1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO nuk mund të tolerojë dhunë në Kosovë

8 Dhjetor 2011

NATO-ja duhet të tregojë një prezencë më të fuqishme në Kosovë, ndërkohë që në Afganistan do të ndihmojë në stabilizimin e gjendjes. Ministrat e Jashtëm në Bruksel biseduan edhe për raportet me Rusinë.

https://p.dw.com/p/13OWf
Dhuna në Kosovë
Dhuna në veri të KosovësFotografi: dapd

Më së shumti vëmendje në këtë takim i është kushtuar gjendjes në Kosovë dhe KFOR-it. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle dënoi sërish sulmet e serbëve ndaj trupave ndërkombëtare në veri të Kosovës, ku u plagosën edhe ushtarë gjermanë dhe austriakë.

„Ne nuk mund të bëjmë kurfarë lëshimesh politike, pas këtyre sulmeve. Prandaj presim jo vetëm përfundimin e sulmeve dhe mospërsëritjen e tyre, por edhe që politikanët në rajon të bëjnë të gjithçka munden, që gjëra të tilla të mos përsëriten. Nëse sulmohen ushtarët tanë, sulmohemi edhe ne. Kjo nuk mund të tolerohet“, theksoi ministri i Jashtëm gjerman.

KFOR-i sulmohet nga serbët

Guido Westerwelle
Guido Westerwelle: politikanët në rajon duhet të bëjne më shumë.Fotografi: dapd

Ushtarët janë sulmuar pas ngritjes së barrikadave serbe në verit të Kosovës. NATO-ja kërkon heqjen e të gjitha barrikadave. Një prej tyre është hequr, ndërsa Rasmussen përshëndeti edhe dialogun dhe marrëveshjen shqiptaro-serbe për kontrollimin e përbashkët të kufirit. Dhuna në veri ka bërë që trupat e KFOR-it nuk mund të përgjysmohen në shkurt të vitit të ardhshëm, siç ishte planifikuar. Në Kosovë duhet të mbeten të gjithë 6.000 ushtarët që janë atje.

Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen në parim mbështet afrimin e Evropës Juglindore me strukturat perëndimore. „Ne qëndrojmë në pozicionet për integrimin euro-atlantik të të gjitha vendeve të këtij rajoni. Por të domosdoshme janë edhe reformat demokratike, të cilat duhet të bëhen realitet“, pohon ai.

Rasmussen mbështet integrimin e Serbisë në BE

Anders Fogh Rasmussen
Anders Fogh Rasmussen sugjeron integrimin e SerbisëFotografi: dapd

Rasmussen tha se ai mund të flasë vetëm në emër të NATO-s. Por në mënyrë indirekte ai sugjeroi që Serbisë t'i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE. Të premten (9.12.) presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së do të vendosin për këtë çështje. Minstri i Jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn ishte edhe më i qartë. Ai beson se statusi i kandidatit nuk është vetëm në interesin e Serbisë, por edhe të BE-së dhe NATO-s.

„Besoj se nuk ka zgjidhje tjetër. Askush nuk dëshiron ardhjen e nacionalistëve në pushtet në Serbi, sepse kjo mund të ashpërsojë më shumë edhe konfliktin në Kosovë“, deklaroi Asselborn.

Gjermania kundërshtari më i madh

Kundërshtari më i madh i Serbisë në këtë çështje aktualisht është Gjermania. Kancelarja gjermane Angela Merkel, pas incidenteve të armatosura me KFOR-in, ka deklaruar se Serbia ende "nuk është e pjekur për anëtarësim në BE".

Vazhdojnë ndihmat në Afganistan

Sa i përket misionit ushtarak në Afganistan, ai duhet të përfundojë në vitin 2014. Por kjo nuk do të thotë se NATO do të zhduket në tërësi nga Afganistani. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s rikujtoi në Bruksel kumtesën e miratuar të hënën në konferencën për Afganistanin, në Gjermani.

„Në konferencën e Bonit në fillim të javës, bashkësia ndërkombëtare ka premtuar angazhim afatgjatë në Afganistan. NATO do të vazhdojë me kontributin e saj. Ne do të shqyrtojmë mundësitë për ndihma dhe një partneritet afatgjatë, pas tërheqjes në vitin 2014“, tha Anders Fogh Rasmussen.

Mosmarrëveshjet me Rusinë

Sergei Lavrov
Sergei Lavrov - probleme mes Rusisë dhe NATO-sFotografi: dapd

Shumë grindje ka pasur kohët e fundit me Rusinë, për shkak të rrjetit të planifikuar për mbrojtje nga raketat në Evropë. Rusët thonë se janë të cënuar nga ky rrjet dhe duan të ndërmarrin kundërmasa në Kaliningrad. Rasmussen thotë se "kjo është derdhje e kotë e parave", sepse rrjeti i NATO-s nuk do të ndërtohet kundër Rusisë. Ndërkohë që aleanca ka nevojë për mbështetjen ruse, për shembull në Afganistan. Ministri i Jashtëm norvegjez Jonas Gahr Störe përjashton mundësinë e një pazari mes NATO-s dhe Rusisë.

„Mendoj se këto gjëra nuk duhen ndërlidhur. Në interesin e Rusisë dhe NATO-s është që misioni në Afganistan të vazhdojë dhe të përgatitet kalimi i pushtetit në duart e forcave afgane të sigurisë. Kjo është thënë qartë para dy ditësh edhe në Bon“, tha ai.

Për ndërtimin e rrjetit të raketave për mbrojtje do të bisedohet me Rusinë të enjten (8.12.), në Bruksel, në samitin NATO-Rusi.

Autor: Christoph Hasselbach/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi