1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një dëshmi tjetër për masën e përdhosjes morale të ish-RDGj-së

Pandeli Pani13 Gusht 2007

Në arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit të RDGj-së në Magdeburg zbulohet një dokument tjetër, i cili dëshmon se në ish-RDGj ekzistonte një urdhër për përdorimin e armëve kundër atyre që donin të kalonin kufirin.

https://p.dw.com/p/BTTA
17 gusht 1962, kufitarët gjermano-lindorë duke arrestuar Peter Fechter për tentativë arratisjeje.Fotografi: AP

Zbulimi i dokumentit në arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit të RDGj-së, Stasit, në Magdeburg, i cili dëshmon se në ish-RDGj ekzistonte një urdhër për përdorimin e armëve kundër atyre që donin të kalonin kufirin, është në qendër të shtypit të ditës së sotme, që përkon me 46-vjetorin e ndërtimit të murit të Berlinit.

Gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung» heq një paralele mes urdhërit të gjetur në dokumentet e Stasit dhe atij të Hitlerit për shfarosjen e çifutëve:

Këmbëngulja me të cilën ish-krerët e RDGj-së e mohojnë ekzistencën e urdhërit për të qëlluar ndaj atyre që përpiqeshin të arratiseshin të kujton diskutimin makabër, nëse ishte Hitleri dora vetë ai që dha urdhërin për shfarosjen e çifutëve në Evropë. Sikurse dihet një urdhër i tillë nuk është gjetur as sot e kësaj dite. Por sikurse në perandorinë naziste nuk mund të përfytyrohej hedhja në punë e një makinerie të tërë shfarosjeje pa urdhër nga lart, edhe vrasjet apo përdorimi i armëve kundër atyre që donin të kalonin "murin antifashist të RDGj-së" nuk është bërë pa urdhër. Cili oficer do të kishte guxuar të jepte me kokën e vet një urdhër të tillë? Si dëshmon dokumenti i tanishëm për zbatimin rigoroz të këtij ligji që gjoja nuk ekzistonte, kujdeseshin madje skuadra të posaçme të Stasit."

Në gazetën «Nordkurier» (Neubrandenburg) lexojmë:

Me urdhëresën e zbuluar në Magdeburg, tani kemi në dorë dy dokumente që dëshmojnë për urdhërin për të qëlluar ata që përpiqeshin të kalonin kufirin. Kjo të bën të mendosh se nëpër dosjet e arkivave të zyrës për studimin dhe vlerësimin e veprimtarisë së Stasit gjenden edhe dokumente të tjera të këtij lloji. Një gjë gjithësesi është e qartë, dërguar me shkrim apo dhënë me gojë, urdhëri ishte i prerë: ndaj atyre që kalonin kufirin duheshin përdorur pa asnjë dallim armët. Nga ky urdhër nuk përjashtoheshin as gratë dhe fëmijët. Edhe vetëm ky fakt flet pro vazhdimit të investigimeve të dokumenteve të Stasit, sepse deri tani janë marrë në shqyrtim vetëm një e treta e dosjeve që gjenden në arkivat e Stasit. Kundër deklaratave të tipit "në RDGj nuk ishte edhe kaq keq", vijnë në ndihmë vetëm faktet."

Kurse «Kölnische Rundschau» shkruan:

Në 46-vjetorin e ndërtimit të murit të Berlinit bëhet publik një dokument që dëshmon se në ish-RDGj ka pasur edhe urdhëra me shkrim për të përdorur armët ndaj atyre që bënin tentativë për të kaluar kufirin. Një tjetër dokument me përmbajtje të tillë është gjetur edhe më herët, por ai ishte i njohur vetëm për botën shkencore. Gjetja e këtij dokumenti të ri tregon se sa e gabuar është kërkesa që dëgjohet në mënyrë të përsëritur sidomos në Lindje të Gjermanisë, që 17 vjet pas rënies së murit të Berlinit duhet t'u jepet fund investigimeve të miliona dosjeve të Stasit. Vlerësimi i këtyre dosjeve ka rëndësi të madhe, sepse nën kapakët e tyre fshihen të dhëna me rëndësi politike dhe historike.

Gazeta «Ostthüringer Zeitung» (Gera) thekson:

Studimet shumëvjeçare kanë arritur në përfundimin se edhe pse në ish-RDGj nuk ka ekzistuar në formën e një ligji ndonjë urdhër për të qëlluar ata që përpiqeshin të arratiseshin, ndaj tyre është hapur zjarr me armë. Në kufi janë vrarë njerëz që donin të largoheshin prej vendit. Madje edhe ata që kishin bërë tentativë për arratisje janë dënuar rëndë. Ky ishte realiteti, pavarësisht nëse zyrtarisht ishte dhënë apo jo urdhëri për këtë. Sot gjithkush e di se si veprohej dhe si jepeshin urdhërat. Çdo herë përpara se të merrnin patrullën përgjatë telave me gjëmba kufitarëve u bëhej rreptësisht e qartë se ata duhej t'i pengonin me çdo mjet që kishin në dorë ata që përpiqeshin të kalonin kufirin. Dhe mqs. të gjithë kufitarët kishin në dorë nga një kallashnikov, ishte e qartë që duhet t'i përdornin."

Gazeta «Süddeutsche Zeitung» (Mynih) vëren:

Psikologjia na mëson se ka gjëra që e ke më kollaj t'i bësh, se sa t'i thuash. Por me sa duket pa i hedhur fare gjërat në letër qenka e pamundur dhe në fund del dikush që ta thotë me shkrim se ç'duhet të bësh. Dokumenti i Magdeburgut na tregon se Stasi ishte në gjendje edhe ta formulonte me fjalë atë që ishte i gatshëm ta bënte me vepra, pra të qëllonte edhe mbi gratë dhe fëmijët. Pavarësisht prej pasojave juridike, ky dokument është një dëshmi për masën e përdhosjes morale të ish-RDGj-së.