1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Një laptop për çdo fëmijë"

Peter Philipp 2 Gusht 2007

Varfëria në vendet e botës së tretë mund të mposhtet më mirë përmes shkollimit. Për këtë fëmijëve në vendet në zhvillim do t'u vihen në dispozicion laptopë, që kushtojnë më pak se 100 euro.

https://p.dw.com/p/BPAZ
Kopjuterat specialë për projektin "One Laptop per Child".Fotografi: AP

Nicholas Negroponte, drejtor i "Massachusetts Institute of Technology" (MIT) pati një ide interesante për të luftuar varfërinë: lap-topë për fëmijët në vendet në zhvillim. Në këtë nismë do të marrin pjesë dhe shumë ndërmarrje të tjera. Fëmijëve në vendet në zhvillim do t'u vihen në dispozicion për të mësuar laptopë, që kushtojnë më pak se 100 euro.

Kjo pajisje ngjan me një kompjuter lodër të dyqaneve: Një këllëf shumëngjyrësh, një përdorim i thjeshtë dhe një ekran rrotullues. Jo ajo që imagjinon dikush për një laptop serioz, apo për një fletore shënimesh. Ky aparat i çuditshëm do të fillojë të prodhohet pas disa javësh nga firma taivaneze "Quanta", e cila njofton se do të prodhojë disa miliona aparatesh të këtij lloji.

Produktet e firmës "Quanta" janë të njohura në mbarë botën. Para disa vitesh nuk mund të imagjinohej, që do të prodhohej një lloj kompjuteri lodër. Ideja erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këtu nuk bëhet fjalë për një lodër.

Nicholas Negroponte zhvilloi nga kjo ide, një proçes të ri mësimdhënie, që përmban mesazhin "One Laptop per Child" "Një laptop për çdo fëmijë". Negroponte dhe bashkëpunëtorët e tij, që për t'ia arritur këtij qëllimi, themeluan një organizatë jofitimprurëse, janë të mendimit që dija duhet të mësohet si gjërat më elementare. Negroponte merr si shembull mësimin e të ecurit dhe të të qëndruarit në këmbë, që njeriu i mëson qysh i vogël pa vështirësi. Kompjuteri mund t´u ndërmjetësojë fëmijëve dijet në mënyrë zbavitëse si duke luajtur. Këto komjutera duhet t´u shpërndahen fëmijëve nga qeveria si librat shkollorë. Mbi të gjitha ato duhet të jenë të lirë. Mbi idenë "Laptop 100 dollarësh" Nicholas Negroponte shprehet: "60% e kostos të një lap-top i shkojnë shitjes, tregut, shpërndarjes dhe fitimit. Ne këto nuk i kemi."

Linux in Asien Symbolbild
Maskota e firmës Linux

Natyrisht ky kompjuter duhet të jetë më i thjeshtë se një lap-top normal. Të rëndësishëm janë ekrani, tastjera dhe lidhja me internetin. Shpejtësia shumë e lartë e kompjuterit apo memorja e tij nuk kanë aq shumë rëndësi. Po ashtu mund të hiqet dorë edhe nga programet shumë të shtrenjta, për këtë kompjuter do të përdoren programe të thjeshta dhe pa shumë kosto, si p.sh disa të firmës "Linux".

Në fillim firmat e mëdha kompjuterike, si Microsoft, ishin skeptike ndaj këtij projekti. Tani ato po përpiqen me çdo kusht ta mbështesin atë. Nicholas Negroponte shprehet se deri tani janë kryer tri teste për këtë projekt, njëri prej tyre në Kamboxhia:

"Pikërisht në një fshat në Kamboxhia, që nuk ka as drita, as ujë, as televizor dhe as telefon, por ka akses në internet. Fjala e parë anglisht, që dinë femijët është "Google". Ata njohin dhe "skype", edhe pse nuk kanë dëgjuar asnjëherë për rrjetin telefonik. Ata përdorin vetëm "skype". Kur kthehen mbrëmjeve, në shtëpi, kanë akses në internet, në një kasolle pa drita. Prindërit janë shumë entuziastë. Në një kasolle pa drita lap-topi është objekti më i ndriçuar, kur ndizet."

Në këtë projekt, që mbështetet nga politikanë dhe ekonomistë, marrin pjesë shumë firma të njohura. Shumë vende kanë vendosur të marrin pjesë në këtë projekt. Nigeria, për shembull, ka porositur miliona nga ky lloj kompjuteri. Kushti kryesor është, që fëmijët të kenë akses në internet. Ata mund të marrin informacione të ndryshme, të cilat i diskutojnë me mësuesit dhe midis tyre. Rezultatet e para të testeve janë befasuese, kryesisht sa i përket aktivizimit të prindërve dhe qeverive, në këtë projekt.

Çmimi 100 dollarë do të arrihet me kalimin e kohës. Në fillim këto laptop-e do të kushtojnë 50% më shumë. Por e rëndësishme është të ruhet stili i lojës zbavitëse të kësaj aparature, në mënyrë që të tërheqë fëmijët. Profesori i teknologjisë Negroponte është shumë i bindur rreth këtij projekti dhe shprehet: "Unë do t'i kushtohem deri në fund të jetës sime projektit "një laptop për fëmijë", asaj që po bëj edhe tani".