1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë fëmijë të varfër në Gjermaninë e pasur

Vera Kern13 Shtator 2016

Ekonomia rritet në Gjermani, por edhe varfëria e fëmijëve po shtohet. Ky është rezultati i një studimi të fundit. Problemi qendron tek politika e gabuar për familjen.

https://p.dw.com/p/1K0qN
Deutschland Symbolbild Kinderarmut
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Kalaene

Çfarë të duhet për një fëmijëri të mirë e të gëzuar? Ndryshe nga ajo që ndodh në shumë vende të botë në Gjermani, për fat të mirë, nuk mungojnë më të domosdoshmet për jetesë: ushqim, një strehë mbi kokë, veshje për dimër, medikamente, arsim falas - këto nevoja themltare janë këtu të vetëkuptueshme. Një fëmijë i varfër nga Bavaria apo Berlini jeton në kushte të privilegjuara krahasuar me fëmijët e varfër në Bangladesh apo në Burkina Faso.

Megjithatë edhe në Gjermani gjithnjë e më shumë fëmijë rriten në varfëri. Ky është rezultati i një studimi aktual, që upublikua nga Fondacioni Bertelsmann. Në të thuhet: gati dy milionë fëmijë në Gjermani jetojnë sot në familje, që janë tëvarura nga asistenca sociale që prej më shumë se pesë vjetësh. Të varfër konsiderohen fëmijët, prindërit e të cilëve janë të papunë e si rrjedhojë jetojnë me ndihmat nga shteti. Këto të dhëna dalin nga statistikat e Agjencisë Federale të Punës si dhe nga një studim afatgjatë mbi pasojat e varfërisë për fëmijët dhe të rinjtë.

Pa dhomën e tyre dhe pa dhëmbë të shëndetshëm

Çfarë do të thotë "varfëri e fëmijëve" në një ndër vendet më të pasura në botë? "fëmijët e prekur duhet të privohen nga shumëgjëra", shpjegon përmbledhtazi për DW Anette Stein, eksperte për politkën e familjes pranë Fondacionit Bertelsmann.

Privimi nis qysh në mënyrën e banimit: fëmijët e varfër nuk kanë dhomën e tyre - dhe kësisoj atyre u mungon një vend ku të kenë mundësi të jenë vet dhe të bëjnë detyrat e të mësojnë. Ata ushqehen keq, sepse në vend të frutave dhe perimeve shpesh u shtrohet në tryezë Fast Food. Gjithashtu ata sëmuren shpesh. Kësaj i shtohet edhe "izolimi social" që haset shpesh tek fëmijët nga familje të varfëra, thuhet në studim. Atyre u mungojnë p.sh. paratë për të shkuar në ekskursione, në klube sportive apo për të ndjekur mësim muzike.

Deutschland Symbolbild Kinderarmut
Fotografi: Getty Images/S. Gallup

Varfëria rreth vicioz

E gjitha kjo influencon që këta fëmijë të kenë shanse të këqia për arsim. "E gjithë biografia e arsimimit të tyre është shumë më problematike se sa tek fëmijët që jetojnë në familje me të ardhura të sigurta", vë në dukkje ekspertja Stein.

Një herë i varfër, gjithnjë i varfër - një rregull i tillë nuk vlen detyrimisht, sepse në mënyrë të vetkuptueshme shumë prindër më vështirësi financiare përpiqen me çdo kusht t'i mbështesin fëmijët për t'u shkolluar. Por sidoqoftë shpesh varfëria zë rrënjë. "Sa më gjatë fëmijët jetojnë në varfëri, aq më i lartë është rreziku, që fati i tyre të influencohet negativisht", thotë Anette Stein. Ende fëmijët nga prindër me asistencë nga shteti vazhdojnë të jenë përjashtim nëpër universitete.

Të rrezikuar nga varfëria fëmijët nga prindër të divorcuar

Studimi tregon, se veçanërisht të prekur janë vajza e djem nga prindër të divorcuar dhe që rriten me shumë motra e vëllezër. Gjithashtu duket, se një rol luan edhe mjedisi ku ato rriten. Në përgjithësi në jugun e pasur të Gjermanisë rreziku i varfërisë është më i pakët se në rajonet më të dobëta industriale si landin e renanisë Veriore - Vestfalisë.

Një rezultat tjetër: një në pesë fëmijë në Gjermaninë lindore rritet në varfëri. Një bilanc të trishtueshëm në këtë drejtim ka Berlini që kryeson. Pothuajse një në tre fëmijë në kryeqytet rritet në varfëri. Një pikënisje më të mirë në jetë kanë fëmijët në landet si Bavaria apo Baden-vyrtenbergu: këtu një në dhjetë fëmijë është i prekur prej varfërisë.

Që po rritet varfëria e fëmijëve në një vend të pasur si Gjermania, kjo në thelb nuk është diçka e re. Studimi i Fondacionit Bertelsmann bën të qartë, se të gjitha masat e shtetit deri tani nuk kanë pasur efekt. Në përfundim të gjashëm arrin edhe raporti i fundit për varfërinë i shoqatave të ndryshme sociale në Gjermani. Edhe këto shoqata apelojnë për një mbështeje financiare për fëmijët të orientuar nga nevojat dhe të mjaftueshme për të siguruar ekzistencën.