Negociata konkrete apo një " show" i ri i Çavezit? - Samiti i BE-së në Amerikën Latine
14 Maj 2008Rezultatet konkrete ishin në të vërtetë modeste por të paktën efekti "show" ishte mbresëlënës në samitin e mëparshëm të BE-së dhe Amerikës Latine, takimin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive nga Amerika Latine, Karaibet dhe Europa në Vjenë në vitin 2006. Hugo Çavez, presidenti i Venezuelës i njohur për provokime populiste në drejtim të SHBA u bë edhe njëherë objekt i kryetitujve të gazetave, ofendoi BE-në dhe u takua me përfaqësues të skenës alternative. Me krahasimin e tij të Merkelit me Hitlerin, Çavez u soll sërisht tërësisht pa respekt dhe pa vend. Por Çavez nuk është Amerika Latine, rajoni mes Rio Grandes dhe Tokës së Zjarrit përfaqëson interesa të shumtë dhe të larmishëm. Për këtë arsye edhe këtë herë në Lima nuk do të jetë e lehtë të bihet dakort për objektiva të përbashkët.
Diferencat janë të mëdha: Amerika Latine përjeton që prej dështimit të politikanëve neoliberalë në fund të viteve '90 një zhvendosje majtas, herë më radikale e herë më të moderuar. Ndërkohë në Europë mbizotëron toni konservator. Këtu nuk duhet harruar se rajoni gjigand nga Meksika deri në Kili me 500 milionë banorë dhe aleanca konkurruese ekonomike dhe tregtare prej kohësh nuk flet në unison. Negociatat konkrete nuk bëhen më të thjeshta për këtë arsye. Në pjesën më të madhe të rasteve jepen vetëm prononcime strategjike. Por komisarja e BE-së për politikën e jashtme Benita Ferrero-Valdner nuk heq dorë nga shpresa:
"Ne kemi arritur jashtëzakonisht shumë dhe jemi në procesin e përpunimit të mëtejshëm. P.sh. kohezioni social ishte një nga temat e mëdha në Vjenë. Tani ai është vënë në rend të ditës edhe nga vetë latino-amerikanët pasi duhet vënë në jetë me politika konkrete tatimore dhe financiare. Fjala është për çështje që prekin njerëzit. Ne nuk mund të ndalojmë që Çavez të mbajë një samit të tijin. Në fund të fundit ne jetojmë në një shoqëri të lirë."
Bashkimi Europian ka interes të madh në kontinentin jugamerikan të pasur me energji dhe lëndë të para, i cili afrohet më shumë se çdo rajon tjetër në botë me Europën sa i takon vlerave dhe formave demokratike shtetërore. Ky rajon është i nevojshëm për zgjidhjen e shumë problemeve globale. Në kryeqytetin e Perusë Lima do të diskutohen para së gjithash çështje sociale dhe të ndryshimit të klimës. Varfëria dhe uria në Amerikën Latine në përputhje edhe objektivat e mileniumit të Kombeve të Bashkuara duhet të përgjysmohen deri në vitin 2015 thotë komisarja e BE-së Ferrero-Valdner:
"Në Lima do të diskutojmë vënien në jetë të koncepteve për një politikë sociale efektive. Ajo duhet të ketë si rezultat që askush të mos vuajë më nga uria, që çdokush të ketë mundësinë e përkujdesit shëndetësor, që çdo djalë dhe vajzë të ndjekë shkollën fillore dhe që të gjithë të kenë ujë të pijshëm të pastër. Veç kësaj duhen hapur më shumë vende pune dhe duhet bërë edhe shumë më tepër."
BE-ja ndjek në Amerikën Latine shumë projekte për zhvillim. Në Nikaragua për shembull ajo siguron për shumë rajone rurale furnizimin me ujë, struktura sanitare dhe programe shkollimi. Komisari i BE-së për tregtinë Peter Mandelson beson se Amerika Latine ka një shans të vërtetë për të kapërcyer varfërinë e rëndë pasi ekonomia rritet me ritme të shpejta në rradhë të parë falë çmimeve të larta të eksporteve të energjisë. Paratë duhet të investohen tani në sektorët e duhur, p.sh. në bujqësi thotë Mandelson:
"Amerika Latine ashtu të si tjerët ka ndier çmimet në rritje të ushqimeve. Unë shpresoj që gjatë samitit të biem dakort për përgjigje të përbashkëta. Kjo ka të bëjë si me ndihmën në ushqime për të varfërit ashtu edhe me rritjen e prodhimit në bujqësinë e vendeve në zhvillim. Në duhet t'i bëjmë tregjet për bujqësinë të hapura dhe me akses për të gjithë në mënyrë që fshatarët të prodhojnë atë që është e nevojshme dhe produktet ushqimore të mbërrijnë aty ku nevojiten."
BE-ja do të ushtrojë trysni mbi vendet e Amerikës Latine për një angazhim më të madh në mbrojtjen e klimës. Një nga kërkesat në këtë drejtim është dhënia fund shkatërrimit të pyjeve tropikale. Zgjerimi i sipërfaqeve bujqësore edhe për bimë nga të cilat përftohet karburant biologjik duhet të bëhet duke respektuar mjedisin. Të dy kontinentet duhet të kutojnë se duhet të punojnë së bashku për mbrojtjen e klimës, u shpreh komisarja e BE-së për marrëdhëniet me jashtë Ferrero-ëaldner.
Samitet mes BE-së dhe Amerikës Latine zhvillohen çdo dy vjet.