1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Një gjykim katastrofal, që hedh hije mbi drejtësinë egjiptiane"

Diana Hodali / Angelina Verbica25 Mars 2014

Reagimet janë të ashpra pas dënimit me vdekje të 529 mbështetësve të Vëllazërisë Myslimane, ndërkohë që 600 të tjerë presin gjykimin. Mbetet të shihet nëse gjykata e apelit do ta mbështesë vendimin e shkallës së parë.

https://p.dw.com/p/1BVTi
529 Todesurteile bei Massenprozess gegen Islamisten in Ägypten
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në një proces unik në historinë e Egjiptit 529 mbështetës të Vëllazërisë Myslimane u dënuan të hënën (24.03.2014) me vdekje nga gjyqtari Said Yousef, 16 të tjerë u liruan. Vetëm 147 nga të dënuarit ishin të pranishëm në proces. Pjesa tjetër gjendet në arrati. Të dënuarit akuzohen se më 14 gusht 2013 kanë sulmuar dy stacione të policisë në Adua dhe Matay në provincën Minia në veri të Egjiptit. Gjatë sulmit u vra zëvendësshefi i policisë Mostafa El-Attar. Katër policë të tjerë u plagosën.

Përveç kësaj të dënuarit akuzohen si përgjegjës për sulmet ndaj ndërtesave qeveritare dhe plaçkitjet e kishave të të krishterëve koptë. Islamistët demonstruan në verën e vitit 2013 kundër shkarkimit të presidentit Mohammed Mursi nga ushtria. Pas shpërbërjes së kampeve të protestës në Kajro dhe Aleksandri nga forcat e rendit, me pasojë më shumë se 1000 të vdekur, pati trazira të përgjakshme në Minia, në veri të Egjiptit.

529 Todesurteile bei Massenprozess gegen Islamisten in Ägypten
Fotografi: AFP/Getty Images

Meqë nga aktakuza prekeshin mbi 1200 persona, procesi u zhvillua i ndarë për dy grupe. Për fatin e 600 të akuzuarve të tjerë do të vendoset këtë të martë (25.03.2014). Në mesin e tyre është edhe kreu i Vëllazërisë Myslimane, Mohammed Badie. Por edhe kundër presidentit të rrëzuar Mohammed Mursi dhe ish-kryeministrit të tij Hashim Kandil zhvillohen në Kajro disa procedura penale. Ata akuzohen për vrasjen e protestuesve, tradhëti dhe terrorizëm.

Dy ditë proces për 529 të akuzuar

Procesi në Minia u krye jashtëzakonisht shpejt. Dënimet u dhanë në ditën e dytë të gjyqit. Avokatët u ankuan, se nuk kishin pasur mundësi që të paraqisnin argumentet e tyre. "Vendimi nuk është marrë në kushtet e një shteti ligjor", thotë eksperti për Egjiptin Günter Meyer nga Qendra e Studimeve arabe në Mainz. Një dënim të ngjashëm masiv me vdekje nuk ka pasur në Egjipt. Prandaj ky vendim mund të shihet si një gjest kërcënimi i qeverisë së mbështetur nga ushtria.

A do ta mbështesë apeli vendimin

Vendimi kundër pjestarëve të Vëllezërisë Myslimanë nuk është ende në fuqi. Ata mund t'i drejtohen gjykatës së apelit. Vëzhgues si Tarek Fouda, kryetar i shoqatës së avokatëve në Minia, presupozojnë se kjo është e papranueshme. Eshtë evidente se gjykimi është i paligjshëm dhe në kundërshtim me të gjitha rregullat e gjyqësorit të pavarur, tha Fouda pas shpalljes së vendimit. "Ne jemi të vetëdijshëm për krimet, që janë kryer nga ana e Vëllazërisë Myslimane. Megjithatë, ne duhet të mbrojmë shtetin e së drejtës në Egjipt dhe të sigurojmë drejtësi për të gjithë."

Protesta në rrjetet sociale është e madhe. Një përdorues i twitter-it shkruante se ushtria dhe qeveria e përkohshme "e kanë grabitur revolucionin". Një grua e cilësonte vendimin si një "gjenocid legal" dhe një tjetër shtronte pyetjen se si 529 vetë së bashku kanë mundur të vrasin një polic.

529 Todesurteile bei Massenprozess gegen Islamisten in Ägypten
Fotografi: AFP/Getty Images

Vëlla mysliman i barabartë me terrorist

Vëllazëria Myslimane është e ndaluar që nga shtatori 2013 dhe është klasifikuar edhe si organizatë terroriste. Kushdo që ka lidhje me të, mund të arrestohet dhe të dënohet.

Me këtë ndalim qeveria e tranzicionit me mbështetjen e ushtrisë shkoi një hap më tej, seç ka bërë ndonjëherë sundimtari shumëvjeçar Hosni Mubarak. Gjykimi, thotë Günter Meyer nga Qendra e Studimeve për botën arabe në Mainz, renditet ndër masat, të cilat kanë për qëllim ta eliminojnë politikisht Vëllazërinë Myslimane.

Qeveria e përkohshme e bën përgjegjëse Vëllazërinë Myuslimane për përhapjen e terrorit në Egjipt. Në fakt gati të gjitha sulmet në vend, sidomos në Sinai, i ka marrë përsipër grupi i afërt me Al-Kaidën, Ansar Beit al-Makdis: "Pritet që dhuna në vend të shtohet përtej asaj, që është përjetuar deri tani nga grupet terroriste të afërta me al-Kaedën", thotë Günter Meyer.

Një provë e qartë, se ekziston një lidhje mes grupit terrorist Ansar Bait al-Makdis dhe Vëllazërisë Myslimane, qeveria nuk ka dhënë deri tani. Masat kundër shtimit të dhunës, thotë Günter Meyer, janë në fakt një justifikim për të vepruar kundër Vëllazërisë Myslimane dhe salafistëve. Fondet e organizatave të ndryshme joqeveritare, për të cilat dyshohet se punojnë me Vëllazërinë Myslimane, u ngrinë disa muaj pas shkarkimit të Mursit. Qeveria do në këtë mënyrë, që të pengojë një nga pikat veçanërisht të forta të Vëllazërisë Myslimane: angazhimin në bamirësi.

529 Todesurteile bei Massenprozess gegen Islamisten in Ägypten
Fotografi: AFP/Getty Images

Në ilegalitet

"Këto dënime me vdekje nënkuptojnë për Vëllazërinë Myslimane, se nuk mund të dalësh më si vëlla mysliman", thotë egjiptologu Günter Meyer." Shumë prej militantëve të tyre janë tani në ilegalitet. "Numri i tyre do të rritet pas dënimit."

Ka njoftime se në shkretëtirën e Libisë, pranë kufirit egjiptian, dhe në Sudan ka pesë kampe trainimi, në të cilat vëllezërit myslimanë nga Egjipti dhe salafistët përgatiten për sulme. Përveç kësaj në shoqërinë egjiptiane ka ende një mbështetje të madhe për Vëllazërinë Myslimane, kështu që atje ekziston një potencial i lartë rekrutimi", thotë Meyer.

Aktivistët e të drejtave të njeriut, përveç rrezikut të shtimit të dhunës mendojnë se vendimi i dënimit masiv me vdekje do të ketë edhe një tjetër pasojë: "Edhe në qoftë se kjo do të ndryshohet në gjykatën e apelit", thotë Gamal Eid, drejtor i Rrjetit Arab për Informacionin për të Drejtat e Njeriut (ANHRI), "ky gjykim katastrofal hedh një hije mbi drejtësinë egjiptiane."