1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një Gjermani tjetër pas zgjedhjeve në Lindje?

31 Gusht 2019

Zgjedhjet të dielën në landet lindore gjermane Saksoni dhe Brandenburg pritet të forcojnë dukshëm AfD-në. Pasojat për klimën politike në Gjermani mund të jenë largvajtëse, shkruan Auron Dodi.

https://p.dw.com/p/3OlnG
Gewitter in Dresden
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Michael

Të gjitha zgjedhjet rajonale në Gjermani ndiqen këtë vit me vëmendje të veçantë. Kjo vlen edhe për zgjedhjet e së dielës (01.09.) në Saksoni dhe Brandenburg, lande lindore, më parë territore në RDGJ.

Shkaku i përgjithshëm për vëmendjen ka të bëjë me pasigurinë për vazhdimin e koalicionit në qeverinë qendrore, në Berlin. Koalicioni midis konservatorëve të CDU/CSU dhe socialdemokratëve është pak i preferuar në popull. Shumë mendojnë se kompromiset në pikërëndesa, që bëhen për t'i mbajtur partnerët në qeveri, pengojnë dinamikën e plotë të qeverisë.

Kryesisht socialdemokratët, të dobësuar, e diskutojnë shpesh në parti daljen nga qeveria qendrore. Po të goditen rëndë të dielën në Brandenburg, në njërën nga kështjellat e tyre, diskutimi për prishjen e qeverisë qendrore do të rihapet. Po edhe konservatorët e CDU-së, po u goditën rëndë në kështjellën e tyre në Saksoni, do të hapin diskutimin si ta forcojnë ndikimin.

Dresdeni, kryeqyteti i Saksonisë
Dresdeni, kryeqyteti i SaksonisëFotografi: picture-alliance/dpa/M. Skolimowska

Shkaku specifik për vëmendjen të dielën, ka të bëjë me mundësinë reale që partia ultra e djathtë, Alternativa për Gjermaninë, AfD, të dalë partia e parë, në ndonjërin nga këto lande. Për herë të parë, pas Luftës së Dytë Botërore, një parti ultra e djathtë mund të dalë partia kryesore në një land të Gjermanisë. Kjo do të kishte pasoja, jo vetëm për Lindjen e Gjermanisë, por edhe për klimën politike në Gjermani.

Pakënaqësia në Lindjen e Gjermanisë 

Zhvillimi i Gjermanisë së ribashkuar është shoqëruar herë pas here me kritika e pakënaqësi, kryesisht në pjesën lindore të Gjermanisë. Së pari, mjaft gjermanolindorë kritikojnë mënyrën si u bashkuan dy Gjermanitë. Kritika është që ribashkimi qe thjesht eksport institucionesh, nga Perëndimi në Lindje. Duke eleminuar "për të mos humbur kohë" ato që nuk i rezistuan kolapsit ekonomik. Dhe jo simbiozë, që të integronte me largpamësi një pjesë të zhvillimeve ekonomike e sociale rajonale, në 40 vjet RDGJ. Te shumë gjermanolindorë ka pra një zhgënjim me gjermanoperëndimorët.

Në eksportin e institucioneve nga Perëndimi në Lindje bënte pjesë edhe eksporti i elitave drejtuese. Pas ribashkimit, elita drejtuese e institucioneve në Lindje erdhi nga Gjermania Perëndimore. Sociologë që folën me DW thanë se kjo elitë vazhdon edhe sot ta riprodhojë veten.

Termocentral me linjit në Jaenschwalde
Termocentral me linjit në Jaenschwalde Fotografi: picture-alliance/A. Franke

Së dyti, standardi i jetesës në Perëndim, fuqia blerëse dhe pagat mbeten më të larta se në Lindje. Këtu vazhdon një traditë - edhe para Luftës së Dytë Botërore, industritë kryesore dhe si rrjedhojë zhvillimi ekonomik kanë qenë përqëndruar në Perëndim të Gjermanisë. Sot, ikja e fuqisë punëtore nga Lindja për në Gjermaninë Perëndimore, ka lënë në Lindje në shumë vende, zona me zhvillim të ulët ekonomik. Në ato zona, në kohën e RDGJ, ka pasur kombinate e fabrika. Filialet e reja të firmave perëndimore janë të pakta. Gjendja shpirtërore e njerëzve që kanë mbetur është në përputhje me braktisjen.

Kjo ndonëse ristrukturimi i ekonomisë në Lindje mund të konsiderohet histori suksesi. Një studim i fundit i qeverisë britanike, për të zhvilluar Veriun e varfër të Anglisë, propozonte të studiohet përvoja e ristrukturimit të Gjermanisë lindore.

Por për gjermanolindorët nuk ka rëndësi vetëm standardi i jetës, të cilin e kanë më të lartë se më parë. Rol luan sa ndihen ata të përfillur dhe të kuptuar nga politikanët.

Së treti: gjermanolindorët përballen edhe me probleme të të gjithë gjermanëve: me zbrazjen e fshatrave dhe ikjen e njerëzve drejt qyteteve, me ndërprerje linjash trenash e autobusësh të rregullt, në zonat me shumë pak banorë. Në mënyrë specifike, për gjermanolindorët vlen që infrastruktura, lidhja me pjesën tjetër të Gjermanisë e landeve lindore, është më e dobët se ajo midis landeve perëndimore.

Restaurimi i pamjes së qyteteve në Gjermaninë Lindore
Restaurimi i pamjes së qyteteve në Gjermaninë LindoreFotografi: dpa

Papunësia në Lindje është më e lartë se në Perëndim: 6,6 përqind, përballë 4.7 përqind. Gjermanolindorët ndihen kështu pjesërisht, si viktima të ribashkimit.

Së katërti ka probleme, si të thuash tipike, që ka një minoritet me shumicën. Popullsia në Lindje përbën vetëm 17 përqind të popullatës së Gjermanisë. Dhe ajo ndihet e mospërfillur nga shumica. Si shembull citohet që gjermanolindorët mbajnë vetëm 1.7 përqind të pozicioneve të larta në ekonominë, politikën dhe administratën gjermane. Këtë nuk e kompenson fakti që kancelarja e Gjermanisë prej mbi një dekade, Angela Merkel është gjermanolindore. Dhe që Presidenti i kaluar i Gjermanisë, Joachim Gauck qe gjithashtu gjermanolindor.

Çfarë u ofron AfD-ja njerëzve në Lindje?

Deutschland AfD Parteitag in Magdeburg
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

Për kujtesë: AfD-ja  u formua para gjashtë vjetësh si parti skeptike ndaj euros. Por forcimin e vërtetë e pati me kundërshtimin e rreth 1 milion refugjatëve, që erdhën në Gjermani në 2015-ën. Sot AfD-ja është partia më e madhe opozitare në Bundestagun Gjerman, me 92 deputetë. Përfaqësohet në parlamentet thuajse të të gjitha landeve të Gjermanisë.

Por në një kohë që në rang Gjermanie, mbështetja për AfD-në është më pak se 13 përqind, në Lindje të Gjermanisë kjo mbështetja është thuajse dyfish më e madhe: 24 përqind.

Kjo në një kohë kur AfD nuk u ofron vërtet gjë të re gjermanolindorëve. Por AfD-ja shfrytëzon p.sh. ndjenjën e viktimës te disa, pas ribashkimit gjerman dhe u thotë njerëzve: kthesa politike e nisur atëherë, nuk ka marrë fund. Duhet të viheni më në fund në kontroll të fatit tuaj – e këtë e bëni me ne. Ne flasim hapur, themi të vërteta, prandaj nuk na duan, thotë AfD-ja. Themi p.sh. që duhet frenuar migrimi - mesazhi kryesor i AfD-së në këto zgjedhje rajonale. Dhe meqenëse në Lindje të Gjermanisë, një ndër dy vetë ka rezerva ndaj migrantëve (në Gjermaninë Perëndimore janë një në tre vetë), AfD-ja bëhet simpatike: u thotë njerëzve atë që duan të dëgjojnë. U ofron zgjidhje të thjeshtëzuara për hallet, si p.sh. dëbimin e migrantëve. AfD-ja është më e fortë atje ku njerëzit kanë frikë nga e ardhmja.

Populistët janë më të fortë edhe atje ku ka probleme ekonomike. Me shkarjen në recesion me 0.1 përqind të Gjermanisë, tremujorin e kaluar, re të errëta po vijnë edhe mbi Gjermani. Jemi larg pushimeve masive nga puna në uzina, gjë që AfD-ja do ta shiste si dështim të elitave. Por një rënie ekonomike mund të bëhet mesazhi i ri i AfD-së, pas migrimit.

Si mund ta ndikojë AfD klimën politike në Gjermani, po fitoi në Lindje?

Po të dilte partia e parë në një land lindor, ndikimi i AfD-së do të rritej. Por nuk është fjala për ndikim strukturor të AfD-së. Kjo pasi të gjitha partitë e tjera e kanë përjashtuar një koalicion me AfD-në, për formimin e qeverive të landeve.

Për shkak të AfD-së, pritet megjithatë që spektri politik në Saksoni e Brandenburg, e pas një muaji në Tyringen, të fragmentarizohet më fort. Për të formuar qeveritë e landeve do të duhen dy ose tre parti. Kjo mund të sjellë destabilitet, me të cilin nuk është mësuar Gjermania. 

Deutschland AfD Europawahlversammlung in Riesa
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Skolimowska

Fjala është për ndikim të AfD-së në opinionin publik. Është opinioni ai ku përgatiten veprime e zhvillime. Në opinion AfD-ja ndikon kryesisht me provokime. Sa më e fortë ndihet, aq më hapur provokon. P.sh. duke përdorur frymë nacionaliste.

Në landin jugor të Baden-Vyrttembergut, AfD-ja pyeti para disa kohësh në rrugë parlamentare: prej sa nacionalitetesh përbëhet trupa e operës dhe e baletit e landit? Një thirrje e tërthortë kjo për ta bërë sërish "më gjermane", me pak të huaj Gjermaninë. 

Ose shembull tjetër: AfD pyeti para disa muajsh në Bundestag: sa përqind janë të huaj, te fëmijët që lindin në Gjermani me të meta fizike e mendore? Jehonë e tërthortë e tezës ultra të djathtë, që të huajt janë parazitë, zhvatës e me sëmundje. Këto te opinioni sjellin në mendje kohët e errëta të nazizmit. Për të gjitha këto, zgjedhjet e së dielës dhe rezultati i AfD-së në to vlen të shihen me vëmendje.