1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një fshat në Kroaci qeveriset vetëm prej grave

Dunja Dragojveç28 Qershor 2006

Përbërja e parlamentit kroat është njësoj si në shumë parlamente të Evropës: vetëm 32 nga 151 deputetë janë gra, dhe kabineti qeveritar që ka 14 anëtarë përmban vetëm katër gra. Krejt ndryshe paraqitet situata në një fshat të vogël në ishullin Braç.

https://p.dw.com/p/AsF3
Pamje nga Kroacia
Pamje nga KroaciaFotografi: dpa

Losishtçe është një fshat piktoresk kroat me vetëm disa qindra banorë. Meqënëse fshati ndodhet në ishull, por jo direkt në det, deri para pak kohësh askush nuk e njihte këtë vend. Por gjatë muajve të fundit atje ka ndryshuar diçka thelbësisht, falë shtatë grave që po drejtojnë tani fatet e fshatit dikur të përgjumur.

Gjendja në Lositçe si kudo në Kroaci me zhvillimin lokal është e vështirë, sepse mungojnë paratë dhe ishulli ndodhet larg qendrës politike, Zagrebit. Politkanët "e vjetër" lokalë janë lodhur, zhgënjyer dhe kanë jetuar me ndjenjën, se fshati është harruar prej Zotit dhe prej botës, ndaj asgjë s´mund ta ndryshojë këtë. Vetëm tetë herë është mbledhur këshilli komunal gjatë mandatit shumë vjeçar të tij.

Gratë në shtëpi nuk ishin të kënaqura me situatën në fshat. Muri i mrekullueshëm me gurë në qendër të fshatit ka nisur të bjerë, rrugët janë me gropa dhe fshati ka nevojë për dritë. Ato i akuzonin burrat, se s´po bëjnë asgjë. Më në fund ato zhviluan një ide krijuese, duke thënë le të bëjmë diçka të çmendur, ne gratë të drejtojmë këshillin komunal.

Propozimi i lindur prej hallit dhe zhgënjimit fillimisht nuk u morr seriozisht, tregon kryetarja e këshillit lokal, Helena Valerijev: "Ka pasur reagime të tilla, si: e ç´kuptim ka kjo? Por më pas ne na propozuan, dhjetë prej nesh u propozuan. Kur u zhvilluan zgjedhjet shtatë prej nesh fituan. Kjo ishte lista e përfaqësuesve të shoqërisë civile. Ne nuk preferuam të hynim nëpër parti, sepse menduam që kjo do ta vështirësonte punën."

Por gratë konstatuan, se puna ishte shumë më e vështirë nga sa e kishin menduar, sepse rrugët e politikës lokale janë të stërzgjatura, të ngadalshme dhe burokratike. Gratë, që qeverisin qysh prej disa muajsh në Lositçe, s´kishin aspak përvojë në politikë. Shumica e tyre janë shtëpiakë dhe pensioniste dhe këtë funksion të ri ato e kryejnë në mënyrë honorifike. Gratë konstatuan se ato sërish kanë mbetur në varësi të burrave, që ndodhen në funksione të larta drejtuese. Por kjo nuk i dekurajoi dhe ato e nisën punën nga më e vogla.

Valerijev: "Puna e parë që bëmë ishte organizimi i një feste për fëmijët me rastin e Krishtlindjeve. Ne porositëm ëmbëlsira në qendrën lokale të kulturës dhe festuam me fëmijët bashkarisht të rinj e të moshuar. Më pas vizituam të moshuarit nëpër spitale dhe azile, në fshatin tonë ka 30 syresh. Para s´kishim, por kryetari i bashkisë na dha një tallone në vlerën 20 euro për person. Të moshuarit i vizituam duke i çuar edhe dhurata, gjë që i preku jashtë mase ata, sepse s´kishin përjtuar kurrë një gjë të tillë."

Detyra tjetër që i kanë vënë qëllim vetes gratë është ndërtimi i një stacioni të mbuluar autobuzi, në mënyrë që fëmijët që presin në dimër autobuzin e shkollës të mos qëndrojnë në shi. Atyre u duhet të luftojnë paulodhur te kryetari i bashkisë dhe qeveria komunale për të marrë paratë për fshatin e tyre. Në fshat duhet të rregullohen rrugët me gropa, ndriçimi i rrugëve dhe duhet të restaurohet kisha.

Ato ia dalin që t´i marrin paratë më shpejt se paradhësit e tyre burra: "Ne shohim ndonjëherë atje, ku burrat nuk shohin", thotë kryetarja e këshillit komunal Valerijev. Zëvendësja e saj Zora Sapunar beson, se gratë parimisht kanë disa tipare që janë më të përshtatshme për politikë se burrat: "Ndoshta ne jemi më të përshtatshme për këtë punë, sepse jemi më këmbëngulëse. Ndoshta edhe sepse ne preferojmë të flasim më shumë se burrat. Nëse ne jemi bashkë kemi gjithmonë tema bisedash. Ne jemi shpesh në kontakt dhe pyesim njëra-tjetrën çfarë ke bërë, apo merremi vesh se kush ku do të shkojë."

Qëkurse janë aktive në politikë për shtatë gratë e Losiçes s´ka ndryshuar gjë në jetën e përditshme. Ato vazhdojnë të lajnë, të gatuahjnë, të hekurosin e të punojnë në fushë e krahas këtyre punëve merren edhe me politikë. Meqenëse rezultati është i prekshëm ato po i lavdërojnë dhe po gëzojnë mirënjohjen e banorëve të fshatit. Helena Valerijev: "Ka shumë njerëz, që na telefonojnë dhe shprehin mirënjohjen për angazhimin tonë. Ato thonë, se janë të gëzuar që ne i jemi përkushtuar kësaj detyre."

Falenderime e mirënjohje vinë edhe nga jashtë, sepse shumica e njerëzve nga Losiçe jeton jashtë vendit. Shumë kanë emigruar, pasi në vend nuk kishin perspektivë. Ndërsa tani ata shpresojnë, se shtatë gratë do të krijojnë kushtet që t´u mundësojnë atyre një ditë kthimin në atdhe. Këshilli komunal i përbërë nga gratë është i vetëdijshëm dhe nuk i lejon vetes që ta pengojnë "ujqërit e vjetër" të politikës lokale.

Ato janë prezente edhe në medie, pothuajse të gjitha gazetat kryesore në Kroaci kanë raportuar për punën e tyre. Edhe televizioni austriak, ORF, ka transmetuar një reportazh për historinë e grave të ishullit Braç. Sa i përket çështjes së barazisë gjinore shtatë gratë në qeverinë lokale e kanë kthyer pllakën dhe deklarojnë: "ne i lejojmë burrat në shtrat, por jo më në politikë."