Mubarak tallet me popullin - Presidenti egjiptian refuzon të japë dorëheqjen
11 Shkurt 2011Të gjitha parashikimet dhe të gjitha shpresat rezultuan të gabuara. Përsëri! Mubarak mbetet kokëfortë. Ai tallet me popullin e tij. Nuk pranon të japë dorëheqjen. Megjithëse zërat për dorëheqje duket se vinin direkt nga ushtria egjiptiane dhe aparati i pushtetit. Se kush ishte synimi nuk dihet.
Edhe vetë CIA e konsideronte të mundshme dorëheqjen e Mubarakut. Masat e domonstruesve në rrugët e Kairos dhe qytete të tjera egjiptiane shpresuan më kot. Zemërimi i tyre është i madh dhe i kuptueshëm. Ky president luan një lojë të pistë në kurriz të popullit të tij.
Mubarak mbetet në pushtet por i kalon kompetencat e postit zëvendëspresidentit Omar Suleiman. Ai premton reforma. E vlerëson veten si patriot dhe garant për stabilitetin. Kjo është e gjitha një tallje e vërtetë dhe tejet cinike. Populli egjiptian nuk e duron më padrejtësinë sociale dhe shtypjen politike. Njerëzit kërkojnë liri dhe demokraci dhe për këtë meritojnë çdo lloj mbështetjeje, edhe nga Evropa.
Kokëfortësia e Mubarakut mund të nxisë edhe përdorimin e dhunës në një pjesë të lëvizjes protestuese, me pasoja të paparashikueshme deri në një puç të hapur ushtarak. Mubarak, i cili për kohë të gjatë përkëdhelej si garant i stabilitetit po bëhet vetë gjithnjë e më shumë një rrezik për sigurinë. Për Egjiptin dhe për të gjithë rajonin.
Autor: Rainer Sollich
Redaktoi: Eliana Xhani