sisteme moderne për mbrojtjen ndaj raketave. "Rreziku i një fluturimi të paligjshëm mbi hapësirën tonë ajrore nga raketat e lëshuara nga rusët vazhdon të mbetet. Kjo do të thotë që ne duhet të jemi vigjilentë në çdo kohë," tha ministrja e Brendshme e Moldavisë, Ana Revenco në një intervistë televizive një natë para incidentit.