Ngrihet Qendra e Evropës Juglindore për Fëmijët e Humbur dhe në Shfrytëzim
28 Tetor 2010E ngritur në fillim të rrugës Spiru Llui, në sheshin Kastalia, të Marusit, njërit prej distrikteve më të kamura të Athinës, Qendra e Evropës Juglindore për Fëmijët e Humbur dhe në Shfrytëzim nuk ngjall veçse interesim dhe aspak bezdi tek kalimtarët. Ndoshta pse titulli i saj impozant i kujton më së miri gjithsecilit se çdo të thotë kur humbet gjënë më të çmuar siç janë fëmijët.
“Fëmijët janë e ardhmja. Në qoftë se një shoqëri nuk përkujdeset për fëmijët, nuk mund të ketë të ardhme. Për fat të keq jemi në vitin 2010 dhe flasim për fëmijë që vuajnë, keqpërdoren, për fëmijë që shfrytëzohen. Një gjë paradoksale, pasi kanë kaluar vite nga nënshkrimi i Konventes për të Drejtat e Fëmijve, por ato nëpërkëmben. Jo vetëm në vendet e pazhvilluara por edhe në vendet e zhvilluara” thotë për Deutsche Wellen punonjësja sociale dhe shefja e linjave 1056 dhe 116.000 Ioana Lagumxi dhe e ilustron me faktin se “60% e këtyre fëmijve janë grekë”. Ajo nuk e fsheh kënaqësinë e saj për godinën e inaguruar dhe pajisjet e saj moderne në saj të ndihmës së donatorëve privatë. Se shteti është shumë luajal me deklarata, por “nuk vë dorën në xhep”.
Një godinë e dytë e ngjashme ishte inaguruar të nesërmen në Selanik. I pranishëm edhe Jim Cannavino, presidenti i Qendres Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur dhe në Shfrytëzim që ndërmori nismën për Evropën Juglindore në bashkëpunim me fondacionin grek Buzëqeshja e Fëmijës. “Sado godina që të kishim do t'i mbushnim me fëmijët që janë nëpër rrugë” thotë për Deutsche Wellen presidenti i këtij fondacioni Kostas Janopullos, që siç sqaroi ditën e inagurimit të Qendres së Selanikut fondacioni u “buzëqeshi” 850 fëmijve të rrugës, por nuk mundi ta bëjë dhe për 1.200 fëmijë të tjerë. Janopullos ishte nga nismëtarët më të flaktë të Qendres, ashtu siç ishte dhe mbetet shpirti i ngritjes nëntorin e vitit 1995 të fondacionit që mbart edhe vulën e dhimbjes së tij familjare. Shkas ishte fleta e 9 nëntorit 1995 e ditarit të djalit të tij 10vjeçar Andreas Janopullos pak para se të ndahej nga jeta për shkak të kancerit, ku shkruante: “Të gjithë dimë, diskutojmë për disa fëmijë nëpër rrugë, që u mungon buzëqeshja... Le tu japim çtë mundim fëmijve të varfër: shqiptarëve të vegjël, fëmijve të bardhë dhe të zinj, fëmijë janë që të gjithë dhe meritojnë një buzëqeshje”.
Ngazëllimi i vogëlushit 8 muajsh, Marios, dhe llastimi i esmerës katërvjeçare, Irinit, nga Shqipëria, tek kujdestarja e tyre Vasiliqi Skambugjira u kapte faqet, siç e konstatuam pak më pas në vatren “Buzëqeshja e Fëmijës”, disa rrugica më poshtë qendres ballkanike, nuk ishte veçse mishërimi i amanetit fëminor të buzëqeshjes. “Strehojmë gjithsejt 29 fëmijë, të moshës që nga katër pesë muajsh deri 12 vjeç. Siç e patë që nga mënyra se si janë ndarë ambjentet, se si reagojmë ne por edhe fëmijët, kemi të bëjmë me vatër familjare dhe jo mjedis fondacioni” thotë edukatorja Stefania Teku duke e dëshmuar natyrshëm dhe me buzqeshjen e saj karakteristike. Dhe të mendosh, siç sqaron, se të “gjitha rastet janë forma ekstreme braktisjeje dhe keqtrajtimi, fëmijë të dërguar me urdhër prokurori dhe histori tronditëse” që ajo e ka të vështirë të veçojë ndonjerën si më “prekëse”. Dhjetë vatra të tilla ka ngritur Janopullos në gjithë Greqinë.
Sa për Qendren e Evropës Juglindore për Fëmijët e Humbur dhe në Shfrytëzim, të theksojmë se do të funksionojë në rrafshin operacional dhe jo si vendstrehim për fëmijët e humbur dhe të evidentuar apo të trafikuar. “Krijimi i qendrës ka për synim të krijojë marrëdhënie më të mira me vendet e Evropës Juglindore” thekson Janopullos, i cili e parafytyron si një ombrellë për fëmijët e viktimizuar pasi do të ketë si synim “parandalimin dhe luftimin e fenomeneve të dhunës, keqtrajtimit seksual dhe shfrytëzimit, por edhe evidentimin e fëmijve të humbur para se të trafikohen nga një vend i rajonit nëpër vendet e tjera”. Janopullos flet për “një mentalitet dhe praktikë të re të filluar që në vitin 2007” me trajnimin e personelit nga Bullgaria, funksionimin e qendres Focus në Rumani dhe përpjekjet për krijimin e një linje në Shqipëri. Në cilin vend të rajonit është më i mprehtë problemi? “Aktualisht problemi shfaqet më i madh në Bullgari, në Rumani dhe pastaj në Shqipëri” thotë Janopullos duke sqaruar se identiteti evropian i dy vendeve të para favorizon trafikantët e fëmijve që arrijnë deri në Gadishullin Iberik. Dëshmi e hidhur vetë faqja e Internetit e linjës SOS-1056 me fotografitë e 7 fëmijve të humbur. Midis tyre edhe ajo e 15 vjeçarit Artur Çaria të zhdukur nga Elbasani në vitin 2004.
Qendra ndodhet në hapat e saj të para dhe ambicja e palës greke është që t'i bëjë vendet e rajonit “bashkëpartnere”, fillimisht me shkëmbimin dhe trajnimin personelit dhe më vonë pse jo dhe me vendosjen dhe të ndonjë eksperti siç bëri Franca duke treguar interesimin e saj për rajonin e Evropës Juglindore. “Në këtë sallë do të vihen në efiçensë linja 1056 për fëmijët në shfrytëzim ku do të angazhohen 15 vetë, punonjës socialë dhe psikologë, që në raste të veçanta mund edhe të shtohen” thekson Ioana Lagumxi, e cila sqaron se gjatë vitit 2009 e njejta linjë e Fondacionit të Buzëqeshjes së Fëmijës regjistroi 374.000 telefonata. Paralelisht do të funksionojë edhe linja 116.000 për fëmijët e zhdukur, e njohur si linja evropiane, që do të japë sinjalin e alarmit në të gjitha vendet që me deklarimin e humbjes së fëmijës diku nëpër rajon.
Linjat pritet që të marrin flakë me thellimin e krizës, pasi siç thotë Ioana “vështirësitë janë vetëm një hap larg braktisjes së fëmijve”. Por kështu në sprovë më të madhe janë vetë prindërit dhe shoqëria, që nuk duhet të harrojnë se buzëqeshja e fëmijve është kontrata më e sigurt me të ardhmen.
Autor: Niko Anagnosti
Redaktoi: Aida Cama