070711 Kinder Konfliktgebiete
8 Korrik 2011Sipas vlerësimeve të OKB-së, rreth 300 mijë fëmijë janë angazhuar në shumë vende të botëssi ushtarë çka sipas standardeve ndërkombëtare konsiderohet si krim i luftës. Këtë muaj Gjermania si anëtare jo e përhershme është kryesuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të martën e ardhshme (12.07.) do t'i prijë debatit të hapur se si duhet të mbrohen më mirë fëmijët në rajonet me konflikte.
Sudani i Jugut ,sipas të gjitha gjasave do të pranohet këtë javë si shteti i 193 -të anëtar i bashkësisë ndërkombëtare. Megjithatë sipas Irina Bokovës, drejtoreshë e përgjithshme e UNESCO-s, organizatës së Kombeve të Bashkuara për edukim, shkencë dhe kulturë, lufta e gjatë qytetare ka lënë gjurmët e saj. Në Sudanin e Jugut vërehet qartë se çfarë do të thonë luftërat për fëmijët. "Shkollat dhe nxënësit kanë qenë të sulmuar në mënyrë sistematike gjatë konfliktit. Sudani i Jugut ka aktualisht kuotën më të ulët të arsimit në botë. Për vajzat në moshë të adoleshencës më e madhe është mundësia për të vdekur gjatë lindjes se sa të përfundojnë shkollimin. Vetëm tetë përqind e grave dijnë të shkruajnë dhe lexojnë. Në asnjë vend të botës nuk bëhet më e qartë se këtu se sa e rëndësishme është e drejta për arsimim."
Shifrat në mbarë botën janë alarmante: UNESCO vlërëson se mes viteve 1998 dhe 2008 në konfliktet e armatosura janë vrarë dy milionë fëmijë dhe janë plagosur rëndë gjashtë milionë të tjerë. Rreth 300 mijë fëmijë shfrytëzohen si ushtarë. Dhuna seksuale përdoret në mënyrë sistematike në mbarë botën.
Gjithsejt janë gjashtë krime kundër fëmijëve të cilat sipas të drejtës ndërkombëtare konsiderohen si krime lufte. Shfrytëzimi i fëmijëve si ushtarë konsiderohet njëjtë, sikurse vrasja, apo abuzimi seksual i tyre. Një palë në konflikt, që kryen krime të tilla, mund të vendoset në një listë të zezë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo tingëllon si e padëmshme, por ka ndikimin e saj, sqaron Peter Wittig, ambasadori gjerman në Kombet e Bashkuara në Nju Jork:
"Vendet, të cilat qëndrojnë në këtë listë, qeveritë dhe po ashtu edhe grupet e rebelëve, që qëndrojnë në të, për ato kjo është një njollë që duan ta heqin."
Si për shembull: Afganistani. Ambasadori Wittig tash vonë i ka prirë një delegacioni në Afganistan. Atje sipas tij është vërejtur se qeveria afgane po ndërmerr përpjekje serioze për përmirësimin e mbrojtjes së fëmijëve.
Për t'u larguar sërish nga lista e zezë vendet e prekura duhet të miratojnë një plan veprimi dhe ta zbatojnë atë. 15 plane të veprimit në nëntë rajone të konfliktit, sqaron sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon, u arritën të miratohen gjatë përgatitjes së debatit, dy të tjera priten të miratohen deri në fund të vitit.
Qëllimi i rezolutës, për të cilën duhet të votohet pas debatit të hapur, që fillon të martën (12.07.) në Këshillin e Sigurimit, është që t'i kushtohet vëmendje edhe një krimi tjetër, shkaku i të cilit një vend, apo një palë në konflikt do të futej në listën e zezë: sulmi ndaj shkollave dhe spitaleve.
Nëse miratohet kjo rezolutë, atëherë Këshilli i Sigurimit mund të vendosë në këto raste për veprime të mëtejshme në formën e sanksioneve. Por një gjë e tillë ndodh shumë rrallë kritikojnë përfaqësues të shoqërisë civile si Eva Smets, drejtoreshë e Listës Mbikqyrëse për fëmijët dhe konfliktet e armatosura.
"Deri më tani kemi vetëm dy raste, ku janë ndërmarrë masa të mëtejshme: para disa vitesh në Bregun e Filidshtë dhe para pak kohësh në Republikën Demokratike të Kongos."
Megjithatë veprimtarët për të drejtat e fëmijëve nuk e kanë humbur shpresën. Nëse përparimet ekzsituese vazhdojnë me këtë ritëm, atëherë pas 25 vitesh të paktën nuk do të ketë më fëmijë ushtarë.
Autor: Christina Bergmann/ Esat Ahmeti
Redaktoi: Aida Cama