Moldavi: Një manovër dhe dëmi kolateral
7 Maj 2016Nuk është hera e parë, që ushtria e SHBA-së merr pjesë në stërvitje ushtarake në ish-Republikën sovjetike të Moldavisë. E megjithatë kësaj here po shtohen emocionet prej kalimit të kufirit rumuno-moldav mes përmes fshtarave e qyteteve të rreth 200 ushtarëve amerikanë dhe duzina automjeteve të blinduara. "Mua më bën përshtypje, të shoh këto automjete këtu", thotë Veaceslav nga Negresti. Ai bashkë me shokë të tjerë kanë dalë në anë të rrugës dhe përshëndesin ushtarët nga SHBA-ja. "Unë ndihem sikur më në fund tek ne po vijnë çliruesit", thotë ai.
"Ç'punë kanë amerikanët këtu? Ne jemi një shtet neutral", thotë në të kundërt Gennadij, një punëtor nga qyteti Balti. "Përse e provokojnë ata Rusinë? A nuk e shohin ata, se çfarë po ndodh në Ukrainë?" Pensionistja Evdochia mendon ngjashëm: "NATO është tani këtu dhe sjell luftë", thotë ajo. Kur në kufirin me Rumaninë ishin ende telat me gjemba, nuk kalonte asnjë tank përmes vendit.
Një vend i përçarë
Mendime të ndryshme në popullsi, pozicione të ndryshme edhe në politikë. Kryesisht që pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe luftës në Lindje të Ukrainës qeveria pro-europiane në Kishinau përpiqet që ta afrojë më shumë vendin me Perëndimin, stërvitjet e përbashkëta ushtarake me SHBA-në janë një hap në këtë drejtim. Opozita pro-ruse përpiqet me të gjitha mjetet, që ta pengojë këtë kurs dhe aktuliasht ajo ndihet e mbështetur. Sivjet zhvillohen zgjedhjet presidenciale dhe kandidati i saj Igor Dodon sipas anketimeve kryeson në vend të parë. Manovra aktuale është për shefin e partisë socialdemokrate pro-ruse një rast i mirë, që ai ta paraqesë veten si luftarak: ata bëjnë fjalë për një "invazion amerikan" dhe pretendojnë, se prania e ushtrisë së SHBA-së cënon neutralitetin e Moldavisë.
Aksione simbolike
Edhe në fillim të majit socialdemokratët e bënë të qartë qendrimin e tyre, kur në kufi organizuan një aksion proteste "kundër inavzionit" të amerikanëve. Kur mbërritën tanket e para të SHBA-së në kalimin kufitar të Moldavisë në Sculeni u pritën nga njëra anë nga të rinj me pankarta në duar, në të cilat shkruhej: "NATO dhe Europa shpëtojnë Moldavinë". Njëkohësisht autokolonës ushtarake amerikane iu desh të presë. Deputetë socialistë e bllokuan për një orë resht kalimin e automjeteve. Në gjoks ata mbanin shiritin e Shën Gjergjit - një simbol i vjetër i ushtrisë ruse e më pas edhe asaj sovjetike. Me këtë simbol ata u kërkonin dokumentat ushtarëve amerikanë. Dodon fotografitë e këtij të ashtuquajturi "kontroll" i postoi për efekt mediatik në faqen e tij në Facebook.
Qeveria pro-europiane në Kishinau ndodhet nën presion. Ministri i mbrojtjes Anatol Salaru deklaron, se stërvitjet e përbashkëta ushtarake janë pjesë e bashkëpunimit normal bilateral dhe nuk e cënojnë neutralitetin e Moldavisë. Një shtet i vetëm e kërcënon neutralitetin, kundërshton ai, pa e përmendur emrin e këtij vendi. "Ky shtet ka dislokuar trupat e veta pushtuese në Transnistri" - duke nënkuptuar me këtë praninë e rreth 2.000 ushtarëve rusë në rajonin separatist Transinstri, që juridikisht i përket Moldavisë, por që ka shpallur pavarësinë. Moska në vitin 1999 përmes një marrëveshjeje u zotua për tërheqjen nga rajoni, por megjithatë trupat janë të pranishme edhe sot e për shkak të manovrës aktuale ato do të mobilizohen në gjendje gatishmërie.
Histori e harruar
Këmbanat e alarmit ndërkohë po bien edhe tek policia moldave. Më 9 maj në Kishinau do të kremtohet si dita e Europës, ashtu edhe dita e fitores së ushtrisë sovjetike ndaj fashizmit. Eshtë planifikuar edhe një ekspozitë ushtarake, në të cilën krahas ushtrisë moldave do të prezantohen edhe armatimet e rënda të sapo sjella në vend prej SHBA-së.
Kreu i socialistëve Dodon pikërisht për këtë arsye ka bërë thirrje për aksione proteste në Kishinau kundër pranisë së amerikanëve në ditën e fitores. Kjo e ka indinjuar mjaft ambasadorin e SHBA-së në Moldavi, James Pettit, i cili menjëherë tërhoqi vëmendjen për meritat e aleatëve - pra edhe të amerikanëve - si dhe shumë viktimat e luftës, pra duke kujtuar luftën kundër Hitlerit e kësisoj duke e treguar drejt historinë.
Por në luftrat elektorale ndonjëherë e vërteta historike nënvleftësohet, sidoqoftë Gennadij, punëtori nga Balti, i jep të drejtë Dodonit. Djali i ri preferon të citojë një politilog nga televizioni rus, që së fundi paralajmëroi nga "një pushtim i Moldavisë prej ushtrisë së SHBA-së". Ushtarët amerikanë s'kanë punë në Kishinau pikërisht në ditën e fitores së sovjetikëve ndaj Gjermanisë naziste, thotë Gennadij, i cili duket se nuk është vetëm me këtë mendim. Se sa janë ata që mendojnë kështu dhe se sa janë për kursin pro-perëndimor, kjo do të shihet në ditën simbolike më 9 maj në Kishinau.