"Një ditë e mirë për rajonin" - Politikanë gjermanë përshëndesin fillimin e punës së Eulex-it
9 Dhjetor 2008"Është një ditë e mirë për gjithë rajonin dhe Kosovën. Qëllim i misionit është përmirësimi i qëndrueshmërisë dhe EULEX-i është një faktor tepër i vlefshëm për këtë," i tha Deutsche Welle-s kryetari i komisionit parlamentar për çështje të BE-së, Gunter Krihbaum (Gunther Krichbaum). Politikani demokristian është i mendimit se sfida kryesore e misionit të BE-së në Kosovë ka të bëjë me bashkëpunimin me vetë palën kosovare, por edhe me atë serbe në pjesën veriore: "Është një krijesë ende e brishtë. Le të kujtojmë kur disa muaj më parë u sulmuan stacionet kufitare nga qytetarë serbë. Kjo tregon se emocionet luajnë një rol shumë të madh," argumenton Krihbaum.
Ministri i shtetit Gernot Erler e përshëndet faktin, që mbas kaq shumë ecejakesh mes Kosovës, BE-së, OKB-së e Serbisë dhe më në fund u arrit një zgjidhje e kënaqshme për të dyja palët: "Marrëveshja e tanishme do të thotë një hap përpara në drejtim të shtetit ligjor dhe për përmirësimin e sigurisë, që mundëson ky mision. Janë gati 2000 vetë që po presin prej një kohe shumë të gjatë të bëjnë diçka të mirë për Kosovën. Tani kjo më në fund po ndodh", i tha Erler Deutsche Welles.
Rainer Shtiner (Reiner Stinner) është i mendimit, se misioni i Eulex-it ka nevojë për përkrahje të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian: "Problemi është se ne në Kosovë kemi të bëjmë me struktura kriminale që ndoshta kanë lidhje deri në organet shtetërore. Prokurorët dhe gjykatësit e EULEX-it do ta kenë të vështirë ta zhdukin këtë ferrë, në se Bashkimi Evropian nuk do ta mbështesë procesin në mënyrë afatgjate", ka thënë Shtiner në një intervistë me Deutsche Wellen.
Deputeti socialdemokrat Markus Mekel (Meckel) thotë se nga suksesi i EULEX-it do të varet e ardhmja e Kosovës dhe e tërë rajonit. "Unë nuk jam i vetmi që mendon, se e ardhmja e Kosovës varet nga suksesi i këtij misioni," ka thënë Mekel në një debat të zhvilluar javën e kaluar në parlamentin gjerman. "Këtë duhet ta kuptojnë edhe vetë njerëzit në rajon. Kjo vlen si për Kosovën dhe politikën e saj ndaj pakicave, ashtu edhe për Serbinë, e cila duhet ta shohë që nuk është dështimi, por suksesi i këtij misioni ai që do ta ndihmojë rajonin në rrugën e tij drejt Evropës."