1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mursi: Nuk do t'ju zhgënjej

Peter Steffe / Esat Ahmeti1 Korrik 2012

Simbolikisht presidenti i ri i Egjiptit Mursi e bëri betimin para përkrahësve të tij në sheshin Tahrir. Gjatë betimit zyrtar ai premtoi se do t'i qëndrojë besnik kushtetutës dhe një shoqërie moderne.

https://p.dw.com/p/15Okd
Fotografi: Reuters

Pas ceremonisë së betimit të shtunën pasdite (30.06.) ishte ky veprimi i parë: një fjalim drejtuar kombit si president i zgjedhur i vendit. Vendi: Salla në Universitetin e Kairos para disa mijëra pjesëmarrësve. Përveç diplomatëve të shumtë, përfaqësuesëve të politikës, ushtrisë, fesë dhe shoqërisë civile të pranishëm ishin edhe pjestarët e familjeve të viktimave të kryengritjes kundër regjimit të Mubarakut. Fjalimi i pritur me padurim ishte shumë i shkurtër, ai zgjati vetëm 30 minuta dhe nuk ishte shumë konkret. Munguan sqarimet për mënyrën se si do të zgjidhen problemet nga Mursi si presidenti i parë civil i zgjedhur nga populli. Në vend të tyre, 60-vjeçari u paraqit me formulime të përgjithshme. "Institucionet e zgjedhura do të kthehen për të bërë punën e tyre dhe gjithashtu do të kthehet edhe ushtria e mrekullueshme egjiptiane për të përmbushur misionin e saj të vërtetë, për të garantuar sigurinë dhe për të mbrojtur kufijtë e vendit."

Në foto, presidenti ri egjiptian, Mohammed Mursi
Në foto, presidenti ri egjiptian, Mohammed MursiFotografi: Reuters

Mursi thurë lavdata për ushtrinë

Me "institucionet e zgjedhura", Mursi me sa duket e kishte fjalën për parlamentin i cili u shpërbë para ca kohësh dhe pritet të zgjidhet përsëri në fund të vitit. Kreu i ri i shtetit e lavdëroi pothuajse pa kursim rolin e ushtrisë në muajt e fundit. Ajo ka mbrojtur popullin egjiptian në këtë situatë të vështirë. Ai nuk e tha asnjë fjalë për faktin se ushtria së fundi ka shkurtuar kompetencat e tij si president. Ai e sheh veten në shërbim të popullit, theksoi Mursi dhe dëshiron që fuqinë e tij ta shpenzojë në shërbim të kombit: "Roli i presidentit në shtetin e ri egjiptian do të jetë në shërbim të popullit dhe kombit. Detyra ime e parë është që të jem një ndërmjetës në mes të gjitha institucioneve të shtetit dhe një ruajtës i Kushtetutës dhe sistemit ligjor."

Mursi i drejtohet përkrahësve të tij në sheshin Tahrir (29.06.)
Mursi i drejtohet përkrahësve të tij në sheshin Tahrir (29.06.)Fotografi: Reuters

Së bashku me të gjithë egjiptianët Mohammed Mursi dëshiron të ndërtojë një komb të mrekullueshëm, i cili përsëri do të luajë një rol të rëndësishëm në Lindjen e Mesme. Megjithatë, nuk do të lejohet asnjë përzierje në çështjet e brendshme të Egjiptit. Marrëveshjet ndërkombëtare, u shpreh kreu i ri i shtetit, do të respektohen edhe më tej: "Unë e përsëris edhe njëherë premtimin tim se ne do të respektojmë dhe do të përmbushim të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare."

Mbështetje e hapur për popullin palestinez

"Unë e njoftoj këtu gjithashtu se populli egjiptian, kombi egjiptian dhe presidenti do të mbështesin popullin palestinez deri sa ai të rifitojë të gjitha të drejtat e tij legjitime. Unë do të punojë për të arritur pajtimin kombëtar palestinez, në mënyrë që palestinezët të jenë një popull i cili do të rkthejë vendin dhe sovranitetin e tij", u shpreh Mursi në fjalimin e tij.

Harta e Rripit të Gazës
Harta e Rripit të Gazës

Ndërkaq sa i përket politikës së brendshme, presidenti egjiptian premtoi se do të ketë një bashkëpunim në mes myslimanëve dhe të krishterëve. Përsëri, ai nuk ishte shumë konkret se si do të duket ky bashkëpunim. Për të drejtat e grave ai nuk tha asnjë fjalë. Paraqitjen e parë si president i vendit Mohammed Mursi e mbylli me këto fjalë: "Unë nuk do t'ju zhgënjej si president i Egjiptit."