Egjipt: 70 përqind për islamistët
22 Janar 2012Që prej një jave u bë e qartë, por tani u tha edhe zyrtarisht nga kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve Abdel Moaz Ibrahim: „Partia për liri dhe drejtësi“, krahu politik i vëllazërisë myslimane është forca më e madhe e parlamentit egjiptian. 47 përqind e votave për kandidatët e listave dhe për ata direkt, arriti t`i merrte ajo dhe partneri islamist në aleancë, që e quan veten të moderuar.
Në vend të dytë vjen „Partia e dritës“ - Hizb al-Nour - me gjithsej 24 përqind të votave. Që kjo parti u forcua kaq shumë u tregua që në fazën e parë të zgjedhjeve në muajin nëntor duke krijuar një të papritur të vërtetë. Kërkush nuk priste që islamistët radikalë, të ashtuquajturit salafistë të kishin kaq shumë idhtarë në Egjipt.
Partia tradicionale liberale Wafd merr me shtatë përqind vendin e tretë, e ndjekur nga liberalët e rinj "Aleanca egjiptiane“.
Partitë e "Rinisë revolucionare" që zhvilluan vitin e kaluar protestat për rrëzimin e presidentit Husni Mubarak nuk përfaqësohen në parlament. Parlamenti mblidhet për herë të parë ditën e hënë (23.1.).
Për presidentin e parlamentit është rënë tashmë dakord nga partitë më të mëdha, siç bëri të ditur Mohammed Mursi, kryetari i Vëllazërisë myslimane: „Çdo parti, Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, dhe dy partitë e tjera që pasojnë atë, ‚Nour' dhe ‚Wafd' do të caktojnë si president një nga anëtarët e tyre. Prej tyre, Partia e Lirisë dhe drejtësisë do të vendosë presidentin e parlamentit, dy partitë e tjera dy zëvendësit - sipas vendeve që kanë në parlament."
Kandidati i partisë së Lirisë dhe drejtësisë, Saad al-Katatni, është caktuar të jerë president i parlamentit egjiptian. Ai deklaroi se: „Parlamenti i ri do të ketë një përfaqësim të madh të popullit, duke përmbushur shpresat e popullit egjiptian, synimet e revolucionit dhe do të kujdeset për të varfërit në vend."
Por ndonjë forcë të madhe parlamenti nuk do të ketë. Ai nuk do të krijojë qeveri të re, qeveria mbetet ajo që është, e emëruar nga Këshilli i Lartë Ushtarak, organi që sundon mbi Egjipt që prej rrëzimit vitin e kaluar të diktatorit, Husni Mubarak.
Detyra kryesore e parlamentit është zgjedhja e një komisioi për të përpunuar një kushtetutë të re.
Autor: Björn Blaschke/ Aida Cama
Redaktoi: Mimoza Cika - Kelmendi