Mubaraku nuk përkrahet nga ministrat e jashtëm të BE
1 Shkurt 2011Bashkimi Evropian dëshiron të përkrahë në Egjipt qytetarët që kërkojnë më shumë demokraci, por në debatet që zhvillohen për presidentin Hosni Mubarak vazhdon të qëndrojë i rezervuar. Qetësia dhe rendi duhet të kthehen në vend në mënyrë që të zhvillohen zgjedhje të reja, ky është objektivi kryesor, theksuan ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian në fillim të takimit të tyrë në Bruksel (më 31 janar).
Në një pikë ministrat e jashtëm janë të një mendjeje: Si do të shkojnë punët në Egjipt varet vetëm nga populli. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle deklaroi të hënën në Bruksel: "Bashkimi Eropian nuk i mban anën personave të veçantë, por mbështet demokracinë, të drejtat e njeriut dhe lirinë e mendimit, dhe pjesa tjetër është çështje për të cilin Egjipti do të duhet të vendosë vetë."
Kurse ministri i Jashtëm italian përmbledh: "Ne nuk duhet të vendosim kurrë kush duhet të mbesë dhe kush duhet të ikë. Këtë duhet ta vendosin vetë egjiptianët," thotë Franco Frattini.
Nuk do të ketë pra përkrahje zyrtare për Mubarakun, diktatorin egjiptian i cili është kujdesur për marrëdhënie të mira me Bashkimin Evropian për dekada me radhë. Bashkimi Evropian i është kthyer lëvizjes demokratike, të cilës aktualisht nuk mund t`i dërgojë më shumë se fjalë mbështetëse: "Çdo demostrues paqësor duhet ta dijë që BE e mbështet," formulon italiani Fratini.
Për çdo gjë tjetër është ende herët, thotë edhe ministri austriak i Jashtëm, Michael Spindelegger. "Unë mendoj momentalisht se duhet të presim që gjendja të qetësohet, në mënyrë që demostratat të zhvillohen paqësisht. Ne jemi për këtë. Plaçkitjet duhet të ndalojnë. Sepse ato shtojnë pasigurinë tek popullata."
Por nëse si në Egjipt ashtu edhe në Tunizi zhvillohen zgjedhje të reja, Bashkimi Evropian do të jetë i gatshëm të ndihmojë. Të drejtë fjale, është ajo që kërkojnë popujt, thotë ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn. Ai pranon se në të kaluarën BE i ka pas vendosur thekset në botën arabe tek politika ndërkombëtare: "Ne patëm harruar pak, se edhe atje jetojnë njerëz që duan demokraci. Njerëz që duan të drejtën e fjalës."
Autokritikë ushtron edhe ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, lidhur me mënyrën e të sjellurit të Evropës me fqinjët e saj: "Ne ndodhemi para sfidave të mëdha: një erë antidemokratike në lindje, një lëvizje reformuese në jug. Ne duhet ta marrim fqinjësinë tonë shumë më tepër seriozisht." Bashkimi Evropian është aktor në këtë situatë, mendon Bildt, kërkush tjetër nuk mund të sjellë ligjin, rendin dhe stabilitetin.
Të hënën pasdite ministrat e jashtë të BE-së vendosën të ngrijnë pasuritë e presidentit tunizian, të rrazuar nga pushteti Ben Ali dhe të shoqes së tij. Kundër të dyve është lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar, për shkak të pasurimit në mënyrë ilegale.
Përveç kësaj ministrat e jashtëm do të ngrenë sërish sanksione kundër presidentit bjellorus Alexander Lukaschenko dhe funksionarëve të lartë të vendit. Për shkak të shtypjes së opozitës në Bjellorusi, ministrat e jashtëm vendosën ndalimin e udhëtimit në Evropë dhe bllokimin e llogarive bankare.
Autor: Katrin Brand/ Aida Cama
Redaktoi: Bahri Cani