1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Njohje problematike - Kosova në prag të shpalljes së pavarësisë

Pëmblodhi artikullin e FAZ Anila Shuka14 Shkurt 2008

Shtetet perëndimore janë të vendosura që ta njohin Kosovën. Por ky është një hap me shumë pikëpyetje juridike dhe politike, shkruan profesor Georg Nolte në FAZ.

https://p.dw.com/p/D7eD
Logoja e gazetës Frankruter Allgemeine Zeitung

Siç është paralajmëruar, të djelën pritet shpallja e pavarësisë së Kosovës. Shtetet perëndimore janë të vendosur që ta njohin Kosovën. Por ky është një hap me shumë pikëpyetje juridike dhe politike. Në një artikull të botuar në numrin e të enjtes (14.02.) në të përditshmen gjermane, FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG (FAZ), profesori i të drejtës ndërkombëtare Georg Nolte, numëron problemet e lidhura me njohjen e Kosovës nga shtetet perëndimore.


Nolte prezanton fillimisht dy rastet më ekstreme, atë të Kroacisë, e cila u shkëput nga Jugosllavia dhe u njoh menjëherë nga bashkësia e shteteve dhe rastin e Biafrës në Nigeri. (Në vitin 1967 u krijua republika e Biafrës, por ajo u njoh vetëm nga katër shtete të parëndësishme, derisa në vitin 1970, mbas një ripushtimi nga ana e Nigerisë, u bë sërish pjesë e saj. shën. red.)

Rasti i Kosovës qëndron në mes të këtyre të dyve, sepse pavarësia e vetëshpallur do të njihet vetëm nga një pjesë e shteteve në botë: Ekzistenca e shtetit do të jetë e brishtë.


Si mund të justifikohet juridikisht njohja e Kosovës? Sipas Noltes, argumenti kryesor është realiteti i shkëputjes së Kosovës nga Serbia, e jo e drejta parimore për shkëputje. "Një Kosovë si rast precedent me të drejtë shkëputjeje përmban rrezikun e një interpretimi tepër të gjerë".


1244 e lë hapur çështjen e statusit final


Një problem tjetër është ai i rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999. Sipas Noltes, kjo rezolutë nuk thotë asgjë për statusin përfundimtar të Kosovës, por për "parimet e përgjithshme" të "zgjidhjes politike të krizës së Kosovës". Në bazë të interpretimit të profesorit të së drejtës ndërkombëtare, rezoluta 1244 kishte paraparë që me anë të një zgjidhjeje të mbikqyrur ndërkombëtarisht të krijoheshin kushtet politike për zgjidhjen përfundimtare statusit, i cili lihej i hapur. Mbas përpjekjeve të bëra sidomos nga Ahtisaari, një zgjidhje e tillë nuk u arrit. Dhe për një rast të tillë, pra atë të dështimit të negociatave, rezoluta nuk thotë asgjë.


Atëherë sipas Noltes rezoluta mund të interpretohet në mënyra të ndryshme: Ose që rezoluta kërkon patjetër një kompromis, qoftë me Serbinë qoftë në Këshillin e Sigurimit, ose që ajo kërkon vetëm "përpjekje serioze të palëve për të arritur "një marrëveshje të përkohshme kornizë".



Mundësia e anullimit si "Shpata e Demokleut" ndaj misionit civil


Pra, nëse nisemi nga ajo, që rezoluta nuk e ndalon njohjen e Kosovës, atëherë lind pyetja se a do të krijojë një rezolutë e re bazën juridike të nevojshme për praninë e misionit civil në Kosovë, pyet më tej Nolte. Përgjigja e tij: Nuk mjafton vetëm ftesa e qeverisë së Kosovës, sepse mundësia e anullimit të kësaj ftese do t'i qendronte mbi kokë misionit si "Shpata e Demokleut". Më i sigurtë do të ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje në bazë të së drejtës ndërkombëtare për vazhdimin e pranisë civile dhe ndërkombëtare. Në këtë marrëveshje Kosova duhet të garantojë njohjen e vazhdimësisë së rezolutës 1244.


Profesor Georg Nolte, i cili njëkohësisht është antar i këshillit shkencor të Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane, paralajmëron vende si Gjermania, e cila e konsideron veten si mbrojtëse të rendit botëror mbi bazënë e Kartës së OKB-së, se politika në të cilën ato kanë hyrë është e diskutueshme: "Besueshmëria e një politike të tillë do të dobësohet, nëse Gjermania pa qenë e detyruar do ta lëshojë terrenin e interpretimit të sigurtë të ligjeve ndërkombëtare." Kosova mund të krijonte një rast precedent për bashkësinë ndërkombëtare, si për shembull në Gjeorgji, paralajmëron Nolte.


Konkluzioni i tij: Është në dorë të secilës qeveri perëndimore që të zgjedhë si bazë të politikës së saj, një koncept të ligjit ndërkombëtar, i cili me të drejtë është i debatueshëm.