1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga fëmijë gjeni në mjeshtër dirigjimi - Lorin Maazel

Rick Fulker14 Korrik 2014

Artisti nga SHBA-ja më 13 korrik ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Castleton Farms në shtetin Virginia nga infeksioni në bronke. Pas një karriere të gjatë e të plotësuar maestroja ndahet nga jeta në moshën 84 vjeçare.

https://p.dw.com/p/1Ccmg
Lorin Maazel is gestorben
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ai ishte një ndër dirigjentët më të rëndësishëm në botë. Por ai ishte edhe një violinist e kompozitor i talentuar, fliste shtatë gjuhë, kishte një vesh absolut dhe një memorje vizuale, gjë që i lejonte atij t'i dirigjonte përmendësh shumicën e partiturave. Kur ishte njëmbëdhjetë vjeç, maestro Arturo Toscanini e ftoi atë të drejtonte Orkestrën Simfonike NBC. Muzikantët e përshëndetën "fëmijën gjeni" me biberona në gojë gjatë provës së parë, por shumë shpejt ata mësuan që ta vlerësojnë atë me seriozitet - ashtu si dhe pjesa tjetër e botës.

Talent i jashtëzakonshëm dhe një karrierë e shkëlqyer

Lorin Maazel lindi më 6 mars 1930 në Paris si bir i prindërve hebrej me orgjinë ruse nga SHBA-ja. Dy vjet më vonë familja u kthye në SHBA dhe Lorin u rrit në Pittsburgh. Talenti i tij u zbulua shumë shpejt: Ai ishte pesë vjeç kur merrte mësim vionline, në moshën 7 vjeçare doli për herë të parë në skenë. Maazel themeloi kuartetin e harqeve dhe luante violinën e dytë në Orkestrën Simfonike të Pittsburg-ut, përpara se të niste studimet në filozofi, matematikë dhe gjuhësi.

Në vitet 1960 Lorin Maazel në Gjermani kishte dy funksione njëkohësisht: Drejtor muzikor i Operas Gjermane në Berlin dhe Kryedirigjent i Orkestrës Simfonike të Radios në Berlin. Maazel ishte i pari amerikan dhe dirigjenti më i ri në pultin e Festivalit të Wagnerit në Bayreuth si dhe në Festivalin e Mozartit në Salcburg. Karizmatik dhe i qetë ai kërkonte shuma astronomike për angazhimin e tij si dirgjent, dhe ai shpërblehej ashtu siç dëshironte.

Goditje dhe mirënjohje

Dukej se asgjë nuk mund ta ndalte karrierën e shpejtë të Maazel-it. Por në fillim të viteve 1980, kur ai ishte i angazhuar në Operan e Vjenës, me sa duket për shkak të një intrige ai humbi postin pas vetëm dy vjetësh angazhim. Një goditje tjetër atij iu desh ta përballojë në vitin 1989. Pas vdekjes së Herbert von Karajan-it, Maazel ishte favorit për ta pasuar atë në postin e drejtuesit të Filharmonisë së Berlinit. Por ky post iu besua Claudio Abbado-s. Maazel i mësuar me suksesin reagoi ashpër duke anulluar si pasojë e këtij vendimi të gjitha angazhimet e planifikuara me orkestrat e njohura në mbarë botën. Kritika e akuzoi atë si tejet të ndjeshëm dhe të papërmbajtur.

Më vonë ai u pajtua me Filharmoninë e Vjenës. Ndër të tjera prej këtij angazhimi ai u bë i njohur për një publik disa milionësh në mbarë botën edhe përmes transmetimeve drejtpërdrejt në televizion të koncertit tradicional të Vitit të Ri nga Filharmonia e Vjenës.

Maazel-i i palodhur punonte në disa kontinente. Angazhimet më të gjata ai i ka pasur në Orkestrën Simfonike të Pittsburgh-ut, në Orkestrën Kombëtare të Francës, Orkestrën Simfonike të Radio Bavarisë, asaj të Nju Jorkut dhe së fundi në Filharmoninë e Mynihut. Si dirgjent i ftuar përgjatë karrierës së tij 72 vjeçare Maazel ka drejtuar mbi 150 orkestra. Ai ishte i bindur, që artin e dirigjimit e zotëronte kaq mjeshtërisht, sepse ai vet ka qenë i ulur dikur si violinist në karriken e orkestrantit. Si rrjedhojë ai e dinte shumë mirë, se çfarë pritej prej orkestrantit.

Lorin Maazel Dirigent Wiener Philharmoniker Proben
Lorin Maazel duke dirigjuar Filharmoninë e Vjenës gjatë provave për koncertin tradicional të Vitit të Ri, 28 dhjetor 2004Fotografi: picture alliance/AP Photo

Pikëpmje jashtë kohës

Dukej gjithçka shumë e thjeshtë, fare e thjeshtë, sipas disa kritikëve. Maazel gjatë dirigjimit të linte përshtypjen se ishte i qetë, ndonjëherë madje i paafrueshëm sado të komplikura që të ishin kompozimet. Kritika vlerësonte precizionin dhe elegancën e tij, por dëgjonte tek ai edhe tonin e rutinës e të shkëlqimit që ecnin me rrymën dhe jo tonet e një shpriti luftarak krijues.

Megjithatë Maazel nuk ua vinte veshin të tilla deklarimeve. I vetëdijshëm ai mishëronte virtytet e një epoke të kaluar duje deklaruar: "Sot ka dirigjentë, që nuk e kanë idenë e zhvendosjes së tonaliteteve. Sot gjithçka mësohet prej disqeve dhe kësisoj bëhen përpjekje për të dirigjuar. Në këtë mënyrë as nuk mund të dirigjosh, as nuk mund të kompozosh e as të luash instrument. Eshtë vërtetë dëshëpëruse dhe unë shpresoj, që sërish të kthehemi në kohën e Mendelssohn-it, kur gjithkush në mënyrë të vetëkuptueshme gjithçka e bënte vet. Sepse specializimi në këtë mënyrë në fakt do të thotë; mungesë talenti."

Lorin Maazel, fotografi nga një koncert në Vjenë, 01.01.2005
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Mëse një herë Maazel pat deklaruar, se do të tërhiqej nga pulti i dirigjentit për të gjetur më shumë kohë për të kompozuar. Këtë ai nuk e vuri kurrë në jetë, deri pak para vdekjes ai qëndroi në skenë në pultin e dirigjentit. Ai lë pas një numër të madh regjistrimesh dhe disa kompozime - ndër to edhe operan "1984", e cila pati premierën në vitin 2005 në Londër. Veç kësaj në vitin 2009 bashkë me gruan e tij gjermane, aktoren Dietlinde Turban-Maazel, në afërsi të shtëpisë së tij ai hodhi gurin themeltar të Castleton Festival, ku prezantohen muzikantët e rinj me talent premtues.

E në fund edhe futbolli

Zemra e Maazel rrihte jo vetëm për muzikën, por edhe për futbollin. Në vitin 2013 asokohe kryedirigjent i Filharmonisë së Mynihut me orkestrën e tij ai interpretoi himnin e klubit të futbollit të Bajernit të Mynihut - një pohim ky për ekipin e tij të preferuar, pak para se ky klub të ndeshej me Borussia Dortmund në finalen e Champions-League. "Muzika ka humbur një ndër yjet e mëdhej të saj dhe FC Bayern një mik", u shpreh pas marrjes së lajmit për vdekjen e Lorin Maazel, Karl-Heinz Rummenigge, kryetari i kryesisë së klubit, që mban rekordin me titujt kampion kombëtar në Gjermani.