1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mosmarrëveshjet financiare në SHBA kërcënojnë ekonominë botërore

Rolf Wenkel / Esat Ahmeti5 Tetor 2013

Në takimin vjetor të FMN-së dhe Bankës Botërore në Uashington nuk do të jetë në fokus kriza e euros. Polemikat financiare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërcënojnë tani arkitekturën financiare ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/19u6Z
Fotografi: picture alliance/dpa

Kur ministri gjerman i Financave Wolfgang Shäuble dhe presidenti i Bankës Federale gjermane Jens Weidmann do të shkojnë javën e ardhshme në Uashington për të marrë pjesë në takimin vjetor të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Bankës Botërore, me siguri që ata do të jenë më të relaksuar se herët e tjera. Kjo për faktin se ndryshe nga një vit më parë tani në fokus të pjesëmarrësve nga 188 kombe nuk do të jetë kriza e euros, por polemikat për financat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në foto, Wolfgang Schäuble
Në foto, Wolfgang SchäubleFotografi: DW/B. Riegert

Pasiguria e vazhdueshme rreth buxhetit shtetëror të SHBA-së dhe tavani i borxhi nuk janë të dobishme, tha shefja e FMN-së, Christine Lagarde të enjten në një fjalim para studentëve në Universitetin George Washington. Shutdown-i i qeverisë, pra pezullimi i punës së administratës, është mjaft i keq. Por në rast se qeveria nuk do të jetë në gjendje që me kohë të rregullojë tavanin e borxhit, kjo do të ishte edhe më e keqe. Për shkak se kjojo vetëm që do të ndikojë në ekonominë amerikane, por mund të rrezikojë seriozisht të gjithë ekonominë botërore, tha Lagarde.

Tregjet financiare në rrezik

Në qoftë se nuk ngritet me kohë tavani i borxhit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili aktualisht kap shumën e afro 17 bilion dollarëve, atëherë ekonomia më e madhe në botë do të jetë formalisht e paaftë të paguajë. Pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës çdo ditë hyjnë rreth dy miliard dollarë në borxh më shumë se sa fitojnë, atëherë mund të llogaritet saktë edhe dita, kur shteti do të jetë i paaftë për pagesa: kjo ditë do të jetë 17 tetori i vitit 2013.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: Jewel Samad/AFP/Getty Images

Ekonomistët nuk duan të zbukurojnë asgjë, kur imagjinojnë se çfarë mund të ndodhë më pas. Tregjet financiare ndërkombëtare mund të shkatërrohen, çmimi i dollarit mund të bjerë përtokë, po ashtu edhe norma për obligacionet e qeverisë amerikane. Agjencitë e vlerësimit të riskut do të jenë të detyruara që automatikisht të ulin nivelin e vlerësimit për SHBA-të. Kështu që obligacionet e qeverisë amerikane nuk do të mund të përdoren si garanci në Bankën Qendrore dhe kjo nuk është e keqja më e vogël. Kjo për faktin se Baka Qendrore amerikane ndërkohë ka filluar që në kuadër të së ashtuquajturës "politikë monetare jokonvencionale" të pranojë si garancë edhe bonot me nivelin më të ulët të vlerësimit. Por fondi i pensionit për shembull, i cili është i detyruar që të mbajë vetëm bono me vlerësimin AAA, do të ballafaqohet me probleme të mëdha.

E nevojshme tërheqja e kujdesshme

Politika monetare jokonvencionale e Bankës Qendrore amerikane ndoshta do të jetë tema e dytë e takimit vjetor të FMN-së dhe Bankës Botërore. Dalja nga politika e kredive me nivel të ulët të normave të interesit duhet të bëhet me shumë kujdes dhe maturi, thotë shefja e FMN-së Christine Lagarde. Kjo për faktin se kthimi në politikën tradicionale monetare ka ndikim në të gjitha tregjet e mbarë globit.

Në foto, Christine Lagarde
Në foto, Christine LagardeFotografi: Reuters

Kështu vendet në zhvillim janë ankuar dy vjet më parë në takimin vjetor në Uashington në lidhje me faktin se politika e parave ultra të lira e vendeve të industrializuara ka çuar në një dyndje masive të kapitalit dhe një presion masiv mbi monedhat e tyre kombëtare me pasoja të rënda për stabilitetin e çmimeve dhe shanset e industrisë së tyre të eksportit.

Faktin që politika e të hollave ultra të lira duhet të marrë fund e kanë të gjithë të qartë. Sa më gjatë që do të pritet, aq më i madh do të jetë rreziku, që flluska të reja të çmimeve do të formohen në tregjet e pasurive të patundshme dhe të mallrave, të cilat pastaj do të bëjnë që të shpërthejë sërish kriza globale financiare dhe ekonomike.