NATO emëron Rutte si Sekretar të Përgjithshëm
26 Qershor 2024Kreu në largim i qeverisë holandeze, Mark Rutte, është emëruar zyrtarisht Sekretari i Përgjithshëm i ardhshëm i NATO-s. 57-vjeçari duhet të pasojë norvegjezin Jens Stoltenberg në fillim të tetorit, njoftoi aleanca e mbrojtjes pas një takimi të përfaqësuesve të përhershëm të 32 vendeve të NATO-s në selinë në Bruksel. Në fund të mandatit, Stoltenbergu e mbajti këtë pozicion drejtues për dhjetë vjet.
Stoltenbergu tha për vendimin: "Jam shumë i lumtur që aleatët e NATO-s kanë zgjedhur Mark Rutte për të më pasuar. Mark është një transatlantik i vërtetë, një udhëheqës i fortë dhe një person që ndërton konsensus."
Kontrata e Rutte-s fillimisht është katërvjeçare. Holandezi konsiderohet si një person me shumë përvojë në politikën e jashtme. Ai ishte kreu i qeverisë holandeze për gati 14 vjet, një kohëzgjatje që nuk e kishte arritur asnjë kryetar tjetër qeverie para tij dhe në këtë mënyrë është nga personat që ka qëndruar më gjatë në post në BE.
Koordinim i proceseve të konsultimit politik
Detyra kryesore e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s është të koordinojë proceset e konsultimit politik ndërmjet aleatëve dhe të sigurojë që të arrihet konsensus edhe për çështje të vështira. Meqenëse ai mund të bëjë edhe propozime për veprim, ai luan një rol vendimtar në kohë krize ose konflikti.
Përveç kësaj, Sekretari i Përgjithshëm përfaqëson Aleancën e Mbrojtjes në nivel ndërkombëtar dhe drejton Selinë e NATO-s si administrator suprem.
Sfidat që presin
Pozicioni i ri i Rutte-s pritet të përbëjë një sfidë veçanërisht të rëndësishme nëse Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor. Deklaratat e republikanit në të kaluarën kanë ngritur dyshime për gatishmërinë e SHBA për të përmbushur plotësisht detyrimin e ndihmës nën udhëheqjen e tij. Që gjatë mandatit të tij nga viti 2017 deri në vitin 2021, Trumpi kritikoi rregullisht shpenzimet e mbrojtjes të aleatëve evropianë, të cilat ai i konsideronte shumë të ulëta, dhe ndonjëherë kërcënoi edhe me tërheqjen e SHBA nga Aleanca.
Edhe nëse Trump nuk rizgjidhet, nga Rutte do të kërkohet shumë. Kjo sepse lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka ndryshuar plotësisht mjedisin e politikës së sigurisë, por aleatët, për shembull, nuk pajtohen nëse i duhen dhënë Ukrainës në këto kohë një perspektivë të qartë të anëtarësimit në NATO. Vende të tilla si Gjermania dhe SHBA e kundërshtojnë këtë, pasi druhen se një veprim i tillë mund ta bëjë Rusinë të vazhdojë me agresivitet më të madh luftën e saj. Nga ana tjetër, vende si Polonia apo vendet baltike nuk e shohin këtë rrezik.
Bllokim i gjatë nga Hungaria dhe Rumania
Emërimit të Rutte i parapriu një bllokadë disamujore nga shtete anëtare si Hungaria dhe Rumania. Vetëm javën e kaluar ata braktisën kundërshtimin e tyre ndaj holandezëve, duke hapur rrugën për konsensusin e nevojshëm brenda Këshillit të Atlantikut të Veriut.
Hungaria u dorëzua pasi Rutte plotësoi kërkesat hungareze. Këto përfshinin dëshirën e Hungarisë për të siguruar që nuk do të shtyhej për të marrë pjesë në një mision të planifikuar të NATO-s për të koordinuar dërgesat e armëve në Ukrainë. Qeveria e kryeministrit Viktor Orban druhet se plani mund ta shtyjë Aleancën në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Nga Rumania, kandidat për këtë post ishte vetë presidenti rumun Klaus Iohannis. Por pas vendimit të Orban-it, ai e tërhoqi zyrtarisht kandidaturën. Kancelari gjerman Olaf Scholz e kishte mbështetur publikisht Rutte-n në shkurt. Mbështetje tjetër erdhi më pas nga SHBA dhe Britania e Madhe.
(tgsch)