1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një miliardë euro për zonat industriale gjermanolindore

19 Shtator 2022

Rafineria Schwedt nuk do të përpunojë më naftë ruse në të ardhmen - dhe do të jetë nën kontrollin e federatës në Gjermani. Çfarë do të thotë kjo për furnizimin me naftë në Gjermani?

https://p.dw.com/p/4H1oT
Rafineria PCK Schwedt
Rafineria PCK SchwedtFotografi: Annette Riedl/dpa/picture alliance

Federata në Gjermani dhe landet federale duan të investojnë më shumë se një miliardë euro në Gjermaninë Lindore. Kancelari gjerman Olaf Scholz foli në Berlin për një "paketë të ardhshme" për zonën Schwedt në landin e Brandenburgut, zonën industriale Leuna në Saksoni-Anhalt dhe portet në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore.

Fondet do të vijnë nga federata dhe këto tri lande gjatë disa viteve. Vetëm Schwedt pritet të marrë fonde në shumën prej 825 milionë euro. "Loja e pokerit gënjeshtar ka mbaruar," tha Scholz. Tani bëhet fjalë për sigurimin e vendeve të punës. Pushimet nga puna duhet "të shmangen”.

Ky është një "vendim me pasoja të gjera i politikës energjetike për të mbrojtur vendin tonë," tha kancelari Scholz. "Rusia, e dimë prej kohësh, nuk është më një furnizues i besueshëm i energjisë. Ne nuk e morëm lehtë këtë vendim, por ishte i pashmangshëm."

Me vendosjen në administrim të besuar të Schwedt-it, Gjermania siguron furnizimin e saj me naftë në periudhë afatmesme dhe afatgjatë. "Ne po e bëjmë veten më pak të varur nga Rusia," tha Scholzi. Tubacioni nga Rostocku në Schwedt është i rëndësishëm në këtë drejtim. Furnizimi me naftë përmes rafinerisë PCK sigurohet edhe në rast të dështimit të dërgesave ruse, theksoi kancelari.

Robert Habeck, Olaf Scholz dhe Dietmar Woidke
Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Direktiva e administrimit të besuar është e vlefshme fillimisht për gjashtë muaj. Ajo e lejon Agjencinë Federale të Rrjetit të shkarkojë anëtarët e menaxhmentit dhe të emërojë të rinj, si dhe të nxjerrë udhëzime për menaxhmentin.

Po nga do të vijë nafta bruto për këtë vend të rëndësishëm?

Ka një rrugë të gjatë nga nafta e papërpunuar te karburanti në pompë. Pa rafineritë - si ajo në Schwedt në landin e Brandenburgut - pikat e karburantit do të thaheshin shpejt. Deri tani, nafta e destinuar për rafinerinë PCK në Uckermark vjen nga Rusia, përmes të ashtuquajturit gazsjellës "Druzhba". Rafineria Schwedt është në pjesën më të madhe në pronësi të filialit gjerman të grupit shtetëror rus Rosneft.

Por qeveria federale tani ndërhyri. Ajo e vendosi Rosneft Gjermani nën kontrollin e shtetit, domethënë konkretisht nën një administrim të besuar të Agjencisë Federale të Rrjetit. Kjo është ajo që ndodhi në prill edhe me filialin Germania të Gapzrom-it.

Edhe Gazprom Germania nën mbikqyrje

Në fillim të prillit, qeveria federale kishte vendosur tashmë filialin gjerman të Gazprom-it, Gazprom Germania, nën mbikqyrjen e Agjencisë Federale të Rrjetit. Edhe atje kjo masë fillimisht ishte kufizuar në gjashtë muaj, por tashmë është zgjatur. Kompania tani quhet Securing Energy for Europe (SEFE).

"Është shumë e rëndësishme të ruhet funksionaliteti i këtyre njësive. Qoftë në furnizimin me gaz, ruajtjen e gazit - ose përpunimin e vajit mineral," thotë analisti i energjisë Thomas Deser i Union Investment. "Këtu është thjesht e nevojshme të ruhet kapaciteti operativ, edhe në rast të vështirësive financiare apo vullnetit të keq të pronarëve aktualë”.

Rafineria ne Schwedt
Fotografi: HANNIBAL HANSCHKE/REUTERS

Të prekura janë edhe rafineritë e Karlsruhes dhe Vohburgut në Bavari, në të cilat Rosneft Gjermani ka gjithashtu aksione. Në fillim të vitit të ardhshëm hyn në fuqi ndalimi i importit të naftës nga Rusia, për të cilin shtetet e Bashkimit Evropian kishin rënë dakord që në fund të majit. Sipas informacioneve nga Ministria Federale e Ekonomisë, Gjermania tashmë ka ulur ndjeshëm pjesën e naftës ruse - nga 35 në 12 për qind. Rafineria Schwedt varet nga kjo pjesë e mbetur.

Me anije nëpërmjet Rostock-ut dhe Gdansk-ut

Është e vështirë të përfytyrohet që Rosneft-i të përdorë vullnetarisht naftë nga vende të tjera - prandaj ndodhi ndërhyrja e shtetit gjerman. Zëvendësimi i furnizimit nevojitet "për të garantuar kalimin e produkteve në treg, domethënë në pikat e karburantit”, shpjegon Deser.

Megjithatë, ky zëvendësim nuk është i vetëkuptueshëm. Flitet për dërgimin e naftës për në Schwedt me anije në të ardhmen - portet baltike të Rostock-ut dhe Gdansk-ut në Poloni mund të luajnë një rol. Në gusht, një cisternë që transportonte naftë bruto amerikane për Schwedt-in arriti tashmë në Rostock. Qyteti Hanseatik është i lidhur me rafinerinë me një tubacion. Dërgesat nga Kazakistani, për shembull, mund të transportohen nëpërmjet Gdansk-ut dhe të dërgohen në Schwedt.

Schwedt
Fotografi: Patrick Pleul/dpa-Zentralbild/dpa/picture alliance

Mbetet për t'u parë nëse sasitë do të jenë të mjaftueshme për të funksionuar me kapacitet të plotë rafineria. Ministria Federale e Ekonomisë kishte shpresuar kohët e fundit për një shfrytëzim të kapacitetit prej të paktën 75 përqind - falë dërgesave të naftës nëpërmjet Rostock-ut dhe Gdansk-ut. Me sa duket, Polonia e ka vënë kusht që grupi rus Rosneft të mos ketë më ndikim mbi rafinerinë Schwedt.

Naftë nga Deti i Veriut dhe rajoni i Gjirit

Sipas planeve, rafineria Leuna në Saksoni-Anhalt, e operuar nga grupi francez i energjisë Total Energies, duhet të arrijë një ngarkesë të ngjashme pune duke përdorur terminalet në Detin Baltik. Edhe Leuna furnizohej në të kaluarën nga gazsjellësi "Druzhba”, kryesisht me naftë bruto nga Rusia. Kalimi te furnizuesit e tjerë atje ka avancuar më shumë se te Schwedt-i: sipas të dhënave të kompanisë, pothuajse gjysma e naftës së përpunuar muajin e kaluar nuk erdhi nga Rusia, por nga Deti i Veriut ose Gjiri Persik.

Analistët, megjithatë, nuk përjashtojnë mungesën e karburantit në nivel rajonal. Por çmimi i benzinës dhe i naftës ka gjasa të varet më shumë nga tregu botëror dhe më pak nga shndërrimi i një rafinerie. Kohët e fundit tregu i naftës ka vuajtur nga dobësimi i ekonomisë globale. Çmimi i një fuçie të llojit Brent nga Deti i Veriut ka rënë ndjeshëm muajt e fundit. Ndërsa një fuçi naftë në mars ende kushtonte më shumë se 120 dollarë, çmimi i saj tani është rreth 90 dollarë.

 

aud (tgsch, S.Schreiber/ARD)