Netanjahu takon Obamën në Uashington
6 Mars 2012Lidhur me konfliktin për programin atomik iranian Netanjahu nuk është i sigurtë se është e mundur ende një zgjidhje paqësore. Deri tani as diplomacia dhe as sanksionet nuk kishin treguar rezultat, tha Netanjahu gjatë një vizite në Uashington.
Izraeli merr mbështetje të fuqishme nga SHBA
Në të njëjtën kohë ai bëri të qartë se vendi i tij rezervon të drejtën për vetëmbrojtje. Gjatë një takimi të tij me presidentin amerikan Barack Obama dolën në pah më parë mospajtimet lidhur me hapat e mundshëm ushtarak kundër Iranit për të cilin dyshohet se po ndërton fshehurazi një bombë atomike. Obama e përsëriti edhe një herë mbajtjen e të gjitha opcioneve të hapura, por theksoi se ende mund të ketë zgjidhje diplomatike për konfliktin. Megjithatë ai i siguroi Netanjahut mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. "Angazhimi i SHBA-së për sigurinë e Izraelit është i fortë si shkëmbi", tha Obama.
Amerika e vendosur kundër një Irani me armë bërthamore
Më parë presidenti amerikan gjatë një takimi me Komitetin amerikano-izraelit theksoi se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara janë të një mendimi: Teherani nuk duhet të ketë një armë bërthamore."Krerët e Iranit duhet ta dijnë se unë kam një politikë kontrolli por unë ndjek politikën e ndalimit të Iranit nga përvetësimi i një arme bërthamore".
Obama ritheksoi vendosmërinë e Amerikës për të mos e lejuar Iranin të prodhojë armën bërthamore. Irani nga ana e tij ka këmbëngulur për një kohë të gjatë se programi i tij bërthamor ka synime paqësore.
Autor: dpa/Mimoza Kelmendi
Redaktoi: Esat Ahmeti