1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania i kërkon Kosovës dhe Serbisë t'i lënë provokimet

29 Shtator 2021

Nisur nga situata e tensionuar në kufirin Kosovë-Serbi, ministria e Jashtme të Gjermanisë ka bërë thirrje për uljen e tensioneve dhe kthimin në tryezën e bisedimeve.

https://p.dw.com/p/411vF
Berlin | Auswärtiges Amt
Fotografi: Sascha Steinach/dpa/picture-alliance

* Ministria e Jashtme e Gjermanisë i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të punojnë për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Në një prononcim për Deutsche Wellen, ministria e Jashtme në Berlin thotë ndër të tjera se po e "ndjek me vëmendje gjendjen e krijuar në veri të Kosovës dhe në pikat ndërkufitare midis Kosovës dhe Serbisë. Ne kërkojmë nga të dyja palët që t'i lënë provokimet e çdo lloji dhe të çtensionojnë situatën sa më shpejt.

Në prononcim thuhet më tej se Gjermania vijon ta mbështesë "pa kufi punën e të ngarkuarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak,për të forcuar dialogun e udhëhequr nga BE, për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës". Po ashtu, diplomacia gjermane nënvizon se mbështet edhe "deklaratat e fundit të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, për këtë temë".

Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë e përshëndeti edhe takimin e sotëm, më 29 shtator, në Bruksel, ndërmjet drejtuesve të ekipeve negociatore të Serbisë dhe Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Miguel Berger, sekretar shteti në Ministrinë gjermane të Punëve të Jashtme
Miguel Berger, sekretar shteti në Ministrinë gjermane të Punëve të JashtmeFotografi: Felix Zahn/photothek/picture alliance

Sekretari gjerman i shtetit, Miguel Berger, theksoi në një mesazh në Twitter të martën që të dyja palët tani duhet të çtensionojnë situatën dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve. "Progresi në dialog është në interes të të dyja palëve", shkroi Berger, pas një takimi me zëvendëskryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi, në Berlin. 

Bislimi është takuar në Berlin me një sërë zyrtaresh nga ministria e Jashtme  e Gjermanisë, zyra kancelarore dhe përfaqësues të ekonomisë gjermane.

Renata Alt kërkon ndërmjetësim të Gjermanisë dhe BE-së

Deputetja gjermane e rizgjedhur në Bundestagun e 20-të, Renata Alt, nga liberalët (FDP) gjithashtu ka bërë thirrje për çtensionim të situatës dhe ka paralajmëruar për rikthimin e një konflikti të armatosur. 

"Fakti që konflikti midis Serbisë dhe Kosovës mund të ndizet përsëri për shkak të një banaliteti, siç është mosmarrëveshja për targat, tregon se tensionet mes dy vendeve nuk kanë mbaruar. Nga njëra anë, reagimi i qeverisë Kurti ndaj praktikës shumëvjeçare të Serbisë me targat nga Kosova është i kuptueshëm. Nga ana tjetër, ai nuk kontribuon për bashkëjetesën paqësore, por për një përshkallëzim të situatës", ka argumentuar Renata Alt në një deklaratë për media. 

Gjermania dhe BE-ja duhet të ndërmjetësojnë këtu dhe të koordinohen ngushtë me SHBA-të në kuadër të NATO-s. Serbia dhe Kosova tani duhet të tregohen të përmbajtur dhe të rifillojnë dialogun. Von der Leyen duhet urgjentisht të këmbëngulë për këtë në takimin e sotëm me Presidentin e Serbisë, dhe ta bindë atë që t'i ndalë praktikat e tij provokuese, me të cilat i ka ngarkuar vendit padrejtësisht marrëdhëniet me fqinjët për vite me radhë."

Deputetja e Bundestagut, Renata Alt, liberalët
Deputetja gjermane, Renata Alt, FDPFotografi: privat

Alt ka nënvizuar rëndësinë e pranisë së KFOR-it në Kosovë: "Zhvillimet alarmante në të dy anët e kufirit tregojnë edhe një herë se sa e rëndësishme është prania e trupave të KFOR -it për stabilitetin në rajon - veçanërisht në funksion të paqes së brishtë në veri të Kosovës. Ne duhet të parandalojmë me çdo kusht një Ballkan të djegur, siç e kemi parë në të kaluarën", përfundon Renata Alt. 

Renata Alt është rizgjedhur sërish në Bundestagun e 20 -të në radhët e grupit parlamentar të liberalëve, kryetari i të cilëve është Christian Lindner. Partia e Liberalëve (FDP) në legjislaturën e kaluar ka qenë në opozitë, ndërsa pas zgjedhjeve të 26 shtatorit 2021 ka shumë gjasa të jetë në qeveri,