Një shpërthim shkatërron një bazë të marinës në Qipro
11 Korrik 2011Banorët e ishullit flasin për një katastrofë më përmasa biblike. Vendi i shpërthimit duket si një zonë krize. Në një bazë të marinës në jug të ishullit Qipro, të hënën (11.7.) shpërthyen njëkohësisht shumë kontenierë me municione. Mediet lokale njoftojnë për të paktën 15 të vdekur. Shifra zyrtare nuk ka ende.
Shpërthimi në bazën Evangelos Florakis duket se është shkaktuar nga një zjarr në shkurre, i cili është shtrirë deri në bazë dhe u ka vënë zjarrin kutive të municionit, u tha nga Ministria greke e Mbrojtjes.
Konteinerët ishin të sekuestruar
Konteinerët gjendeshin në portin e bazës dhe ishin sekuestruar gjatë një transporti ilegal armësh. Ato ishin gjetur tre vjet më parë në bordin e një anije transporti para Qipros. Anija "Monchegorsk", e cila lundronte atëherë me flamurin qipriot dyshohej se synonte transportin e municionit nga Irani në Gazë.
Ndër viktimat në bazën e marinës sipas të dhënave të televizionit shtetëror ishin edhe dy marinarë, dy ushtarë dhe pesë punonjës të zjarrfikësit.
Shkatërrime edhe në fshatrat fqinje
Shumë njerëz të tjerë në lokalitetin Zygi në afërsi të bazës kanë pësuar lëndime. Pjesë të mëdha të lokalitetit u dëmtuan, ndërtesa, taverna dhe bare në breg të detit u mbuluan nga hiri dhe dheu.
Mbi bazë ngrihej një shtyllë e trashë tymi. Dëshmitarë të tjerë treguan se në lokalitetin Mari janë dëmtuar thuajse të gjitha ndërtesat nga lëkundjet e forta të shpërthimit.
Edhe drejtuesit e automjeteve u goditën nga objekte në ajër
Drejtuesit e automjeteve në rrugën Larnaka-Limassol u goditën nga objekte të ngritura në ajër prej shpërthimit. "Copëza druri, shufra hekuri, pjesë nga çatitë, ranë mbi ne", e përshkruan situatën një grua. Si pasojë e shpërthimit u shkaktua një zhurmë shurdhuese.
Një central i madh elektrik, burimi kryesor i rrymës në ishull, u dëmtua rëndë nga trysnia e shpërthimit. Përkohësisht u pengua puna në aeroportet e Larnakës dhe Paphos.
Dëmtohet furnizimi me energji elektrike
Shoqëria energjetike e Qipros u bëri thirrje qytetarëve të kursejnë energjinë. "Përdorni gjeneratorë dhe shuani kondicionerët", thuhet në një deklaratë të shoqërisë. Pritet të ketë edhe ndërprerje të përgjithshme të energjisë.
Presidenti qipriot Dimitris Christofias u takua në një mbledhje krize me kabinetin e tij në kryeqytetin Nikozia. Zëdhënësi i qeverisë njoftoi dorëheqjen e dy zyrtarëve të lartë: ministrit të Mbrojtjes dhe komandantit të gardës kombëtare.
Autor: Eleonore Uhlich (dpa, dapd) / E.Xhani
Redaktoi: Bahri Cani