Në Prishtinë, mirëpritet marrëveshja Thaçi-Daçiq
20 Prill 2013Në Kosovë, përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e institucioneve qendrore, marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrave Thaçi e Daçiq, e kanë cilësuar një të arritur historike, ndërsa bëjnë thirrje që ajo të zbatohet sa më parë në praktikë.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e mirëpret marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë e cila sipas saj, ”i kontribuon paqen në rajon”. “Marrëveshja e arritur ndihmon në vendosjen e bashkëpunimit të gjithanshëm si dhe relakson raportet ndërmjet dy vendeve tona, duke ndihmuar në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe është kontribut konkret për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë”, thotë në reagimin e saj, presidentja Atifete Jahjaga.
Sa më parë marrëveshja të zbatohet në praktikë
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, publikoi një deklaratë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili përgëzon Kosovën dhe Serbinë për arritjen e marrëveshjes dhe bënë thirrje për zbatimin e saj. “I inkurajoj të dyja palët që tani të zbatojnë në mënyrë ekspeditive dhe në tërësi të gjitha marrëveshjet e nxjerra përmes dialogut deri në ditët e sotme, në mënyrë që të gjithë ata që jetojnë në Kosovë dhe Serbi, të mund të ndërtojnë një të ardhme më paqësore dhe prosperuese”, thuhet të deklaratën e sekretarit amerikan të shtetit.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, në një deklaratë të lëshuar nga misioni i UNMIK-ut në Kosovë, mirëpret marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Sekretari i Përgjithshëm trimëron fuqishëm palët që ta përfundojnë këtë proces historik dhe të ndërmarrin hapa konkret për një zbatim besnik të marrëveshjes. Kombet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme të ndihmonë palët në këtë përpjekje”, thuhet në komunikatë.
Subjekti politik opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, nënshkrimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi nga ana e kryeministrit Thaçi e cilëson “tradhti për shtetin e Kosovës”, ndërsa, partitë tjera politike opozitare shprehen të rezervuara në reagimet e tyre pa një analizë të mirëfillt të tekstit të marrëveshjes, mëgjithëse e cilësojnë një të arritur.
Inicim për referendum në Serbi për marrëveshjen me Kosovën
Mirëpo, jo të kënaqur me arritjen e marrëveshjes janë përfaqësuesit politik të serbëve të veriut. Në një takim të mbajtur të premten pasdite “përfaqësuesit serb të komunave veriore do të kërkojnë mbajtjen e një referendumi në Serbi, për të parë vullnetin e popullit nëse duan të heqin dorë nga Kosova”, citojnë mediat lokale serbe, Ksenija Bozhoviq, kryetare e të ashtuquajturit “Kuvendi paralel i veriut të Mitrovicës. Përfaqësuesit serb kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për të iniciuar mbajtjen e referendumit në Serbi.
Nevojiten plane të përbashkëta operative për zbatimin e marrëveshjes në veri
Ndërkohë, analisti në Prishtinë i grupit ndërkombëtare të krizave ICG, Naim Rashiti, thotë se të dy qeveritë, ajo Kosovës dhe Serbisë duhet të jenë të kudesshme me sjelljet e tyre në raport me banorët serb të veriut, sepse sipas tij "reagimet mund të jenë të ashpra". "Në veri emocionet dhe nervozizmi është shumë i madh. Mund të kemi reagime të njëanshme nga serbët e veriut kundër Beogradit, por edhe kundër Prishtinës, prandaj planet operative për implementimin e marrëveshjes duhet të koordinohen mirë ndërmjet dy qeverive", thotë Naim Rashiti nga ICG.