Netanjahu takohet në Uashington me Obamën
1 Tetor 2013Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka përfocuar qëndrimin e vendit të tij lidhur me konfliktin atomik me Iranin. Sanksionet do të duhej të mbahen, tha Netanjahu pas një bisede me Barack Obamën në Uashington. Netanjahu i kërkoi presidentit amerikan që pavarësisht nga sinjalet e fundit pozitive nga Teherani, të mos hiqet dorë nga sanksionet e ashpra.
"Programi bërthamor ushtarak i Iranit duhet të shpërbëhet. Irani është i gatshëm të shkatërrojë Izraelin", paralajmëroi Netanjahu. Obama siguroi Netanjahun se ai do të mbajë një "qëndrim të qartë" në negociatat ndërkombëtare për këtë temë. SHBA-ja nuk e përjashton asnjë opcion të mundshëm, pra as opcionin ushtarak, tha presidenti pas takimit me Netanjahun në Shtëpinë e Bardhë. Pas toneve pajtues nga Teherani, Obama tashmë do t'i japë diplomatëve edhe një shans për zgjidhjen e konfliktit.
Presidenti i ri iranian Hassan Rohani pas zgjedhjes së tij në këtë post në qershor ka ofruar një ton më të moderuar ndaj Perëndimit duke siguruar se vendi i tij në asnjë mënyrë nuk po punon për prodhimin e armëve bërthamore. Ky qëndrim i tij dhe biseda me telefon e presidentit Obama me vetë Rohanin u cilësua si një kthesë e rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve. Por Izraeli mendon se Irani gënjen dhe po e përdorë këtë strategji vetëm për t'i hedhur hi syve të ndërkombëtarëve, sepse sipas krerëve të lartë izraelitë, Irani vazhdon të njëjtën rrugë sikurse deri tani me qëllim prodhimin e një bombe atomike. Madje Netanjahu pretendon se ka dhe prova te reja që dëshmojnë për përpjekjet e Republikës islamike që të prodhojë armë bërthamore. Për izraelitët programin bërthamor iranian është një kërcënim serioz jo vetëm i vendit të tyre, por edhe i gjithë botës.