Një paketë jo e dashur ndihme
28 Shkurt 2012Angela Merkel duket e lodhur dhe e rraskapitur, kur del në foltore. Lodhja i vërehet edhe në rrathët nën sy. Në duar ajo mban deklaratën qeveritare për paketën e dytë të ndihmës për Greqinë. Ajo do të përfshijë 130 miliardë euro. Merkel dëshiron të përhap shpresë tek deputetët se ky është një investim i mirë, edhe pse bëhet fjalë për paketën e tretë të ndihmës. "Unë nuk dua të zbukurojë gjërat me fjalë," iu drejtohet ajo deputetëve "por Greqia ka bërë përparime." Dhe "programi i ri" do të ofrojë "zhvillimin e ri". Bankat duhet të tregohen të gatshme për një çethje të fuqishme të borxhit (53.3 për qind) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të përfshihet përfundimisht me një ndihmë “të konsiderueshme”. Megjithatë edhe pas fjalimit të Merkelit nuk u kuptua se për sa para bëhet fjalë saktësisht.
Dyshime në kampin qeverisës
Tre orë më vonë, pas debatit, kancelarja siguron shumicën e kërkuar në parlament. 496 deputetë u shprehen për, 90 kundër dhe pesë abstenuan. Një shumicë e gjerë, por jo edhe qetësuese. Merkelit iu desh ditëve të fundit të ballafaqohet edhe me dyshimet në radhët e partive në pushtet nëse Greqia mund të mëkëmbet vazhdimisht me paketa të reja të ndihmës. Në fundjavë vet ministri i Brendshëm Hans-Peter Friedrich (CSU) deklaroi se vendi do t'ia dilte mbanë më mirë pa euron.
Merkel shprehu mirëkuptim në fjalimin e saj në Bundestag për ata që dyshojnë. Megjithatë ajo nuk mund t'iu japë atyre të drejtë. Patetikisht ajo bashkon pëllëmbët e duarve, pothuajse duke u lutur, dhe thotë me një ton përgjërues: "Mundësitë janë më të mëdha se rreziqet". Ne do të përcjellim me kujdes se si do të përdoren këto para. Megjithatë kritikët e saj duan që t'i japin fund ndihmave miliardshe. "Ne nuk mund të vazhdojmë kështu," paralajmëron kolegu i saj i partisë, Klaus Peter Willsch. Kjo për Merkelin është shumë e rrezikshme. "Si kancelare duhet t'i futem rreziqeve por jo edhe aventurave. Ato mi ndalon posti im”, sqaron Merkel.
Opozita nuk sheh perspektivë
Megjithatë rezultati i kënaqshëm i votimit ka të bëjë me qëndrimin e ekologjistëve (Die Grünen) dhe të socialdemokratëve (SPD). Deputetët e këtyre dy partive opozitare ishin për paketën e ndihmës, por folësit e tyre e bën të qartë se vota e tyre nuk do të thotë edhe mbështetje për kancelaren Merkel. Kancelares iu desh të dëgjoj kritika themelore. "Të vonuara, të pakta dhe të përafërta", i cilësoi deputeti socialdemokrat (SPD) dhe ish ministri i Financave, Peer Steinbrück, veprimet e qeverisë federale. Ai u shpreh i tmerruar nga ajo që i kërkohet grekëve për këto ndihma. Ai pajtohet me atë që vendi duhet të tregohet i gatshëm për masa shtrënguese drastike dhe t'i nënshtrohet një kontrolli të rreptë financiar. Por Steinbrück, megjithatë nuk sheh asnjë perspektivë për popullatën. "Mungon një plan konkret për investime", thotë Steinbrück dhe sqaron se megjithatë për shkak të përgjegjësisë politike për Evropën grupi i tij parlamentar do të votojë për. "Ne nuk duam të lëshojmë të rrëzohet askend", thotë edhe Renate Künast nga partia ‘Të Gjelbërit', dhe bën thirrje për një "Plan Marshall Evropian" për rimëkëmbjen e Greqisë.
Kritikë e diskutueshme
E majta (Die Linke) ishte i vetmi grup parlamentar i cili me vendosmëri votoi kundër paketës së ndihmës. Lideri i partisë Gregor Gysi nxiti reagime të forta në parlament kur krahasoi kushtet për Greqinë me kërkesat për zhdëmtime ndaj Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore. Kur politikanët e partive të tjera kërkuan sqarim nga Gysi, ai vazhdoi përsëri me krahasimin e tij: "Në rastin e Greqisë ju po bëni Versajën, por ata kanë nevojë për Marshall". Gysi shpreh frikën se “politika e shkurtimeve masive” të pagave minimale dhe të ardhurave në Greqi do të fusë vendin edhe më thellë në katastrofë.
Autorë: Heiner Kiesel / Esat Ahmeti
Redaktoi: Elert Ajazaj