Njeriu nën hijen e Mubarakut - Roli dhe influenca e Omar Suleimanit
11 Shkurt 2011Omar Suleiman, ditëlindja e të cilit jepet herë viti 1934, herë 1935 ose 1936, ka qenë që në fillim të viteve nëntëdhjetë në krye të shërbimit të përgjithshëm informativ (Moukhabarat). Suleiman, i lindur në zonën rurale të Egjiptit verior, ka marrë pjesë si oficer këmbësorie në të dy luftrat kundër Izraelit, në vitin 1967 dhe 1973.
Funksioni më i rëndësishëm i shefit elegant të spiunëve ka qenë ndërmjetësimi jozyrtar në konfliktin e Lindjes së Mesme, midis fraksioneve rivalizuese palestineze si dhe midis Izraelit dhe Palestinës. Kështu për shembull ai ka marrë pjesë në përgatitjet e evakuimit të Rripit të Gazës nga Izraeli si dhe në vendosjen e armëpushimit midis Izraelit dhe palestinezëve, përkatësisht Hamasit.
Suleiman bën pjesë në rrethin më të ngushtë rreth Mubarakut dhe është përmendur gjithnjë si pasardhës i mundshëm i presidentit. Në rastet më të spikatura diplomatike ai është shfaqur shpesh në krah të Mubarakut, megjithëse nuk e ka marrë fjalën asnjëherë. Edhe përndjekja pa kompromis e grupimeve ekstremiste si Gamaat Islamija dhe Xhihadi islamik në vitet nëntëdhjetë kanë qenë punë e Suleimanit, megjithëse thuhet se ai nuk është përzier në praktikat e torturave.
Autor: Hans Spross / Bahri Cani
Redaktoi: Esat Ahmeti