Një Euromaidan i ri në Moldavi?
29 Qershor 2018Synimi i deklaruar i Aleancës së re nuk është lufta për pushtetin në Moldavi, por ajo kundër sistemit të dendur të oligarkëve, politikanëve të korruptuar dhe drejtësisë së penguar. Këtë aleancë e themeluan dy politikanët proevropianë opozitarë, Andrei Nastase, kryetari i platformës "Dinjiteti dhe e Vërteta" (DA) dhe Maia Sandru, kryetar i "Partisë Aksion dhe Solidaritet" (PAS). Aleancën e mbështesin përfaqësues të rëndësishëm të shoqërisë civile.
Shkas për protestat e reja masive ishte anulimi i zgjedhjeve të parakohshme lokale në 3 qershor në Cisinau. Nastase e fitoi me rezultat të qartë balotazhin kundër kandidatit socialist Ion Ceban, por votimi krejt papritur u anulua nga një gjykatë, gjoja për shkak të parregullsive. Gjykata e Lartë e konfirmoi vendimin. E papritur edhe sepse vëzhguesit ndërkombëtarë dhe kandidati i mundur vetë i quajtën zgjedhjet korrekte. Argumentimi i dobët i gjykatave ishte se fituesi pati bërë edhe në ditën e zgjedhjeve "agjitacion të palejuar". Kjo në një kohë kur Nastase u pati bërë thirrje zgjedhësve vetëm që të shkojnë të votojnë, pa u rekomanduar se cilin të votojnë. Kjo është e ndaluar, tha gjykata. Një përcatim të qartë për këtë nuk përmban ligji zgjedhor.
Vend i ndarë
Shumë moldavë e shohin votimin si përpjekje të dëshpëruar të Partisë Demokratike (PDM) në pushtet dhe të kryetarit të saj Vlad Plahotniuc, të oligarkut të madh dhe të personit që lëviz fijet në prapaskenë, për të penguar humbjen e kontrollit politik në vend. Në vjeshtë do të zhvillohen zgjedhje parlamentare dhe PD-ja sipas sondazheve mezi do ta kalojë pragun e hyrjes në parlament. Forca më e madhe politike janë socialistët (PSRM) e presidentit prorus Igor Dodon dhe Maia Sandus PAS. Jo vetëm opozita flet për një aleancë të fshehtë midis të ashtuquajturit demokrat Plahotnius dhe të socialistëve të Dodonit, me synimin e diskreditimit me çdo kusht të politikanëve proevropianë. Populli në vend është i ndarë. Shumë, veçanërisht të rinj i kanë kthyer kurrizin vendit për të gjetur punë në botën e jashtme dhe për të bërë një jetë normale.
Gjendje e tensionuar
Andrei Nastase flet për një "skenar Janukoviç" si ai në Ukrainë para pesë vjetësh. Një skenar të cilin Plahotniuc e zbatoi në Republikën e Moldavisë, thotë Nastase për DW. Kjo është e papranueshme për demokracinë dhe qytetarët. "Objektivi ynë është që të çlirohet vendi nga kjo darë mbytëse dhe të rivendoset normaliteti".
Edhe Bashkimi Evropian ka reaguar. Në një letër të nënshkruar nga e ngarkuara për politikën e jashtme Federica Mogherini dhe komisari i zgjerimit Johanes Hahn shkruhet se BE pret nga të gjithë personat përgjegjës respektimin e rezultatit të zgjedhjeve "i cili është pranuar nga vëzhguesit nacionalë dhe ndërkombëtarë dhe që pasqyron vullnetin e zgjedhësve." Për datën 1 korrik, aleanca e re ka sinjalizuar një demonstratë në qendër të qytetit. Pritet që në të të marrin pjesë shumë moldavas nga qytete të tjera.