Një institut rus për të drejtat e njeriut në BE
30 Tetor 2007Shtypi në Rusi ka lëvdata për idenë e ngritjes së këtij instituti. Data e themelimit dhe vendndodhja e Institutit të Ardhshëm Ruso-Evropian ende nuk është vendosur. Por detyrat e tij, presidenti rus Vladimir Putin i skicoi që në takimin e nivelit të lartë BE-Rusi në Portugali. Synimi do të jetë vëzhgimi i zgjedhjeve, vendosja nën lupë e gjendjes së minoriteteve nacionale dhe emigrantëve, si dhe konstatimi, se si paraqitet gjendja e lirisë së shtypit. Dhe kjo në Evropën Perëndimore.
Rusia synon pra të zbulojë deficite të të drejtave të njeriut në BE dhe t'i godasë ato. Këshilltari personal i Putinit, Sergej Jastrshembski deklaroi se do të kemi të bëjmë me një institut krejtësisht rus. Shumë gazeta ruse informojnë për propozimin e papritur të presidentit Putin në fundjavë. Atë e citojnë me hollësi. Për shembull me fjalinë: "BE e mbështet ngritjen e instituteve të tilla në Rusi, prandaj ka ardhur koha, që Rusia të bëjë të njëjtën gjë në BE." Këshilltari për BE i Putinit plotëson: Instituti Evropian në Sankt Petersburg merr 700.000 Euro nga perëndimi për të vëzhguar procesin elektoral në Rusi- një institut rus në Perëndim do të kishte saktësisht e simetrikisht të njëjtën detyrë dhe do të ketë po kaq para në dispozicion.
Ideja e institutit pritet mirë në Rusi
Komente për institutin e planifikuar nuk gjen në gazetat ruse. Por toni me të cilin autorët i kanë shkruar artikujt të lë të kuptosh se ata e konsiderojnë të mirë këtë ide. Jo vetëm politikanëve rusë u ka ardhur në majë të hundës me tërheqjet e vazhdueshme të vëmendjes nga Perëndimi për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe deficitet demokratike në vendin e tyre. Edhe popullsia ruse nuk do të dëgjojë për to. Rusinë e zemëron fakti që para nga perëndimi mbështesin organizata joqeveritare dhe opozitën. Tre milionë Euro u shpenzuan vetëm këtë vit nga BE për mbështetjen e demokracisë në Rusi, shkruan gazeta Izvestija. Sipas mënyrës ruse të interpretimit, kjo është ndërhyrje në punët e brendshme.
Rusia: Perëndimi me moral të dyfishtë
Krahas kësaj, Rusia e akuzon perëndimin për moral të dyfishtë: shkelje ka edhe në Perëndim. Kundërshtarët e G-8-ës u arrestuan që para takimit të nivelit të lartë në Hajligendam (Heiligendamm), minoritetet kombëtare dhe migrantët diskriminohen edhe në Perëndim, thonë në Rusi. Shtypin gjoja njëzëri jo të mirë për Rusinë në mediet perëndimore, politikanët rusë e shpjegojnë me mungesën e lirisë së shtypit atje. Kësaj i shtohen edhe qortimet se Rusia e përdor pasurinë e saj energjitike si armë dhe rrezikon me sjelljet kërcënuese ushtarake dhe largimin nga marrëveshja e çarmatimit të KSE një luftë të re të ftohtë. Eshtë e qartë: Rusia konsideron se e kanë vendosur mjaft në shtyllën e turpit. Instituti i ri do të tregojë: ju atje në Perëndim, nuk jeni më të mirë se ne.