Tensione nacionaliste mes Rumanisë dhe Hungarisë
20 Shkurt 2013Në Budapest ministri i Jashtëm János Martonyi bën fjalë, se po "rrezikohet" bashkëpunimi hungarezo-rumun. Në Bukuresht homologu i tij Titus Corlătean kërcënon me dëbimin e ambasadorit. Mediet e afërta me qeverinë në të dyja vendet inskenojnë fushatë nacionaliste ngjashëm si përpara pesëmbëdhjetë vitesh. E gjitha kjo nisi prej një flamuri blu-verdhë-blu me simbolin e një dielli dhe gjysmëhëne në qytetin e një province rumune.
Në dukje për shkak të këtij flamuri marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Rumanisë kanë arritur në një pikë kritike. Sociologu hungarez Pál Tamás e konsideron këtë si një "inskenim provincial, që është shkallëzuar deri në veprime të detyrueshme të politikës së madhe". Filozofi rumun Andrei Cornea ndërkaq këshillon, që BE-ja duhet t'i moderojë bisedimet midis dy vendeve, sepse ato vet "nuk janë në gjendje të negociojnë në nivelin bilateral".
Gjithçka nisi me një flamur
Shkas për konfliktin u bë ceremonia e marrjes së postit nga prefekti i ri i qarkut rumun të banuar nga shumica hungareze, Covasna më 2 shkurt. Gjatë ceremonisë festive u hoq nga një ndërtesë e qytetit Sfantu George flamuri blu-verdhë-blu i Szeklerlandes (Terra Siculorum ) siç quhet rajoni në juglindje të Transilvanisë, sepse sipas autoriteteve rumune ai simbolizon përpjekjet e minoritetit hungarez për autonomi territorile dhe për shpërbërjen e shtetit kombëtar rumun. Menjëherë pas kësaj sekretari për marrëdhëniet me jashtë në Budapest Zsolt Németh u shpreh për "një agresion simbolik kundër bashkësisë hungareze në Transilvani". Ky ishte fillimi i "luftës hungarezo-rumune të flamurit".
Pas kësaj fshihet konflikti me rëndësi historike. Si pjesë e Transilvanisë dikur Szeklerland i përkiste mbretërisë hungareze. Në Marrëveshjen e Paqes të Trianonit të vitit 1920 Transilvania i kaloi Rumanisë. Autonomia e premtuar në 1918 për pakicat në Transilvani asnjëherë nuk u bë realitet.
Përpjekje për autonomi
Që pas rrëzimit të diktaturës së Çausheskut përfaqësuesit politikë të 1.5 milionë hungarezëve në Transilvani kërkojnë më shumë të drejta të mëvetsishme administratrive në Rumaninë e organizuar në mënyrë ekstreme centraliste. Këto të drejta kërkohen kryesisht në Szeklerland, ku banon shumica e minoritetit hungarez. Politikanët e moderuar të minoritetit hungarez do të ishin të kënaqur me një sovranitet më të madh lokal në politikën fiskale si dhe me më shumë kompetenca në fushën e kulturës dhe administrimit, ndërsa radikalët kërkojnë autonomi si në Tirolin e Jugut në Itali, apo si në Katalonjën e Spanjës. Por në Rumani kërkesa për autonomi është një nga tabutë më të mëdha kombëtare.
"Kemi të bëjmë këtu me një konfrontim politik mes modeleve të shtetit liberal-individualist, që përfaqësojnë rumunët, sepse ata përbëjnë shumicën, dhe nga ana tjetër me modelin e shtetit multikulturor- kolektivist si në Belgjikë, apo në Kanada, që e preferojnë hungarezët", shpjegon politologia Alina Mungiu-Pippidi.
Gjestin e largimit të një flamuri gjatë një ceremonie zyrtare lokale, gjë që shprehimisht e pati lejuar një gjykatë rumune nëntorin e kaluar, e konsiderojnë si një provokim jo vetëm politikanët radikalë të minoritetit hungarez në Rumani, por edhe përfaqësuesit e qeverisë së Orbanit në Budapest, e cila e konsideron veten si përfaqësuese të interesave politike të hungarezëve në diasporë.
Budapesti ndërhyn
Që nga ky rast vazhdojnë replikat nga të dyja palët: Kur sekretari për marrëdhëniet me jashtë Zsolt Németh u shpreh për "një agresion simbolik" të Rumanisë, kryeministri rumun Victor Ponta deklaroi se e ndalon këtë "pafytyrësi" dhe "ndërhyrje në punët e brendshme". Kur ministri i Jashtëm Titus Corlătean kërcënoi me dëbimin e ambasadorit, Némethi u shpreh për "masa diplomatike" të Hungarisë. Mbi dhjetë qytete hungareze dhe komuna ngritën flamurin e Szeklerland, madje në fundjavë edhe në Budapest ky flamur valëvitej në godinën e parlamentit. Në Rumani mediet nacionaliste me influencë e inkurajonë edhe më shumë qeverinë.
Në fakt të dyja vendet historikisht ishin pajtuar - ky ishte një kusht për antarësimin në BE. Në këtë valë u zhvilluan mbledhje të përbashkëta qeveritare, Shoqata e moderuar Demokratike e hungarezëve në Rumani (RMDSZ) për 16 vjet me radhë ka qenë pjesëmarrëse në qeveritë e koalicionit në Bukuresht.
Por kohët e fundit marrëdhëniet janë ftohur. Qeveria e Orbanit në Budapest mbështet veçanërisht përfaqësuesit radikalë të minoritetit. Kjo qeveri ka aplikuar të drejtën e votës për hungarezët në diasporë, votat e të cilëve i duhen asaj për zgjedhjet në pranverë, kjo për arsyen se ndër zgjedhësit vendas qeveria po bëhet gjithnjë e më e padëshiruar për shkak të politikës së shkurtimeve sociale.
Loja me zjarrin e nacionalizmit
Nga ana tjetër qeveria rumune do të shkëpusë vëmendjen prej kursit të saj radikal të kursimeve. Në radhë të parë ajo do të legjitimizojë përmes retorikës nacionaliste reformën e planifikuar territoriale. Në kuadër të kësaj reforme tri qarqe të banuara kryesisht me hungarezë synohet të bashkohen në një qark të madh në Rumaninë Qendrore - kësisoj minoriteti hungarez do të humbiste shumë të drejta.
Filozofi dhe publicisti hungarez Attila Ara-Kovács nisur nga konstelacionet aktuale politike në të dyja vendet nuk sheh ndonjë shans për zgjidhje. "Gjendja është shumë serioze, kjo është pasojë e papërgjegjshmërisë, por edhe e synimit të kalkuluar mirë të qeverisë së Orbanit, që në mënyrë shembullore do t'i prishë marrëdhëniet e mira me vendet fqinjë. Për fat të keq edhe qeveria e kryeministrit Ponta punon, për prishjen e marrëdhënieve bilaterale, kësisoj tek Orbani ajo gjen partnerin e përshtatshëm në këtë drejtim", thotë Ara-Kovács.